Arsiq, Ellek dhe Odalloviq: Periudha më e vështirë për serbët në Kosovë që nga viti 2004

Integracija zdravstva i školstva, ilustracija
Burim: Kosovo Online

Rektori i Universitetit në Prishtinë me seli të përkohshme në Mitrovicën e Kosovës, Nebojsha Arsiq, kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, dhe kryetari i Komisionit për Persona të Zhdukur të Qeverisë së Serbisë, Velko Odalloviq, paralajmëruan mbrëmë se serbët në Kosovë po përballen me periudhën më të vështirë që nga viti 2004, por se sot presionet nuk zbatohen me dhunë të hapur, por përmes masave administrative që mund të kenë pasoja afatgjata për sistemin arsimor, institucionet dhe jetën e përditshme të komunitetit serb, transmeton Juronjuz Serbia.

Rektori Arsiq vlerësoi se periudha nëpër të cilën po kalojnë sot serbët në Kosovë është “më e vështira që nga pogromi i vitit 2004”, duke paralajmëruar se masat administrative të paralajmëruara mund të kenë pasoja të gjera për sistemin arsimor dhe mbijetesën e komunitetit serb.

“Pas vitit 2004, kjo është periudha më e vështirë. Në vend të dhunës së hapur, tani po ndiqet një rrugë më perfide – përmes masave administrative që, nëse zbatohen, do të kenë pasoja shumë të rënda”, tha Arsiq për Juronjuz Serbia.

Duke folur për ndikimin e rregulloreve të paralajmëruara në arsimin e lartë, Arsiq theksoi se pasojat për universitetin do të ishin katastrofike.

Sipas tij, një numër i madh mësimdhënësish që vijnë nga Serbia qendrore nuk kanë dokumente të Kosovës, gjë që mund t’u pamundësojë qëndrimin dhe punën. Gjithashtu, një e treta e studentëve vijnë nga Serbia qendrore dhe nga veriu i Malit të Zi, ndërsa një numër më i vogël nga republikat e tjera ish-jugosllave.

“Të gjithë ata mund të gjenden në një situatë ku do t’u ndalohet qëndrimi më i gjatë, që do të thotë se nuk do të mund të ndjekin mësimin apo të përmbushin detyrimet e tyre akademike”, paralajmëroi rektori.

Në universitet aktualisht janë aktivë rreth 7.000 studentë në studime bachelor, master dhe doktorature, ndërsa numri i përgjithshëm i të regjistruarve është pak më pak se 11.000. Universiteti punëson rreth 1.100 persona – 780 mësimdhënës dhe bashkëpunëtorë, si dhe më shumë se 300 anëtarë të stafit administrativ.

“Nëse ligji do të zbatohej, rreth 500 mësimdhënës do ta humbnin që në fillim të drejtën e qëndrimit, ndërsa rreth 2.000 studentë nuk do të mund të ndiqnin mësimin”, theksoi Arsiq.

Ai shtoi se pasojat nuk do të preknin vetëm sistemin arsimor, por edhe ekonominë lokale, pasi, siç tha ai, “i gjithë qyteti në masë të madhe jeton nga universiteti”.

Arsiq theksoi edhe probleme shtesë, si çështja e regjistrimit të automjeteve zyrtare. Sipas tij, Universiteti është detyruar të riregjistrojë më shumë se 20 automjete me targa të qyteteve në Serbinë qendrore, ndërsa më pas ka pasuar, siç pretendon ai, një presion joformal që automjetet të riregjistrohen me targa të Kosovës.

“Na është sugjeruar një model që automjetet t’ia ‘dhurojmë’ dikujt në mënyrë që të mund të riregjistrohen. Këto nuk janë automjete private, por pronë e Universitetit”, tha Arsiq, duke vlerësuar se bëhet fjalë për presion të vazhdueshëm.

Rektori theksoi se vendimet administrative, edhe pse formalisht të natyrës juridike, kanë pasoja të thella shoqërore dhe demografike.

“Nëse nuk reagohet me kohë, pasojat do të jenë afatgjata – jo vetëm për universitetin, por edhe për mbijetesën e komunitetit serb në Kosovë dhe Metohi”, porositi Arsiq.

Ellek: Ligji i ri në Prishtinë çon në përndjekje administrative të serbëve nga Kosova dhe Metohia

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, vlerësoi se zgjedhja e qeverisë së re në Prishtinë, në krye të së cilës është Albin Kurti, nuk ngjall asnjë optimizëm te serbët, përkundrazi – shton shqetësimin dhe indinjatën.

Ellek theksoi se gjatë mandatit të kaluar të autoriteteve në Prishtinë janë marrë, siç u shpreh ai, vendime të njëanshme dhe përshkallëzuese, të cilat kanë qenë drejtpërdrejt të drejtuara kundër interesave të popullit serb, pa konsultime me përfaqësuesit e komunitetit serb.

“Nuk shohim shenja se në të ardhmen e afërt do të ketë përmirësim të marrëdhënieve. Prandaj sot është më se e nevojshme që serbët në Kosovë dhe Metohi të jenë të bashkuar dhe unikë, me mbështetjen e shtetit të Serbisë”, deklaroi Ellek.

Duke folur për situatën e sigurisë, Ellek tha se serbët aktualisht janë më të shqetësuar për vendimet administrative dhe ligjet e reja sesa për incidentet e veçuara.

“Këto ndalime administrative ua ndryshojnë jetën njerëzve rrënjësisht dhe kërcënojnë mbijetesën e të gjithë komunitetit. Zbatimi i tyre nënkupton ndryshim të përditshmërisë dhe pasiguri shtesë për serbët në Kosovë dhe Metohi”, tha ai.

Shqetësim të veçantë, sipas tij, shkakton ligji për të huajt, i cili sipas paralajmërimeve pritet të hyjë në fuqi më 15 mars. Ellek pretendon se zbatimi i tij mund të ketë pasoja serioze për sistemin shëndetësor dhe arsimor që funksionon në kuadër të sistemit të Republikës së Serbisë.

Sipas fjalëve të tij, ligji parashikon që mjekët dhe profesorët nga Serbia qendrore duhet të kërkojnë leje nga institucionet e Kosovës për qëndrim dhe punë, gjë që mund të çojë në ndalim hyrjeje apo edhe në dëbim.

“Me këtë rrezikohet drejtpërdrejt funksionimi i Qendrës Klinike-Spitalore në Mitrovicën e Kosovës, por edhe i shtëpive të shëndetit në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Bëhet fjalë për qindra të punësuar, e në mënyrë indirekte për mijëra pacientë”, theksoi Ellek.

Ai shtoi se ligji mund të ndikojë edhe në lëvizjen e autoambulancave me targa nga Serbia qendrore, gjë që, siç tha, do ta vështirësonte edhe më shumë dërgimin e pacientëve për trajtim në qendrat terciare shëndetësore në Kragujevc, Nish, Beograd dhe Novi Sad.

“Nëse dikujt ia mohoni të drejtën për trajtim mjekësor, ia mohoni të drejtën për jetë”, theksoi Ellek.

Kryetari i Listës Serbe njoftoi se kjo organizatë politike do t’u drejtohet përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë vendet e Kuintës, Bashkimin Evropian, KFOR-in dhe UNMIK-un, me kërkesë që ligji të tërhiqet ose të shtyhet.

“Qëllimi ynë nuk është konflikti. Kërkojmë kompromis – tërheqjen ose shtyrjen e ligjit derisa të arrihet një marrëveshje që do të mundësojë funksionimin e papenguar të sistemit shëndetësor dhe arsimor”, deklaroi Ellek.

Ai theksoi se komuniteti serb kërkon, siç u shpreh, “vetëm të drejtën për punë, trajtim mjekësor dhe jetë dinjitoze në shekullin 21.”.

Odalloviq: Në Kosovë dhe Metohi është në zhvillim pogromi i tretë, institucional, ndaj serbëve

Kryetari i Komisionit për Persona të Zhdukur të Qeverisë së Serbisë, Velko Odalloviq, vlerësoi se serbët në Kosovë sot po përballen me “pogromin e tretë”, i cili, sipas tij, është i natyrës institucionale dhe ka pasoja afatgjata.

Duke rikujtuar ngjarjet e viteve 1999 dhe 2004, Odalloviq theksoi se pogromet e atëhershme u shoqëruan me dhunë fizike, dëbimin e qindra mijëra njerëzve, vrasje, zhdukje, djegie të shtëpive, kishave dhe manastireve.

“Kjo që po ndodh sot është një pogrom institucional. Pasojat e tij mund të jenë afatgjata dhe kjo bie mbi ndërgjegjen e bashkësisë ndërkombëtare”, tha Odalloviq.

Ai deklaroi se “shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, në territorin që ishte nën administrim ndërkombëtar në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, është precedent dhe muzg i së drejtës ndërkombëtare”.

Ai kujtoi se në vitin 1999 në Kosovë erdhën dhjetëra mijëra ushtarë ndërkombëtarë nga shumë vende, me mandat për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve.

“Para syve të tyre ndodhën pogromet. Prisnim siguri dhe hapësirë të barabartë për jetë dhe prosperitet, por morëm shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe mosrespektim të vendimeve të tyre”, tha Odalloviq.

Duke folur për Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, ai theksoi se thelbi i saj ishte formimi i Asociacionit të Komunave Serbe (AKS), si mekanizëm për mbrojtjen kolektive të të drejtave të serbëve.

“Gjashtë pikat e para të marrëveshjes i referohen AKS-së. Ajo ishte udhërrëfyesi i gjithë procesit – që serbët përmes një kornize institucionale të realizojnë të drejtat kolektive, veçanërisht në fushat e shëndetësisë dhe arsimit”, tha Odalloviq.

Sipas tij, po të ishte formuar AKS, krizat e sotme lidhur me arsimin dhe shëndetësinë nuk do të ekzistonin, pasi këto çështje do të zgjidheshin përmes dialogut institucional.

Odalloviq vlerëson se masat administrative të paralajmëruara, përfshirë detyrimin për sigurimin e lejeve të punës dhe qëndrimit për të punësuarit që vijnë nga Serbia qendrore, paraqesin presion të drejtpërdrejtë ndaj institucioneve serbe në Kosovë.

Ai shpjegon se mjekët, profesorët dhe personeli tjetër do të duhej të kërkonin miratime nga institucionet e Prishtinës, ndërsa lejet mund të jepeshin vetëm nëse institucionet e tyre janë të regjistruara dhe të akredituara në sistemin e Kosovës.

“Kjo është një përpjekje perfide për ta futur universitetin tonë dhe sistemin shëndetësor në kornizën e tyre institucionale. Nëse nuk jeni të regjistruar në atë sistem, kërkesa do të refuzohet”, tha Odalloviq.

Prandaj ai paralajmëron se një praktikë e tillë mund të çojë në vështirësimin e trajtimit të pacientëve dhe funksionimit të institucioneve arsimore, pasi një pjesë e të punësuarve vijnë nga Serbia qendrore, ndërsa pacientët trajtohen në institucione që funksionojnë sipas sistemit të Republikës së Serbisë.

Odalloviq porositi se serbët në Kosovë nuk kërkojnë privilegje, por të drejta të garantuara – të drejtën për punë, arsim, mbrojtje shëndetësore dhe jetë të sigurt.