Arqipeshkvia rashko-prizrenase: Vidovdani nuk mund të jetë arsye për frikë, ndalim dhe poshtërim
Arqipeshkvia rashko-prizrenase ka shprehur shqetësim të thellë dhe protestoi ashpërsisht për veprimet e Policisë Kosovare gjatë dhe pas kremtimit të Vidovdanit duke vlerësuar se ndalimi i besimtarëve pas ceremonisë fetare, hodhi hije në festimin dinjitoz dhe lutje të një prej festave më të rëndësishme të popullit sërb në Kosovë.
Në njoftim bëhet e ditur se Vidovdani këtë vit u kremtua me liturgji në manastirin e Graçanicës dhe me meshë përkujtimore për heronjtë kosovarë në Gazimestan, në paqe dhe pa incidente.
"Popull besimtar, klerikë dhe peshkopë u mblodhën në paqe, pa dëshirën për të provokuar apo kërcënuar ndokënd, por për t'iu lutur Zotit për të kujtuar viktimat dhe konfirmuar kuptimin shpirtëror të Vidovdanit, i cili ndër shekuj jeton në kujtesën e Kishës Ortodokse Sërbe dhe popullit të vet” bëhet e ditur nga Arqipeshkvia Rashko-Prizrenase.
Theksohet se i shqetëson veçanërisht fakti që sipas të dhënave zyrtare të Policisë Kosovare, u ndaluan 37 persona të kombësisë sërbe, ndërsa ndaj 36 prej tyre nisën procedurat për kundërvajtje penale, megjithëse policia njoftoi se nuk pati incidente gjatë kremtimit.
"Nëse tubimi kaloi paqësisht, atëherë publiku ka të drejtë të dijë se mbi çfarë baze individuale, të qarta dhe të verifikueshme, pasoi ndalimi masiv i besimtarëve pas përfundimit të ceremonisë fetare. Sidomos të papranueshme ishin masat jashtëzakonisht poshtëruese për të kontrolluar gjatë hyrjes për tek monumenti në Gazimestan, që sipas pamjeve dhe dëshmive të publikuara tek shumë persona dhe media, shkojnë përtej shqetësimit për sigurinë dhe përfaqësojnë formë keqtrajtimi mbi baza etnike e fetare", theksohet nga Arqipeshkvia.
Theksohet se Kisha nuk justifikon dhe nuk do të justifikojë kurrë asnjë thirrje për urrejtje, dhunë ose prishje të rendit publik, por që identiteti fetar e kombëtar nuk duhet të trajtohet si kërcënim.
"Lutja, kënga popullore, përkujtimi i paraardhësve, mbajtja e veshjeve tradicionale dhe shprehja paqësore e identitetit fetar e kombëtar, nuk mund të trajtohen në vetvete si rrezik për rendin publik. Të tjerat, tubime të shumta kombëtare shqiptare mbahen me prani shumë më të madhe të simboleve dhe skenografive kombëtare pa metoda të ngjashme policore", thuhet në deklaratë.
Arqipeshkvia tregon se besimtarët këtë vit në Gazimestan erdhën pa ekspozimin e simboleve kombëtare pikërisht për shkak të kufizimeve të shpallura më herët.
"Nëse as sjellje e tillë nuk ishte e mjaftueshme që Vidovdanin t’a festonin paqësisht dhe pa masa poshtëruese, atëherë me të drejtë shtrohet pyetja nëse popullit sërb në Kosovë e Metohi po i mohohet gradualisht jo vetëm e drejta për të shfaqur simbole, por dhe e drejta për të kënduar, kujtuar e tubuar në mënyrë dinjitoze e së fundmi vetë festimin e Vidovdanit", thuhet në deklaratë.
Arqipeshkvia shprehu shqetësim të veçantë për pretendimet rreth akuzave për abuzim fizik e psikologjik të të ndaluarve.
"Arqipeshkvia pranon me shqetësim të veçantë dëshmitë se disa të ndaluar kanë qenë të ekspozuar ndaj keqtrajtimit fizik e psikologjik, shuplakave, goditjeve, fyerjeve, kërcënimeve, poshtërimit, si dhe akuzat se atyre i’u kërkua të bërtisnin 'Kosova Republikë' nën kërcënimin e rrahjeve. Këto pretendime duhet të hetohen dhe verifikohen seriozisht", thuhet në deklaratë.
Shtohet se është mjaft shqetësuese pretendimi se mes të ndaluarve ishte dhe një i mitur, si dhe raportimet për pengesa të gazetarëve dhe kontrolleve poshtëruese ndaj të cilave u ekspozuan përfaqësuesit e mediave.
Arqipeshkvia përshëndeti vendimin e Avokatit të Popullit Kosovar për të nisur hetim paraprak mbi akuzat për abuzim dhe poshtërim të sërbëve të ndaluar, duke i bërë njëkohësisht thirrje Avokatit të Popullit, Inspektoratit të Policisë Kosovare, organeve gjyqësore e hetimore, si dhe misioneve ndërkombëtare, veçanërisht OSBE dhe EULEKS, që të kryejnë hetim të pavarur.
"Është i domosdoshëm të konfirmohet baza ligjore për çdo ndalim individual, nëse masat ishin të nevojshme dhe proporcionale, nëse kishte tejkalim të autoritetit, nëse kishte trajtim poshtërues, nëse të miturit e gazetarët ishin të mbrojtur në përputhje me ligjin, si dhe nëse veprimet e policisë ishin të paanshme dhe të liruara nga paragjykimet etnike apo fetare", thuhet në deklaratë.
Nga Arqipeshkvia thuhet se siguria e tubimeve publike është përgjegjësi legjitime e autoriteteve përkatëse, por që ajo nuk duhet të bëhet justifikim për shkeljen e të drejtave themelore.
"Prania e policisë në tubimin fetar e përkujtimor, duhet të mbrojë besimtarët dhe mundësojë që ngjarja të vazhdojë paqësisht dhe jo që mes të pranishmëve të krijohet frikë, pasiguri e ndjenjë se janë të dyshuar paraprakisht nga vetë identiteti i tyre", theksohet në deklaratë.
Arqipeshkvia Rashko-Prizrenase i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të sigurojë zbatimin e pacënueshëm të standardeve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirisë fetare, dhe që besimtarët të mbeten paqësorë dhe dinjitozë.
"Nuk kërkojmë asnjë privilegj, por vetëm minimum të drejtash që çdo qeveri, nëse dëshiron të paraqesë veten si demokratike, duhet t'u ofrojë çdo personi dhe çdo komuniteti. Kjo është e drejta e popullit që lutet, të kujtojë të ndjerët e vet, të këndojë këngët e veta, ruajë traditat e veta dhe të kthehet në shtëpi pas lutjes pa frikë se dikush do ndalohet, poshtërohet apo ndëshkohet sepse ishte pjesë e popullit dhe e Kishës së tij", shtohet në deklaratën e Arqipeshkvisë Rashko-Prizrenase.
0 komentet