Hasani: Kurti shkakton krizë institucionale që të shmangë obligimet e Marrëveshjes së Ohrit

Enver Hasani
Burim: Kosovo Online

Ish kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës Enver Hasani vlerëson se bllokada aktuale institucionale është jokushtetuese dhe përmes vonesave të konstituimit të Kuvendit, shmangen obligimet e Marrëveshjes së Ohrit të vitit 2023, transmeton Gazeta ekspres.
Hasani vlerësoi se bllokada aktuale institucionale është jokushtetuese dhe se duke shtyrë konstituimin e Kuvendit, tentohet shmangia e zbatimit të obligimeve nga Aneksi i Ohrit.

"Jam i bindur se Kurti i’a mbath nga aneksi i Ohrit. Me veprimet e tij kundër rendit kushtetues kosovar, ai ikën nga e kaluara, por sa më shumë largohet, aq më shumë i afrohet fajësia", tha Hasani për Gazetën Ekspres.

Ai tha se vendimi për të mos caktuar vazhdimin e seancës konstituive derisa të arrihet marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, është "plotësisht jokushtetues dhe arbitrare", duke vlerësuar një veprim i tillë do të mbetet "njollë e zezë në historinë politike dhe kushtetuese të vendit".

Hasani beson se Kurti apo dikush që vjen pas tij, në fund duhet të zbatojë obligimet e aneksit të Ohrit.

"Kushdo që e zbaton, do t’a bëjë këtë në emër të zotit Kurti, si krijues ekskluziv i atij obligimi", tha Hasani.

Kujtojmë se Hasani në shkurt të këtij viti, vlerësoi se transferimi i përgjegjësisë për dialogun me Beogradin tek Ministria e Punëve të Jashtme, paraqitet pjesë e propagandës së Albin Kurtit që synon përgatitjen e terrenit për zbatimin e detyrimeve nga Marrëveshja e Ohrit.

Atëherë Hasani tha se Kurti në Ohër në vitin 2023 pranoi autonominë politike të sërbëve në Kosovë, përfshirë Bashkësinë e Komunave me shumicë sërbe.