Trendafilova: Askush nuk mund t'u diktojë gjyqtarëve se si ta interpretojnë dhe zbatojnë ligjin

Ekatarina Trendafilova
Burim: Specijalizovana veća

Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, theksoi se kjo gjykatë është përballur me dezinformata lidhur me pavarësinë dhe punën e saj, duke nënvizuar se Dhomat e Specializuara janë institucion i pavarur dhe se gjyqtarët e saj janë persona me integritet. Ajo theksoi gjithashtu se sundimi i ligjit kërkon që askush të mos mund t'u diktojë gjyqtarëve se si duhet ta interpretojnë dhe zbatojnë ligjin.

“Dhomat e Specializuara janë përballur me dezinformata lidhur me pavarësinë dhe funksionimin e tyre. Për më tepër, ka pasur përpjekje për pengimin e drejtësisë, të cilat kanë rezultuar me aktgjykime dënuese dhe pranime të fajësisë për frikësimin e dëshmitarëve para gjykatës. Dhomat e Specializuara janë një institucion gjyqësor, mandati i të cilit është përcaktuar përmes shkëmbimit të letrave, Kushtetutës së Kosovës dhe Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Gjykata është e përkushtuar të sigurojë procedura penale të sigurta, të pavarura, të paanshme, të drejta dhe efikase, duke ofruar njëkohësisht mbrojtje të fuqishme për dëshmitarët dhe viktimat”, tha Trendafilova në një mesazh të publikuar në rrjetin social “X”.

Siç shtoi ajo, në kundërshtim me dezinformatat për gjykatën që vazhdojnë të qarkullojnë, Dhomat e Specializuara garantojnë të drejtën e të akuzuarve për një gjykim të drejtë, në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtarisht.

Ajo theksoi se gjyqtarët e emëruar në Dhomat e Specializuara vijnë nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe nga shtetet që kontribuojnë në punën e këtij institucioni.

“Për t'i përmbushur kushtet për t'u emëruar gjyqtarë në Dhomat e Specializuara të Kosovës, kandidatët duhet të kenë cilësi të larta morale, paanshmëri dhe integritet, si dhe të përmbushin kualifikimet që kërkohen në shtetet e tyre për emërimin në funksionet më të larta gjyqësore. Siç parashikohet në betimin e tyre gjyqësor, gjyqtarët i kryejnë detyrat e tyre në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe të ndërgjegjshme, në shërbim të drejtësisë dhe sundimit të ligjit. Gjyqtarët zbatojnë në mënyrë të vazhdueshme konventat ndërkombëtare të përcaktuara në Kushtetutën e Kosovës, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikën gjyqësore përkatëse. Ata i zhvillojnë procedurat në mënyrë që të mbrohen këto të drejta në çdo fazë të procesit gjyqësor”, deklaroi Trendafilova.

Siç shtoi ajo, kontrolli i vendimeve gjyqësore bëhet përmes procedurës së ankimimit, e cila përfshin panelet e apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe panelin e Gjykatës Supreme.

Përveç kësaj, shtoi ajo, të pandehurit mund t'i drejtohen Dhomës së Gjykatës Kushtetuese pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës nëse konsiderojnë se u janë shkelur të drejtat. Ajo theksoi se vlen të përmendet që të akuzuarit i kanë shfrytëzuar këto mjete juridike dhe se në një numër rastesh kanë pasur sukses.

“Megjithëse kritika ndaj vendimeve gjyqësore është legjitime në një shoqëri demokratike, sundimi i ligjit kërkon që askush të mos mund t'u diktojë gjyqtarëve se si duhet ta interpretojnë dhe zbatojnë ligjin. Si institucion i pavarur gjyqësor, Dhomat e Specializuara e ushtrojnë mandatin e tyre pa marrë parasysh konsiderata, preferenca apo ndikime politike dhe pa ndërhyrje politike. Dhomat e Specializuara mbeten fuqimisht të përkushtuara ndaj respektimit të standardeve më të larta ndërkombëtare, duke vazhduar punën që u është besuar – në mënyrë të pavarur nga çdo presion i jashtëm – me pritshmërinë që të gjitha palët e përfshira t'i përmbushin detyrimet e tyre për të siguruar respektimin e sundimit të ligjit”, theksoi Trendafilova.

Kuvendi i Kosovës miratoi më 6 tetor ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, pas aktgjykimit dënues ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së.