OSBE: Vërejtjet e KOS për Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore duhet të merren parasysh

OEBS
Burim: Kosovo Online

Misioni i OSBE-së në Kosovë po e ndjek me kujdes shqyrtimin e Projektligjit për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore në Kuvendin e Kosovës. U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve dhe ligjvënësve që të sigurojnë një proces konsultativ vërtet gjithëpërfshirës me të gjitha palët e interesuara që preken nga ky projektligj, e veçanërisht me komunitetet fetare, thuhet në përgjigjen e OSBE-së për Kosovo online.

Siç theksohet më tej në përgjigjen me shkrim të Misionit të OSBE-së për portalin tonë, duke pasur parasysh se projektligji mund të ketë pasoja për garancitë ekzistuese ligjore dhe të drejtat e komuniteteve fetare, përfshirë Kishën Ortodokse Serbe, është e domosdoshme që vërejtjet e tyre të dëgjohen dhe, aty ku është e përshtatshme, të përfshihen në tekstin përfundimtar të ligjit, në mënyrë që të sigurohet përputhshmëria e tij e plotë me detyrimet ekzistuese kushtetuese.

“Misioni konsideron se Këshilli për Zbatim dhe Monitorim, i themeluar në bazë të Ligjit për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, është forumi i duhur për shqyrtimin e pasojave që projektligji mund të ketë për regjimin e mbrojtjes së zonave të veçanta të mbrojtura. Misioni u bën thirrje bashkëkryesuesve të Këshillit për Zbatim dhe Monitorim që ta mbledhin sërish këtë organ për të shqyrtuar këtë çështje, si dhe çështje të tjera”, thuhet në përgjigjen e OSBE-së.

Më tej shtohet se Misioni u bën thirrje të gjithë përfaqësuesve politikë që të flasin me përmbajtje dhe respekt për trashëgiminë kulturore dhe komunitetet fetare.

“Një qasje e tillë kontribuon në krijimin e një mjedisi më tolerant dhe gjithëpërfshirës, të përshtatshëm për dialog. Retorika që veçon një komunitet të caktuar fetar mbart rrezikun e rritjes së tensioneve dhe cenimit të besimit ndërmjet komuniteteve”, thuhet në fund të përgjigjes.