Radosavleviq për ligjin për Inspektoratin e Trashëgimisë Kulturore: Në shënjestër Kisha Ortodokse Serbe, vendet tona të shenjta dhe mbijetesa jonë

Jovana Radosavljević
Burim: Kosovo Online

Deputetja e Listës Serbe, Jovana Radosavleviq, theksoi se ligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore, i cili u miratua në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës, ndërhyn drejtpërdrejt në çështjen e mbrojtjes së vendeve të shenjta ortodokse serbe në Kosovë, ndërsa paralajmëroi se kjo parti, para leximit të dytë, do të paraqesë amendamente dhe do të shfrytëzojë të gjitha mjetet ligjore, institucionale dhe politike që ka në dispozicion.

“Mbrëmë, rreth orës dy pas mesnate, kur në sallën e Kuvendit nuk kishte më as media dhe as vëzhgues, në lexim të parë u miratua Projektligji për Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore. Një ligj që ndërhyn drejtpërdrejt në çështjen e mbrojtjes së vendeve të shenjta ortodokse serbe në Kosovë dhe Metohi”, theksoi Radosavleviq, e cila është edhe përfaqësuesja e vetme serbe në Komisionin për Kulturë, Turizëm, Sport dhe Rini.

Ajo theksoi se nuk qëndron pretendimi i ministres, e cila në sallë kishte shpjeguar se bëhet fjalë për një ligj “procedural” dhe se ai ka të bëjë vetëm me themelimin e një agjencie.

Radosavleviq shpjegoi se me këtë ligj, inspektori fiton të drejtën të ndalojë punimet në manastiret dhe kishat serbe, të ndalojë restaurimin e tyre dhe të kërkojë anulimin e lejeve në zonat e veçanta të mbrojtura.

“Askund nuk përmendet mbrojtja që sot gëzojnë Manastiri i Deçanit, Patriarkana e Pejës, Graçanica dhe Kisha e Shën Premtes në Prizren. Askund nuk përmendet Kisha Ortodokse Serbe dhe as e drejta e saj për t'u konsultuar lidhur me atë që ndodh rreth vendeve të saj të shenjta. Nuk përmendet as mekanizmi përmes të cilit mosmarrëveshjet zgjidhen me pjesëmarrjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë. Shkurtimisht: për atë se çfarë i lejohet Kishës Ortodokse Serbe të bëjë në vendet e saj të shenjta do të vendosë një inspektor që i përgjigjet ministrisë në Prishtinë. Masat e tij hyjnë në fuqi menjëherë, ankesa nuk e pezullon zbatimin e tyre, ndërsa për ankesën vendos po ajo ministri”, theksoi Radosavleviq.

Kjo, shtoi ajo, do të thotë se Kisha Ortodokse Serbe do të mbetet pronare në letër, por nuk do të mund të kujdeset lirisht për vendet e saj të shenjta.

“Dhe e gjithë kjo pa konsultime me Kishën”, nënvizoi ajo.

Ajo theksoi gjithashtu se mënyra se si është zhvilluar i gjithë procesi flet mjaftueshëm:

“Mbledhja u caktua pa pëlqimin e Kryesisë, e cila nuk kishte as kuorum. Kërkuam që kjo pikë të hiqej nga rendi i ditës. Na mbivotuan. Pastaj pritën deri në orën dy të mëngjesit, ndoshta duke llogaritur se në atë kohë nuk do të ishim në sallë. Por ishim”.

Radosavleviq bëri të ditur se edhe gjatë fjalimit të saj në Kuvend kishte theksuar se për një ligj të tillë duhet të votohet sipas nenit 81, i cili kërkon edhe pëlqimin e deputetëve të komuniteteve joshumicë, pasi kjo nuk është privilegj politik, por mekanizëm kushtetues për mbrojtjen nga mbivotimi.

Megjithatë, kërkesa e saj nuk u mor parasysh.

“Votimi vazhdoi sikur të bëhej fjalë për një ligj të zakonshëm, me shumicë të thjeshtë. Në fund pati 62 vota pro, tetë votat tona kundër dhe një abstenim”, shtoi Radosavleviq.

Ajo vlerësoi se Vetëvendosje nuk po përpiqet më as ta fshehë atë që dëshiron.

“Në shënjestër janë Kisha Ortodokse Serbe, vendet tona të shenjta, zonat e mbrojtura dhe, në fund, mbijetesa jonë këtu”, paralajmëroi ajo.

Ajo theksoi gjithashtu se garancitë që ekzistojnë sot nuk janë krijuar rastësisht, por pikërisht për të mbrojtur nga mbivotimi dhe fshirja e identitetit serb.

“Mbrëmë pamë se sa të nevojshme janë ato dhe sa lehtë anashkalohen kur askush nuk po shikon. Nëse këto garanci mund të anashkalohen me një votim në orën dy pas mesnate, atëherë me të drejtë shtrohet pyetja se sa vlejnë të gjitha garancitë e tjera që na janë dhënë”, deklaroi Radosavleviq.

Ajo bëri të ditur se Lista Serbe do të paraqesë amendamente.

“Ne do ta vazhdojmë këtë luftë. Para leximit të dytë do të paraqesim amendamente, do të këmbëngulim në respektimin e procedurave kushtetuese dhe do të shfrytëzojmë të gjitha mjetet ligjore, institucionale dhe politike që kemi në dispozicion. Dhe nuk do të heshtim ndërkohë që, nën pretekstin e reformave administrative, po çmontohen mekanizmat që mbrojnë identitetin dhe ekzistencën tonë”, përfundoi Radosavleviq.

Edhe Lista Serbe, më herët gjatë ditës së sotme, në një komunikatë kritikoi miratimin e projektligjit në lexim të parë, duke theksuar se me këtë akt inspektoratit i jepen kompetenca të gjera, ndërsa nuk garantohet qartë respektimi i të drejtave pronësore të Kishës Ortodokse Serbe dhe i ligjeve që mbrojnë statusin e veçantë të kishës dhe pronën e saj.

Për këtë çështje foli dje në Kuvend edhe shefi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Igor Simiq, duke kërkuar që ky projektligj të mos përfshihej në rendin e ditës. Ai deklaroi se ligji prek interesat e popullit serb, i cili as nuk ishte konsultuar për këtë çështje.