Lista Sërbe: Akt i turpshëm i regjimit diktatorial në Prishtinë

Pas ndalimit të hyrjes në Kosovë të patriarkut sërb Porfirije, ka dalë me deklaratë dhe Lista Sërbe ku thuhet se "regjimi antisërb i Albin Kurtit në Prishtinë pas heqjes së të gjitha të drejtave sërbëve të Kosovës dhe Metohisë, represionit të vazhdueshëm ndaj popullit sërb, sot avancoi edhe një hap më shumë duke ndaluar kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Sërbe patriarkun Porfirije të ishte me besimtarët e popullit të tij në kishën e tyre". 

Sic bëhet e ditur në deklaratë "në ditën kur të krishterët në bazë të kalendarit Gregorian festojnë Krishtlindjen dhe luten për paqe, Albin Kurti dhe shërbëtorët e tij nuk kanë lejuar patriarkun sërb të ishte pranë popullit të vet dhe përmes autoritetit të tij, të bënte thirrje për paqe dhe bashkëjetesë në këto hapësira".

"Duke ditur rëndësinë e Kishës Ortodokse Sërbe mes qytetarëve tanë, është e lehtë të kuptohet e gjithë revolta dhe indinjata e çdo ortodoksi për shkak të këtij vendimi të turpshëm dhe aspak të paprovokuar. Lista Sërbe dënon ashpër këtë akt të turpshëm të regjimit diktatorial në Prishtinë dhe u bën thirrje të gjithëve që konsiderohen si luftëtarë për të drejtat e njeriut, të ngrenë zërin dhe të dënojnë këtë sjellje të regjimit represiv në Prishtinë.

Nga Lista Sërbe theksohet se “të gjithë ata hipokritë që flasin për lirinë e lëvizjes në veri, tani kanë mundësinë të dënojnë publikisht heqjen e të drejtës së lëvizjes së lirë të popullit sërb nga Albin Kurti madje edhe patriarkun sërb zotin Porfirie”.

“Heshtja për këtë shkelje të rëndë të të drejtave themelore të popullit sërb, do të jetë njollë në fytyrën e bashkësisë ndërkombëtare dhe mbështetësve dhe luftëtarëve për të drejtat e njeriut”.