Krasniqi: Kuvendi nuk mund t’i shfuqizojë Dhomat e Specializuara me vendim parlamentar apo rezolutë
Profesori universitar Kolë Krasniqi deklaroi se Kuvendi i Kosovës nuk mund t’i shfuqizojë Dhomat e Specializuara me një vendim të zakonshëm parlamentar apo rezolutë, por se për këtë do të ishte e nevojshme të ndryshohej Kushtetuta, të përfundohej marrëveshja me Bashkimin Evropian dhe të rregullohej statusi i procedurave dhe lëndëve gjyqësore që janë ende në zhvillim. Ai vlerësoi se veprimet e njëanshme mund të çonin në probleme serioze në planin ndërkombëtar.
Krasniqi shkroi në Facebook se Kuvendi i Kosovës nuk mund t’i shfuqizojë Dhomat e Specializuara, sepse ky mekanizëm gjyqësor nuk është themeluar vetëm me ligj, por bazohet në nenin 162 të Kushtetutës së Kosovës, Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, marrëveshjen ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe marrëveshjen me Mbretërinë e Holandës, si shtet pritës.
“Prandaj, një vendim i zakonshëm apo rezolutë e Kuvendit mund të ketë peshë politike, por nuk mund të prodhojë efekt juridik për mbylljen e Dhomave të Specializuara. As shfuqizimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar nuk do të ishte i mjaftueshëm për sa kohë që neni 162 i Kushtetutës është në fuqi. Një ligj i zakonshëm nuk mund të shfuqizojë një dispozitë kushtetuese dhe as një marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuar, e cila, sipas nenit 19 të Kushtetutës, ka përparësi ndaj ligjeve të zakonshme”, tha Krasniqi.
Sipas tij, për një përpjekje të plotë juridike për përfundimin e mandatit dhe funksionimit të Dhomave të Specializuara do të ishte e nevojshme të ndryshohej ose shfuqizohej neni 162 i Kushtetutës, të ndryshohej ose shfuqizohej Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të përfundohej, në përputhje me procedurat përkatëse juridike, marrëveshja e ratifikuar me Bashkimin Evropian, të zgjidhej statusi i marrëveshjes me Holandën dhe të rregullohej statusi i procedurave dhe lëndëve gjyqësore që janë ende në zhvillim.
Krasniqi tha se amendamentin kushtetues mund ta propozojnë presidenti i Kosovës, qeveria ose së paku një e katërta e deputetëve të Kuvendit, përkatësisht 30 deputetë, dhe se, para votimit në parlament, amendamenti i propozuar duhet t’i dërgohet Gjykatës Kushtetuese për vlerësim paraprak nëse ai zvogëlon ndonjë nga të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë.
“Për miratimin e tij nevojiten votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përkatësisht së paku 80 vota, duke përfshirë edhe dy të tretat e deputetëve që kanë vende të garantuara për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë. Megjithatë, edhe përmbushja e kësaj procedure të brendshme nuk do ta lironte automatikisht Kosovën nga detyrimet e saj ndërkombëtare”, theksoi Krasniqi.
Ai vuri në dukje se neni 162 i Kushtetutës së Kosovës e lidh mandatin e Dhomave të Specializuara me mekanizmin e njoftimit nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Kosovës, dhe se për këtë arsye përfundimi juridikisht i qëndrueshëm i mandatit të tyre nuk mund të realizohet me një veprim të thjeshtë të njëanshëm të Kuvendit.
Sipas tij, në planin ndërkombëtar, një veprim i njëanshëm për shfuqizimin e Dhomave të Specializuara mund të çonte në përkeqësimin e marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, cenimin e kredibilitetit të Kosovës, ndikim negativ në proceset integruese euroatlantike, si dhe kushtëzimin ose dobësimin e mbështetjes diplomatike dhe financiare.
“Gjithashtu, në shfrytëzimin propagandistik të kësaj çështjeje nga Serbia dhe krijimin e perceptimit se institucionet e Kosovës ndërhyjnë në drejtësi për të mbrojtur persona të caktuar”, theksoi ai.
Siç tha ai, nuk mund të thuhet paraprakisht se një nismë e tillë do të çonte automatikisht në vendosjen e sanksioneve, sepse kjo do të varej nga vlerësimi politik i partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës.
“Megjithatë, reagimet e fuqishme diplomatike dhe pasojat negative për bashkëpunimin ndërkombëtar do të përbënin rreziqe reale”, tha Krasniqi.
0 komentet