Kos: Nuk ka përparim të Serbisë në rrugën evropiane pa vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë
Komisionerja e Bashkimit Evropian (BE) për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Serbia nuk do të mund të përparojë në rrugën evropiane nëse nuk vendos sanksione ndaj Rusisë, shkruajnë Novosti.
“Nuk do të jetë e mundur që një vend që nuk harmonizohet me ne për çështje me interes strategjik, siç janë politika e jashtme dhe e sigurisë dhe lufta e përbashkët kundër Rusisë, veçanërisht në kontekstin e luftës ruse në Ukrainë, të përparojë. Kjo do të jetë shumë, shumë e vështirë”, tha Kos.
Marta Kos iu përgjigj kështu pyetjes nëse Serbia do të mund të anëtarësohet në BE pa vendosur sanksione ndaj Rusisë, duke theksuar se BE ende nuk ka nisur bisedimet me Qeverinë e re të Serbisë.
“Së pari duhet të formojnë qeverinë e re dhe më pas do të shohim se si dhe nëse do të mund të vazhdojmë më tej në këtë fushë”, deklaroi Kos.
Komisionerja evropiane ditët e fundit ka biseduar me Ilija Srdanoviqin, kandidatin e parë në listën e kandidatëve të Listës Studentore, duke theksuar se BE është e gatshme ta mbështesë Qeverinë e re të Serbisë në rrugën evropiane.
Në fillim të tetorit, gjatë prezantimit të planit të Komisionit Evropian për përgatitjen e BE-së për zgjerimin e ardhshëm, para Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, ajo vlerësoi se Serbia do të duhet të japë më shumë rezultate konkrete.
“Do ta shohim seriozitetin e qeverisë së tyre pas zgjedhjeve, nëse nuk do të mjaftohen vetëm duke thënë se duan të bëhen anëtarë, por do të punojnë konkretisht për këtë, veçanërisht sa i përket harmonizimit strategjik dhe përafrimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë”, deklaroi atëherë Marta Kos.
komentet