KFOR për 16 shtatorin: Nuk komentojmë masat konkrete operative

vozila_kfora_gr.jpg
Burim: Kosovo Online

KFOR-i e përshtat vazhdimisht praninë e tij me mjedisin e sigurisë dhe kërkesat operative, në mënyrë që të jetë gjithmonë efektiv, por nuk komenton masat konkrete operative, thuhet në përgjigjen e këtij misioni të NATO-s për Kosovo online, në pyetjen nëse më 16 shtator, kur do të shpallet aktgjykimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, do ta shtojë praninë në mjediset serbe në Kosovë.

„KFOR-i e përshtat vazhdimisht dislokimin e forcave në përputhje me mjedisin e sigurisë dhe kërkesat operative, në mënyrë që misioni ynë të mbetet efektiv. Nuk komentojmë masat konkrete operative“, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.

Shtohet se KFOR-i ruan kapacitetet, gatishmërinë dhe fleksibilitetin e nevojshëm për zbatimin e mandatit të tij shumëvjeçar të OKB-së, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.

Gjithashtu rikujtohet se KFOR-i vazhdon të punojë në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, ku secila prej këtyre palëve vepron në kuadër të rolit të vet në ofrimin e përgjigjes së sigurisë.

„KFOR-i mbetet i përkushtuar që të kontribuojë në krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes, në përputhje me mandatin e tij shumëvjeçar të OKB-së“, shtohet në përgjigje.

Policia e Kosovës njoftoi më herët se po planifikon masa sigurie në prag të 16 shtatorit, të cilat kanë për qëllim menaxhimin e sigurt të tubimeve, ruajtjen e rendit publik dhe sigurimin e zhvillimit normal të trafikut.

Më herët, disa media raportuan se Kosova po „blindohet“ në prag të një vendimi të mundshëm në Hagë.