Lista Serbe: Arrestimet e serbëve në Gazimestan janë përpjekje për frikësim dhe dëshmi e represionit të Prishtinës
Lista Serbe njoftoi se arrestimet e sotme të serbëve në Gazimestan, gjatë shënimit të Vidovdanit, përbëjnë një përpjekje për frikësim dhe dëshmi të represionit të regjimit në Prishtinë, për të cilat, siç thuhet, janë njoftuar edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë.
Në njoftim thuhet se, sipas informacioneve të përfaqësuesve të partisë që ndodheshin në Gazimestan, Policia e Kosovës ka ndaluar disa serbë pa u dorëzuar asnjë dokument me shkrim që shpjegon arsyet e arrestimit.
“Për këtë veprim, të cilin e konsiderojmë si një përpjekje për frikësim dhe dëshmi të represionit të regjimit në Prishtinë, kemi njoftuar përfaqësuesit ndërkombëtarë, nga të cilët kemi kërkuar të përfshihen urgjentisht dhe të kërkojnë lirimin e të gjithë të arrestuarve”, thuhet në deklaratën e Listës Serbe.
Në njoftim shtohet gjithashtu se të arrestuarve do t’u sigurohet ndihmë juridike.
Policia e Kosovës sot në Gazimestan ndaloi disa dhjetëra persona pas parastosit të mbajtur me rastin e Vidovdanit.
Pas daljes nga kompleksi, pjesëtarët e Policisë së Kosovës veçuan disa persona dhe i mbajtën në një objekt të vogël të montuar, më pas i transportuan me furgonë dhe automjete policore drejt stacionit të policisë.
komentet