Simfonia e paqes, balancës dhe pajtimit të vërtetë

Marko Đurić na konferenciji povodom 30 godina od potpisivanja Dejtonskog sporazuma
Burim: Kosovo Online

Në kohën kur shënojmë 30 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit, ndodhemi në një kryqëzim historik. Pas nesh janë konfliktet më të përgjakshme në tokën evropiane pas Luftës së Dytë Botërore. Para nesh qëndron mundësia që Ballkani Perëndimor të bëhet një herë e përgjithmonë një rajon i paqes së qëndrueshme, prosperitetit ekonomik dhe pajtimit të vërtetë mes popujve.

Marrëveshja e Dejtonit nuk ishte e përkryer. Lindi në dhimbje, në momentin e fundit përpara se lufta të përhapej më tej dhe të merrte forma të pashlyeshme. Por pikërisht sepse ishte produkt i kompromisëve të vështirë, ajo u bë një simfoni e balancës: tre popuj konstitutivë, dy entitete, një shtet.

Kjo nuk ishte një marrëveshje mes fituesve dhe humbësve, ishte marrëveshje mes të mbijetuarve. Dhe pikërisht për këtë arsye ka qëndruar për tridhjetë vjet.

Si ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Serbisë, jam krenar të them: Serbia që nga dita e parë ka qenë dhe mbetet kujdestari dhe garantuesi i besueshëm i Marrëveshjes së Dejtonit. Jo sepse është e përsosur, por sepse është i vetmi kuadër që ka provuar se mund të ruajë paqen. Çdo përpjekje për të rishikuar Dejtonin në mënyrë të njëanshme, për të hequr ose zvogëluar autonominë e entiteteve, për të transferuar kompetenca pa pëlqimin e të gjitha palëve, nuk është vetëm shkelje e së drejtës ndërkombëtare, por edhe goditje direkte ndaj balancës së brishtë që ka shpëtuar qindra mijëra jetë.

Por mbrojtja e Dejtonit nuk është vetëm mbrojtje e shkronjave të marrëveshjes. Është mbrojtje e shpirtit të pajtimit që është ngulitur në të. Prandaj Serbia sot nuk është vetëm zëri i Republikës së Srpskës dhe i popullit serb në Bosnje dhe Hercegovinë, Serbia është edhe avokati më i fuqishëm i pajtimit të vërtetë mes të gjithë popujve të rajonit. Sepse nuk ekziston interes më i madh kombëtar serb sesa që në kufijtë tanë të mbretërojë paqja, të lindin fëmijë pa frikë, të rinjtë të mos migrojnë, të hapen fabrika e jo të mbyllen.

Megjithatë, pajtimi nuk mund të jetë rrugë njëkahëshe. Ai nuk mund të ndërtohet mbi kujtime selektive, mbi hierarki të vuajtjeve, mbi faktin që disa viktima janë “më të pranueshme” se të tjerat. Tridhjetë vjet pas luftës, ende ekziston një asimetri e dhimbshme në trajtimin e viktimave. Viktimat serbe shpesh mbeten në margjinë të historisë. Plaga më e rëndë mbetet heshtja për dhunën seksuale ndaj grave serbe. Shumica e tyre sot janë pa drejtësi, pa vendim gjyqësor, pa njohje, pa pension, shpesh pa emër në publik, sepse shoqëria ende i sheh me dyshim ose indiferencë. Këto gra nuk janë “dëme kolaterale”. Ato janë pjesë e së njëjtës tragjedi njerëzore si të gjitha viktimat e tjera. Dhe përderisa vuajtja e tyre mbetet e padukshme, pajtimi do të jetë i paplotë.

Prandaj Serbia insiston: pajtimi pa të vërtetën e plotë nuk është pajtim, është vetëm një dukje paqeje.

Njëkohësisht, Serbia sot është motorri më i madh i bashkëpunimit rajonal. Iniciativa Ballkani i Hapur, të cilën e kemi nisur së bashku me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, dhe ku i janë bashkuar edhe Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina, tregon se është e mundur të ndërtohet një e ardhme e përbashkët pa fshirjen e identitetit. Mbi 15 milion njerëz udhëtojnë tani vetëm me kartën e identitetit. Qindra mijëra të rinj kanë marrë punë përmes tregut të përbashkët të punës. Eksporti mes vendeve të Ballkanit të Hapur është rritur mbi 40% në tre vitet e fundit. Ky është pajtim konkret, jo në fjalë, por në vepra. Serbia në dhjetë vitet e fundit ka investuar mbi një miliard euro në projekte infrastrukturore në Republikën e Srpskës dhe në zonat serbe në Kosovë dhe Metohi, por njëkohësisht ndërtom autostradën Sarajevë–Beograd, sepse pajtimi nuk është vetëm kur serbët ndihmojnë serbët, pajtimi është kur serbët ndërtojnë edhe për të tjerët, dhe të tjerët ndërtojnë edhe për serbët.

Sot, tridhjetë vjet pas Dejtonit, dërgoj një mesazh për të gjitha popujt e rajonit: kurrë nuk do të pranojmë që Republika Srpska të shfuqizohet, por gjithmonë do të ofrojmë dorën për projekte të përbashkëta, nga autostrada deri te paraqitja e përbashkët në tregun botëror. E di që të gjithëve u intereson barazia e popujve tanë në BeH dhe prandaj le ta mbrojmë atë barazi së bashku, brenda kuadrit të Dejtonit, jo kundër tij. I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ndalojë drejtësinë selektive dhe empatinë selektive. Paqja në Ballkan nuk do të qëndrojë nëse një popull vazhdimisht ndjen poshtërim. Nuk më vjen turp të them se jam së pari serb dhe se gjithmonë do të mbroj interesat kombëtare serbe. Por jam krenar që mund të them se sot jam një nga mbrojtësit më të mëdhenj të pajtimit në Ballkan. Sepse të jesh serb i mirë sot do të thotë të jesh fqinj i mirë. Të jesh patriot do të thotë të ndërtojmë ura, jo mure.

Le të jetë ky përvjetor i tridhjetë i Dejtonit fillimi i një ere të re, një ere në të cilën do të mbyllim përfundimisht kapitullin e luftës dhe do të hapim kapitullin e një të ardhmeje të përbashkët. Një ere ku çdo lot, çdo nënë, çdo viktimë, pa marrë parasysh emrin dhe mbiemrin, do të respektohet njësoj. Një ere ku fëmijët në Sarajevë, Banjallukë, Mostar, Beograd do të mësojnë të njëjtën mësim: se paqja është fitorja më e madhe që kemi arritur së bashku.

Shkruan për “Politika” Marko Gjuriq, ministër i Punëve të Jashtme i Serbisë