BE përshëndet kthimin në parlament për ndryshimet në Ligjin për Odat e Specializuara, pritet që të konsultohet
Unioni Europian përshëndeti vendimin e presidentes kosovare Justina Shiroka Pula që ndryshimet në Ligjin për Odat e Specializuara t’a kthejë në Kuvendin e Kosovës për rishqyrtim nën mesazhin se pret që Unioni të konsultohet nëse diskutimet do të vijojnë në parlament.
Në deklaratën e zëdhënësit të BE, kujtohet se Unioni vazhdimisht ka shprehur shqetësim të thellë për iniciativën për ndryshimin e Ligjit për Odat e Specializuara të Kosovës si para dhe pas miratimit në Kuvendin e Kosovës më 6 tetor.
"Në frymën e shkëmbimit të letrave nga viti 2014 mes përfaqësuesit të lartë të BE dhe presidentit të Kosovës, i cili përcaktoi modalitetet e konsultimit me BE para ndryshimit të legjislacionit, presim që Unioni Europian të konsultohet nëse diskutimi vazhdon në parlament. Sundimi i ligjit dhe mbrojtja e të drejtave themelore, përfshirë të drejtat e viktimave dhe dëshmitarëve, mbeten me rëndësi të madhe", thuhet në deklaratë.
Bëhet e ditur se Odat e Specializuara të Kosovës përfaqësojnë institucion të pavarur gjyqësor të themeluar me vendimet e Kuvendit të Kosovës në vitin 2014 e 2015, në bazë të marrëveshjes së veçantë me BE e cila operon në kuadër të sistemit juridik të Kosovës dhe egzistenca e së cilës është përcaktuar nga Kushtetuta e Kosovës.
Mandati dhe pavarësia e tyre duhet të respektohen tërësisht dhe pa rezerva, thuhet nga Brukseli.
"Unioni Europian shpreh solidaritetin me të gjithë viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet e prekura nga krimet e kryera gjatë luftës", shtohet në deklaratë.
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, vendosi dje ta kthejë Ligjin e ndryshuar për Odat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar për rishqyrtim në Kuvendin e Kosovës.
Ajo pranoi propozimin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, si propozuese e ligjit, për t'i dhënë Kuvendit mundësinë për rishqyrtim të ligjit, veçanërisht dispozitat që lidhen me juridiksionin dhe mandatin e Odave të Specializuara, si dhe garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që gjykohen para këtyre odave.
Tashmë pas miratimit të ndryshimeve në ligj, Unioni Europian tregoi se ndryshimet në Ligjin për Odat e Specializuara që miratoi parlamenti kosovar, janë në kundërshtim me obligimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE dhe i bëri thirrje Prishtinës të respektojë detyrimet e veta ndërkombëtare që të sigurojë pavarësinë e institucionit.
Përndryshe, ndryshimet e miratuara, të cilat do të rishqyrtohen, parashikojnë ndryshim në kuadrin kohor të juridiksionit të gjykatës në periudhën nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000, si dhe dënim maksimal me burg deri në 15 vite.
Veç kësaj, parashikojnë transferimin e rasteve që nuk do të jenë më nën juridiksionin e Odave të Specializuara tek institucionet kosovare, si dhe mundësinë e apelimit në Gjykatën e Lartë të Kosovës për çështjet që lidhen me juridiksionin. Ndryshimet parashikojnë që personat e dënuar mund të vuajnë dënimet me burg në Kosovë, ndërsa në raste të caktuara do të ishte e mundur dhe amnisti presidenciale.
0 komentet