Serbia është ngjitur me 17 vende në renditjen e OKB-së për zhvillimin e qeverisjes elektronike
Serbia këtë vit është renditur në vendin e 22-të nga 194 vende të përfshira në hulumtimin më të fundit të Kombeve të Bashkuara për zhvillimin e qeverisjes elektronike. Krahasuar me raportin e mëparshëm, ajo ka përparuar me 17 vende. Drejtori i Zyrës për Teknologji Informative dhe Qeverisje Elektronike të Qeverisë së Serbisë, Mihailo Jovanoviq, vlerësoi se ky është një sukses historik dhe se synimi është që të gjitha shërbimet e administratës publike të jenë të qasshme përmes portalit të qeverisjes elektronike ose telefonit celular.
Jovanoviq shpjegoi se Serbia është renditur edhe më mirë sipas indeksit të zhvillimit të shërbimeve elektronike, duke zënë vendin e 14-të në botë, përpara Gjermanisë, Austrisë, Suedisë dhe Holandës.
“Ne jemi padyshim liderë në rajon, përpara të gjitha vendeve të ish-Jugosllavisë, përpara Greqisë, Italisë dhe Francës”, theksoi Jovanoviq për RTS.
Ai shtoi se Serbia renditet në vendin e 25-të për sa i përket disponueshmërisë së infrastrukturës së telekomunikacionit, ndërsa qëndron disi më dobët sipas indeksit të kapitalit njerëzor, me 84 nga maksimumi prej 100 pikësh.
Sipas Jovanoviqit, çdo ministri e ardhshme duhet të ketë një person përgjegjës për transformimin digjital. Synimi është që të gjitha shërbimet e administratës publike të jenë të qasshme përmes portalit të qeverisjes elektronike ose telefonit celular.
Drejtori i Zyrës theksoi gjithashtu rëndësinë e qendrës shtetërore të të dhënave në Kragujevc, ku edhe kompani si “Oracle” dhe “IBM” i ruajnë të dhënat e tyre mbi baza komerciale. Ai i bëri thirrje qeverisë së ardhshme që, përmes parqeve të teknologjisë informative, të nxisë ardhjen e qendrave të mëdha zhvillimore në Serbi.
Për vazhdimin e zhvillimit të qeverisjes digjitale, siç thekson Jovanoviq, do të jetë e rëndësishme gatishmëria e institucioneve për t'iu qasur transformimit digjital.
“Sigurisht, një detyrë e madhe për qeverinë e ardhshme do të jetë sigurimi i një mbështetjeje të tillë dhe i një ndërgjegjësimi të tillë në të gjitha institucionet. Mendoj se secila nga ministritë e ardhshme duhet të ketë një person të caktuar ose zyrtar që do të merret vetëm me transformimin e mëtejshëm digjital, me synimin që të gjitha shërbimet e administratës publike të jenë të qasshme, qoftë përmes portalit të qeverisjes elektronike, qoftë përmes telefonit celular”, tha Jovanoviq.
0 komentet