Lëvizja Studentore i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të monitorojë projektligjin për Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore në Kosovë

Visoki Dečani
Burim: Kosovo Online

Lëvizja Studentore ka shprehur shqetësimin për miratimin në lexim të parë të Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar se kompetencat e reja inspektuese mund të ndikojnë në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe.

Lëvizja Studentore ka njoftuar se mbrojtja e trashëgimisë kulturore duhet të bazohet në parimet profesionale, sundimin e ligjit dhe respektimin e garancive ligjore tashmë të vendosura.

Në njoftimin e publikuar në rrjetin social “X” thuhet se vendosja e mekanizmave të rinj të mbikëqyrjes inspektuese nuk duhet të çojë në dobësimin e regjimit të veçantë të mbrojtjes së manastireve dhe kishave ortodokse serbe, e as në anashkalimin e procedurave dhe kompetencave ekzistuese të parashikuara me Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura.

“Veçanërisht shqetësues është fakti se këto dispozita janë miratuar pa konsultime me Kishën Ortodokse Serbe, objektet fetare dhe prona e së cilës preken drejtpërdrejt nga zgjidhjet e propozuara ligjore, duke cenuar kështu drejtpërdrejt të drejtat e bashkësive fetare dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”, theksohet në njoftim.

Lëvizja Studentore u bëri thirrje përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare që ta monitorojnë me kujdes këtë proces, duke pasur parasysh garancitë ekzistuese të së drejtës ndërkombëtare për mbrojtjen e Kishës Ortodokse Serbe, pronës së saj dhe trashëgimisë kulturore në Kosovë.

Nga institucionet në Prishtinë është kërkuar që, gjatë procedurës së mëtejshme legjislative, të sigurojnë përputhshmëri të plotë të zgjidhjeve të propozuara me këto garanci dhe mekanizma mbrojtës, si dhe me garancitë dhe detyrimet ligjërisht të detyrueshme që Prishtina ka marrë përsipër në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin.

“Ruajtja e trashëgimisë kulturore nuk duhet të jetë objekt i zgjidhjeve të njëanshme institucionale që mund të rrezikojnë garancitë ekzistuese të mbrojtjes. Ajo kërkon siguri juridike, përgjegjësi profesionale, dialog dhe pjesëmarrjen e të gjitha palëve të interesuara”, porosit Lëvizja Studentore.

Për Projektligjin në Kuvendin e Kosovës foli edhe shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Igor Simiq, i cili kërkoi që kjo pikë të hiqej nga rendi i ditës. Ai paralajmëroi se propozimi prek interesat jetike të popullit serb, i cili, siç tha, nuk ishte konsultuar, ashtu siç nuk ishte konsultuar as Kisha Ortodokse Serbe. Simiq theksoi se Lista Serbe konsideron se një propozim i tillë nuk duhet të miratohet.

Deputetja e Listës Serbe, Jovana Radosavleviq, vlerësoi se ligji prek drejtpërdrejt mbrojtjen e objekteve të shenjta ortodokse serbe në Kosovë dhe paralajmëroi se inspektorët, sipas zgjidhjeve të propozuara, mund të ndalojnë punimet në manastire dhe kisha, të ndalojnë restaurimin e tyre dhe të kërkojnë anulimin e lejeve në zonat e veçanta të mbrojtura. Ajo paralajmëroi se Lista Serbe, para leximit të dytë, do të paraqesë amendamente dhe do të shfrytëzojë të gjitha mjetet ligjore, institucionale dhe politike që ka në dispozicion.

Shqetësim për ligjin e propozuar shprehu edhe Eparkia e Rashko-Prizrenit, duke paralajmëruar se kompetencat e reja të inspektoratit mund të çojnë në anashkalimin e mekanizmave ekzistues për mbrojtjen e Kishës Ortodokse Serbe dhe objekteve të saj të shenjta. Nga Eparkia theksuan veçanërisht se projektligji nuk e përmend Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, as Këshillin për Zbatim dhe Monitorim, në punën e të cilit marrin pjesë përfaqësues të Bashkimit Evropian, OSBE-së, ministrive përkatëse të Kosovës dhe Kishës Ortodokse Serbe. Ata kërkuan që ligji i propozuar të plotësohet me një dispozitë të qartë, e cila do të parandalonte kufizimin e të drejtave të Kishës dhe anashkalimin e mekanizmave ekzistues të mbrojtjes.