Rode: Formimi i AKS-së është obligim i Kosovës, Banjska ka ndryshuar gjithçka, nëse Serbia nuk e njeh Kosovën, do të kemi një konflikt të ngrirë

Ambasador Rode
Burim: Kosovo Online

Në një intervistë për Kosovo online, ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rode, iu përgjigj hapur pyetjeve për peticionin në veri për shkarkimin e kryetarit, dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, komunitetin serb, statusin e Kishës Ortodokse Serbe, si dhe për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës, rolin e Gjermanisë në dialog, formimin e AKS-së, atë që ndodhi në Banjskë, integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE...

Të mërkurën nisi mbledhja e nënshkrimeve për peticionin për zëvendësimin e kryetarit, që sipas ambasadorit Rode është një hap shumë pozitiv përpara.

 
“Së pari të theksoj se nuk më pëlqejnë zakonisht radhët, por radhët siç i pamë të mërkurën i shoh si një zhvillim pozitiv. Megjithatë, më lejoni të kthehem tek një moment. Vendimi i nëntorit 2022 i serbëve të Kosovës për t'u tërhequr nga të gjitha institucionet në sytë tanë ishte një gabim i madh, një autogol sepse ia privuat vetes mundësinë për të marrë pjesë. Tani shpresojmë që ky gabim të korrigjohet dhe të kemi pjesëmarrjen e plotë të serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës, por sigurisht kur tërhiqesh nuk mund të kthehesh sikur asgjë nuk ka ndodhur dhe për këtë kemi një proces. Të mërkurën u hodh hapi i parë i suksesshëm, shoh që ka filluar mbledhja e nënshkrimeve në Mitrovicë dhe Leposaviq dhe shpresoj se do të fillojë shpejt edhe në Zubin Potok dhe Zveçan", ka thënë Rode në një intervistë për Kosovo online, e cila është bërë një ditë para fillimit të mbledhjes së nënshkrimeve në Zubin Potok dhe Zveçan.
 
Bëhet fjalë për mbledhjen e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarit, por jo të këshilltarëve lokalë. A mund të jetë shkas për një krizë të re nëse në krye të komunave në veri kemi kryetarë serbë, por këshilltarë shqiptarë?
 
Dua të theksoj se duhet të zgjidhim një problem në një kohë. Gjithçka filloi kur serbët e Kosovës u tërhoqën nga institucionet dhe kjo është arsyeja pse ne tani kemi një sfidë. Tani kemi hapin e parë për ndryshimin e kryetarëve të komunave dhe shpresoj se do të arrihet një kuorum prej 20 për qind, pastaj vjen hapi i dytë: një referendum ku duhet 50 plus një për qind, që do të thotë se nevojitet pjesëmarrja e një pjesë e madhe e popullsisë. Ky është një hap pozitiv që tregon se jemi në një proces politik, jo në një proces tërheqjeje dhe akuzash ndaj njëri-tjetrit.
 
A prisni edhe kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës?
 
Pati shumë dorëheqje nga puna, jo vetëm në rastin e policisë, por policia punësoi personel të ri, përfshirë edhe pjesëtarë nga komunitetet pakicë, duke përfshirë serbët e Kosovës. Kur jep dorëheqje, duhet të bartësh pasojat.
 
Pas targave dhe marrëveshjes për energjinë, a ka arritur dialogu në një moment të ri dhe çfarë mund të presim në vitin 2024?

Ne pamë një regjistrimin masiv të targave RKS, pamë rezultatin e marrëveshjes energjetike pas 25 vitesh dhe faturat e rrymës do të paguhen në një të ardhme të afërt. Gjithashtu pamë edhe interesim të shtuar për pasaportat e Kosovës. Ne duam të shohim një përshpejtim të dialogut. Tani ka pasur takime këtë javë në margjinat e takimit në Davos, e di që është kryeministri i Kosovës Kurti, aty ka qenë edhe presidenti Vuçiq, por unë do të doja të shoh më shumë takime të drejtpërdrejta, sesa takime me përfshirje të një pale të tretë. Do të ishte mirë që përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë të takoheshin drejtpërdrejt për të përshpejtuar procesin sepse na duhet një zgjidhje, veçanërisht në të mirë të popullatës së përgjithshme.

 
A ka ardhur më në fund koha për formimin e AKS?
 
Po. Ky është një obligim i Kosovës nga viti 2013 dhe 2015, i cili ende nuk është realizuar. Ju i keni parë njoftimet e Quintit, por edhe të Gjermanisë, çfarë kemi thënë publikisht. Kosova ka deklaruar se është e gatshme ta pranojë këtë propozim të përfaqësuesit special të BE-së, të cilin ne e mbështesim plotësisht. Siç e dini, Serbia deri më tani ka refuzuar të nënshkruajë dhe tani jemi në ngërç. Lajçak po punon shumë për ta tejkaluar këtë situatë, sepse në fund na duhet një zgjidhje që të gjitha institucionet paralele të integrohen dhe që serbët në Kosovë të ndihen si në shtëpinë e tyre si pjesë e shoqërisë. Jo vetëm ata, por të gjithë duhet të ndihen si në shtëpinë e tyre. Dhe për të përshpejtuar rrugën evropiane, sepse të dyja vendet, Kosova dhe Serbia, i përkasin BE-së.
 
Përfaqësuesja e PE-së Viola von Kramon së fundmi ka vizituar Kosovën dhe ka deklaruar se përfaqësuesit e komunitetit serb i kanë thënë asaj se ndjehen si qytetarë të dorës së dytë. Si e shihni këtë?
 
Pashë komentet e saj dhe e takova. Mendoj se qeveria e Kosovës duhet të bëjë më shumë për t'iu afruar serbëve të Kosovës, por pres që përfaqësuesit serbë të punojnë në këtë drejtim. Bojkotimi i parlamentit nga deputetët serbë nuk është një mënyrë për të treguar se ata ndihen si në shtëpinë e tyre. Kosova është shtet i pavarur, ne mbështesim integrimin e Kosovës në strukturat e BE-së dhe Kosova është këtu për të qëndruar, ju jeni pjesë e kësaj shoqërie, nuk mund të uleni në dy karrige. Kërkohet një kompromis dhe angazhim i të dyja palëve. Serbët e Kosovës janë në një pozitë të vështirë, të zënë mes kërkesave nga Beogradi dhe presionit nga Kosova, dhe kjo është një situatë që duhet ta kapërcejmë. Prandaj duhet të kemi një dorë ndihmëse nga qeveria e Kosovës, por edhe komunitetet pakicë duhet të pranojnë të jetojnë në Kosovë dhe jo si pjesë e Serbisë.

A do ta ngadalësojnë dialogun zgjedhjet e ardhshme të PE dhe SHBA?
 
Unë sinqerisht pres që politikanët të përfitojnë nga mundësitë dhe jo gjithmonë të gjejnë justifikime për të mos punuar. Së fundmi kemi pasur zgjedhje në Serbi -  zgjedhje të jashtëzakonshme - ndoshta do të kemi zgjedhje në Kosovë, por kemi zgjedhur liderë që duhet të punojnë në interes të popullit, paqes dhe integrimit në BE. Dhe po, ju thatë se zgjedhjet janë në Evropë, por kjo nuk duhet t'i pengojë liderët në këtë rajon të veprojnë me përgjegjësi.

 
Cili është roli i Gjermanisë në dialog?
 
Siç thashë edhe më parë, ne e mbështesim plotësisht përfaqësuesin e BE-së. Gjermania dëshiron që çdo shtet në rajon t’i bashkohet BE, sa më shpejt të jetë e mundur, por kjo varet nga dy gjëra. Nga vetë shtetet dhe sigurisht BE-ja duhet të bëjë detyrat e shtëpisë. Tashmë kemi 27 anëtarë, me gjashtë të tjerë do të ishim 33. Ballkani Perëndimor është oborri i brendshëm i BE-së dhe ne tregojmë qartë se jemi një nga protagonistët kryesorë që mbështesim Kosovën, Serbinë dhe të tjerët në BE. Qoftë brenda Procesit të Berlinit, samiti i fundit i të cilit ishte në Tiranë, apo nëse kemi takime të vazhdueshme të nivelit të lartë, vijon mbështetja financiare për shtetet e Ballkanit për t'iu afruar BE-së, e cila duhet të bëjë ende detyrat e shtëpisë. E sigurt është se nuk ka entuziazëm për të pranuar shtetet që nuk kanë marrëdhënie të mira fqinjësore. Siç tha kancelarja ime, është e paimagjinueshme që dy vende që nuk e njohin njëri-tjetrin të hyjnë në BE. Kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për normalizim të plotë. Kjo është arsyeja pse ne po shtyjmë përpara përshpejtimin e dialogut.
 
Kosova së fundi mori liberalizimin e vizave, por tani shtrohet pyetja se kur do ta marrin atë serbët që kanë pasaporta të lëshuara nga Administrata Koordinuese?
 
Dy gjera. Është një lajm i mrekulllueshëm që çdo qytetar i Kosovës tani mund të udhëtojë lirshëm në BE. Ne kemi luftuar gjatë për këtë, veçanërisht Gjermania. Kosova është vendi i fundit që ka marrë liberalizimin e vizave. Ne gjithashtu dëshirojmë që të gjithë serbët e Kosovës të gëzojnë liberalizimin e vizave. Mënyra më e lehtë është të kesh pasaportë të Kosovës. Lidhur me pasaportat që i përmendët, Komisioni i BE-së ka publikuar një propozim për rregullore që do t'u mundësojë serbëve të Kosovës me këto pasaporta të përfitojnë nga liberalizimi i vizave. Ky propozim do të diskutohet në Komisionin dhe Parlamentin Evropian. Qëllimi është i qartë, ne duam që të gjithë të përfitojnë nga liberalizimi i vizave. Mënyra më e lehtë është që të gjithë të kenë pasaportë të Kosovës, prandaj e përmenda në fillim se ka një rritje të interesit për pasaportat e Kosovës nga komunitetet pakicë.

 
Si i shihni ngjarjet në Banjskë?
 
Banjska ndryshoi gjithçka. Ishte një sulm terrorist. Këta nuk ishin qytetarë të pakënaqur, ata kishin raketahedhës, automatikë, granata... Jemi ende në kërkim të autorëve të dyshuar që duhet të dalin para drejtësisë. Milan Radoiçiq e pranoi përgjegjësinë, por ende nuk ka llogaridhënie, ne nuk mund ta pranojmë parimin e mosndëshkimit, nëse bën një krim, duhet të sillesh para drejtësisë. Shpresojmë se Serbia është duke punuar në këtë. Personalisht, nuk dotë kisha mundur  ta imagjinoja se do të ndodhte diçka e tillë, dhe për këtë arsye NATO e shtoi praninë e saj dhe Gjermania do të bëjë të njëjtën gjë me një kontingjent të ri nga maji. Ajo që duam është paqe dhe stabilitet. Sulmet si ky janë saktësisht e kundërta e kësaj. Nëse nuk dënohen autorët e sulmit në Banjskë, si mund të rritet besimi mes dy vendeve. Ishte një incidentë tejet i rëndë  dhe autorët duhet të ndëshkohen.

A mundet Rusia të dëmtojë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor?
 
Rusia sulmoi Ukrainën, një vend fqinj ortodoks dhe mijëra njerëz kanë vdekur që atëherë. Ky ishte agresion në tokën evropiane dhe e gjithë Evropa u bashkua kundër agresionit rus. Gjermania është një nga vendet që mbështet fuqishëm Ukrainën për të rifituar territoret e saj të humbura dhe për të ruajtur stabilitetin. Shpresojmë që të gjitha shtete, përfshirë edhe Serbinë, t'i bashkohen sanksioneve. Ky agresion nuk duhet të jetë i suksesshëm, sepse atëherë Putini do të përpiqet të shkaktojë përçarje, urrejtje në pjesët e tjera të botës dhe natyrisht këtu. Do  theksoj gjithmonë se ky ishte agresion i Rusisë ndaj një vendi fqinj, ortodoks.

 
A e përkrah Gjermania transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës?
 
Për ne Kosova është shtet i pavarur dhe ka të drejtën e forcave të sigurisë. Ne kemi një atashe ushtarak në Prishtinë dhe Kosova ka një atashe ushtarak në Gjermani. Ne e mbështesim këtë transformim dhe do të vazhdojmë ta mbështesim.

 
A është e kërcënuar Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë, kemi parë incidente të shumta me shkatërrim të tempujve, por edhe sulme përmes mediave?

Më lejoni të theksoj një gjë. Jam në kontakt shumë të ngushtë me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe këtu. Kisha Ortodokse Serbe këtu nuk është vetëm trashëgimi kulturore e Kosovës, por edhe e mbarë botës. Kjo është arsyeja pse është një trashëgimi e UNESCO-s. Për mua, ruajtja e të drejtave të KOS, që përmendt në planin e Ahtisarit, është një test, nëse respektohen të drejtat e pakicës. I keni parë deklaratat e mia, deklaratat e Quintit për Manastirin e Deçanit. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen në çdo vend, veçanërisht kur kanë të bëjnë me të drejtat e pakicave ose në këtë rast të drejtat fetare. Sa më shpejt të zbatohet vendimi, aq më i suksesshëm do të jetë vendimi për kandidaturën e Kosovës në Këshillin e Evropës.
 
Pse Quini nuk mund ta detyrojë Qeverinë e Kosovës të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit?
 
Deri tani, asnjë qeveri e Kosovës nuk e ka zbatuar këtë vendim. Ndonjëherë duhet kohë për të bërë gjënë e duhur, por nuk shoh se kandidatura e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës do të zbatohet me sukses, nëse kjo çështje nuk zgjidhet. Së shpejti do të ketë një diskutim për këtë dhe do të jepen rekomandime se çfarë duhet bërë, para votimit të pranimit dhe kjo temë do të jetë në mesin e atyre rekomandimeve.
 
A e shihni Kosovën në OKB për pesë apo 10 vjet?
 
Kjo është një pyetje shumë hipotetike. Ne dëshirojmë që Kosova të jetë në të gjitha organizatat. Marrëveshjet e Ohrit dhe Brukselit parashohin që Serbia të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, por tani kemi retorikë kundër saj. Megjithatë, ju keni një tekst të shkruar në prani të një përfaqësuesi të lartë ndërkombëtar, i cili tha se ka një marrëveshje dhe tani është koha për të zbatuar marrëveshjen.Dhe duhet të jeni të sigurtë se BE-ja, Gjermania dhe Quinti po punojnë fuqishëm për zbatimin e marrëveshjes nga të dyja palët. Kosova ka obligimet e saj, ndër to edhe Asociacionin e Komunave Serbe, por obligime ka edhe pala tjetër. Ne presim që marrëveshja të zbatohet, sepse kjo është mënyra e vetme për të realizuar rrugën drejt Evropës, paqes dhe sigurisë.
 
Po sikur Serbia të mos e njohë Kosovën? Cila është e ardhmja e rajonit atëherë?
 
Shtrohet pyetja se çfarë ndodh nëse nuk ka përparim, atëherë do të ketë një konflikt të ngrirë. Unë gjithmonë them se nëse Evropa nuk vjen në rajon dhe nëse rajoni nuk i bën detyrat e shtëpisë, njerëzit do të  ikin për në Evropë. Unë shoh demografinë e gjithë Ballkanit Perëndimor - Serbia ka humbur një milion njerëz në 10 vitet e fundit, Bosnja po humb njerëz, shkalla e migrimit në Kosovë është gjithashtu e lartë. Ne kemi nevojë që njerëzit të kenë shpresë se gjërat do të përmirësohen dhe të mos mbeten të ngrirë në konflikt. Liderët politikë duhet të gjejnë kompromise.