Një person i mbështjellë me flamurin shqiptar në Kumanovë ka hequr me dhunë tabelën me stemën e Serbisë
Ambasada e Serbisë në Maqedoninë e Veriut shprehu shqetësim të thellë dhe dënoi ashpër heqjen me dhunë të tabelës nga Konsullata në Kumanovë, duke vlerësuar se ishte një akt vandalizmi dhe shprehu besimin se autori do të zbulohet dhe ndiqet penalisht sa më shpejt, thuhet në deklaratën e kësaj ambasade.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur dje, në orët e vona të mbrëmjes kur një i ri i mbështjellë me flamur shqiptar ka hequr me dhunë një tabelë me stemën kombëtare të Republikës së Serbisë dhe mbishkrimin "Konsullata e Republikës së Serbisë në Kumanovë - Konsull Nderi”, shkruar në serbisht dhe maqedonisht.
“Ambasada e Serbisë në Shkup shpreh shqetësim të thellë për përdhosjen e djeshme të simboleve kombëtare të Serbisë dhe kërcënimin e sigurisë së objekteve të Konsullatës së Serbisë në Kumanovë, posaçërisht duke pasur parasysh faktin se objektet e misioneve diplomatike dhe konsullore dhe objektet rezidenciale të destinuara për anëtarët e stafit diplomatik të Serbisë nuk janë hera e parë që janë objekt vandalizmi në territorin e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftim.
Theksohet se Ambasada e Serbisë është plotësisht e fokusuar në bashkëpunim me autoritetet kompetente të Maqedonisë së Veriut, me qëllim të zbulimit dhe ndjekjes sa më të shpejtë të autorit të një akti të dhunshëm, identiteti i të cilit mund të vërtetohet pa mëdyshje në bazë të pamjeve të kamerave të sigurisë në dispozicion.
“Ambasada e Serbisë mbetet e përkushtuar për të nxitur marrëdhëniet miqësore me Maqedoninë e Veriut dhe shpreh besimin se autoritetet kompetente të vendit pritës, në frymën e marrëdhënieve të zhvilluara dypalëshe dhe fqinjësisë së mirë, do të bëjnë gjithçka për ta zgjidhur këtë rast në mënyrë adekuate”, përfundohet në deklaratë.
0 komentet