Gjuriq: Anëtarësia në BE prioritet i Sërbisë, i nevojshëm vazhdimi i dialogut

Ministri i punëve të jashtme Marko Gjuriq ka thënë se Sërbia deri në 2027 do të jetë e gatshme që të bëhet anëtare me të drejta të plota në Bashkimin Europian. Kur është fjala për Kosovën, Gjuriq ka thënë se është i domosdoshëm të vazhdohet dialogu nën ndërmjetësimin e BE por dhe që Komisioni i ri "duhet të marrë vendime të kujdesshme dhe të mençura" me synim që në të ardhmen të ketë qasje në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, transmeton Beta.

"Strategjia jonë është pozicionimi dhe rruga në të cilën shkojmë, është anëtarësimi me të drejta të plota në Bashkimin Europian. Sërbia deri në vitin 2027, përfundon të gjitha reformat thelbësore, politike, institucionale, ekonomike dhe ligjore. Dhe do të jetë e gatshme të bëhet pjesë e familjes europiane", tha Gjuriq në intervistë për agjencinë italiane Nova.

Ai paralajmëroi megjithatë se anëtarësimi i plotë nënkupton gjithashtu "qasje të plotë dhe të barabartë në të drejtat zgjedhore dhe proceset e vendimmarrjes", si dhe detyra dhe përgjegjësi të përbashkëta.

"Me fjalë të tjera, nuk jemi të gatshëm të jemi Porto Riko europian," shtoi Gjuriq.

Ministri theksoi dhe se Sërbia ndoqi me kujdes rezultatet zgjedhore në BE dhe se përbërja e re e Parlamentit Europian "sigurisht është mundësi për të ndërtuar rrjet të ri miqsh".

"Duket se ka pasur shumë njerëz që politikisht nuk kanë qenë të ngjashëm me ne në mbledhjen e kaluar. Tani dëshirojmë të shfrytëzojmë potencialin e rrethanave të reja dhe aktivisht të vazhdojmë të ndërtojmë raporte", tha ai dhe shprehu shpresën që procesi i zgjerimit në Ballkanin Perëndimor do të kthehen në qendër të vëmendjes së institucioneve europiane.

Gjuriq vlerësoi se nga anëtarësimi në BE nuk do të përfitojë vetëm Sërbia.

“Vetë Unioni do të forcohet, sepse do të ketë ekonomi më shumë, ekonomi stabile me rritje të shpejtë por dhe pozicionin strategjik që zë vendi ynë në kuadratin juglindor të Europës”, ​​tha ai.

Duke e prezantuar atë si kreun e ri të diplomacisë, agjencia Nova shkruan se manifesti programor i Gjuriqit mund të përmblidhet në fjalët-pasim i qëllimeve strategjike nën respektimin e interesave themelore kombëtare dhe thyerja e paragjykimeve të trashëguara nga vitet ‘90 që Sërbinë t’a paraqesin siç është sot.

"Dëshirojmë t’a përfaqësojmë Sërbinë si vendin e së ardhmes, perspektivës, teknologjive të reja, me ekonomi stabile që vazhdon të rritet. Si vend i aftë për të qenë partner solid në të gjithë sektorët dhe i përkushtuar për paqe, stabilitet dhe respektimin e të drejtës ndërkombëtare”, tha Gjuriq.

Ky i fundit shtoi se pamja me të cilën është krijuar për Sërbinë e viteve ’90 të shekullit të kaluar, nuk egziston më.

“Duhet të eliminojmë paragjykimet e trashëguara nga e kaluara dhe t’a tregojmë vendin tonë siç është sot” tha ai.

Gjuriq tha se "Sërbia mund të lavdërohet miqësive që datojnë qysh nga koha e Lëvizjes së vendeve të paangazhuara, me vendet e Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine", të cilat, shtoi ai, do të jenë kontribut i fuqishëm dhe për BE.

Por janë pikërisht disa nga "miqësitë historike" të Sërbisë që aktualisht paraqesin pikë fërkimi mes Beogradit dhe Brukselit, thekson Nova dhe shton se sipas vlerësimit të mjaft vëzhguesve, refuzimi për vendosjen e sanksione ndaj Rusisë, kërcënon të ngadalësojë procesin e integrimit europian.

Gjuriq përgjigjet duke kujtuar se Sërbia prej fillimit të luftës në Ukrainë, ka votuar pro të gjitha rezolutave të KB në favor të integritetit territorial të Kievit.

"Sërbia është e përkushtuar ndaj paqes dhe armëpushimit. Po tentojmë të shprehim solidaritet me popullin ukrainas: i mirëkuptojmë vuajtjet e tyre, pasi dhe ne në vitet '90 të shekullit të kaluar, na u desh të përballeshim me kohë të vështira. Dëshiroj të theksoj se 93% e të gjithë ndihmave të cilat janë prej Ballkanit Perëndimor që dërgohen në Ukrainë, vijnë prej Sërbisë. Ukraina për ne është vend mik, që respekton integritetin tonë territorial dhe sovranitetin tonë kombëtar” nënvizoi ai, por shtoi dhe se për shkak të specifikave të veta në këtë çështje, Sërbia nuk ka të njëjtën politikë të jashtme si vendet e tjera anëtare të BE.

"Sërbia mund të lavdërohet me marrëdhëniet tradicionalisht të mira dhe miqësore me të dyja vendet e përfshira në konflikt. Rusia jo vetëm që nuk e njohu pavarësinë e shpallur njëanshmërisht të Kosovës, por mbështet qëndrimin e Sërbisë për disa çështje të tjera. Sërbia do të përdorë çdo mundësi për të bërë thirrje për paqe duke shpresuar se konflikti i armatosur të marrë fund sa më parë”, tha Gjuriq.

Kur është fjala për Kosovën, Gjuriq tha se është e nevojshme të vazhdohet dialogu nën ndërmjetësimin e BE por që Komisioni i ri “duhet të marrë vendim të kujdesshëm dhe të mençur” rreth asaj se si synon t'i qaset dialogut në të ardhmen mes Beogradit dhe Prishtinës. “Duhet të vendosin nëse do të udhëhiqet drejtpërdrejt nga dikush si përfaqësues i ri i lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë Kaja Kallas, apo do të emërohet përfaqësuesi i ri special i cili ka mbështetje reale dhe mandat të fortë nga anëtarët”, konkludoi Gjuriq.