Vuçiq: Kërcënimet nga tubimi në Prishtinë ishin të pritshme, besoj se KFOR-i do ta ruajë sigurinë në Kosovë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se është i bindur se KFOR-i do ta ruajë sigurinë në Kosovë në prag të shpalljes së aktgjykimit ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë, por se Beogradi nga tubimi i djeshëm në mbështetje të UÇK-së në Prishtinë priste kërcënime dhe provokime, transmeton RTS.
Duke iu përgjigjur pyetjes për situatën e sigurisë në Kosovë në prag të shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Vuçiq tha se është i bindur se KFOR-i do ta ruajë sigurinë e popullatës.
„Jam i sigurt, nga shkëmbimi i letrave me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, se KFOR-i do ta ruajë sigurinë e banorëve në Kosovë dhe Metohi. Thjesht, nuk mendoj se evropianëve apo amerikanëve u konvenon ose se dëshirojnë të shohin çfarëdo lloj dhune“, tha Vuçiq.
Duke iu referuar marshit në Prishtinë në prag të shpalljes së aktgjykimit, Vuçiq tha se në Beograd e kishin pritur një atmosferë të tillë.
„Ajo që pamë dje, ato kërcënime – me këtë tashmë jemi mësuar dhe këtë e prisnim“, tha ai.
Ai theksoi se shpreson që të respektohen garancitë që, siç thotë, i ka marrë gjatë bisedimeve për mbijetesën e popullit serb në Kosovë.
„Shpresoj që, në përputhje me atë që kam dëgjuar shumë herë dhe që në bisedime e kam marrë si garanci për mbijetesën e popullit tonë, kjo të respektohet“, tha Vuçiq.
Duke folur për aktgjykimin e ardhshëm, ai shtroi pyetjen se si duhet të interpretohet një vendim eventual sipas të cilit askush nuk do të ishte përgjegjës për pësimin e civilëve të përmendur në aktakuzë.
„Dhe në çfarë duhet të besojmë ne, nëse marrim një aktgjykim në të cilin do të thuhet se askush nuk është fajtor për pësimin e atyre dhjetëra civilëve që ishin përfshirë në aktakuzë“, pyeti Vuçiq.
Ai porositi se Serbia, pavarësisht rezultatit, duhet ta ruajë paqen dhe stabilitetin.
„Ne duhet ta ruajmë paqen dhe stabilitetin, por të paktën do ta kemi të qartë se çfarë na kanë bërë politikisht“, shtoi Vuçiq.
Shërbimi ushtarak nga marsi
Duke folur për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, Vuçiq tha se shteti, Ministria e Mbrojtjes dhe Ushtria e Serbisë janë të gatshme dhe paralajmëroi se shërbimi ushtarak duhet të fillojë në mars.
„Gjithçka është gati dhe mendoj se nga marsi kjo do të fillojë normalisht“, tha Vuçiq.
Ai bëri të ditur se shërbimi ushtarak do të zgjasë 75 ditë dhe vlerësoi se, megjithëse bëhet fjalë për një periudhë relativisht të shkurtër, ai do të ketë rëndësi për të rinjtë.
„Janë pak ditë, janë 75 ditë, por do të kenë shumë rëndësi në kuptimin e fitimit të përgjegjësisë, seriozitetit, përkushtimit dhe, do të thosha, madje edhe pjekurisë, para së gjithash për djemtë tanë të rinj“, theksoi Vuçiq.
Sipas tij, rikthimi i shërbimit ushtarak mund të kontribuojë edhe në zhvillimin e qyteteve ku ndodhen kazermat, veçanërisht në zonat kufitare.
„Mendoj se kjo është e rëndësishme edhe për zhvillimin e qyteteve tona, veçanërisht në zonat kufitare, pra nga Piroti dhe Priboji deri në Sombor. Kur keni kazerma të tilla, është sikur të keni një fabrikë në atë qytet dhe besoj se kjo do të ketë shumë rëndësi për ata njerëz dhe ato qytete“, tha Vuçiq.
0 komentet