Radojeviq: Policia vëzhgoi në heshtje thyerjen e vitrinave në Mahallin e Boshnjakëve

Milan Radojević
Burim: Kosovo Online

Anëtari i Shtabit të Krizave, Millan Radojeviq, ka thënë se pronarët e dyqaneve, të cilëve u janë thyer vitrinatat mbrëmë në Mahallin e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës, kanë tentuar t'i ndalojnë vandalët, të cilët kanë gjuajtur me kapsolla topi dhe kanë ikur në drejtim të Mitrovicës Jugore.

Radojeviq ka theksuar se lëvizjet e fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nuk i kontribuojnë stabilitetit në veri të Kosovës.

“Mitrovica e Kosovës është i vetmi qytet multietnik në Kosovë dhe Metohi dhe të gjithë kemi investuar shumë përpjekje dhe energji për ta ruajtur atë multietnicitet. Mirëpo, veprimet e fundit të Kurtit dhe dërgimi i policëve në veri të Kosovës nuk i kontribuojnë stabilitetit dhe shembull për këtë është rasti që ndodhi mbrëmë. Për shkak se policët edhe pse ishin 10 metra larg lokalit nuk kanë reaguar, në heshtje kanë vëzhguar personat që janë larguar në drejtim të pjesës jugore të Mitrovicës”, tha Radojeviq.

Ai tha se serbët në Kosovë nuk janë kërcënim për askënd dhe u bëri thirrje të gjithëve të tregohen të përmbajtur.

“U bëjmë thirrje qytetarëve të Mitrovicës së Veriut, por edhe të gjithë serbëve nga veriu i Kosovës, për paqen, vetëpërmbajtjen, që të mos bien në provokime, dhe në mënyrë paqësore dhe dinjitoze, siç kemi bërë gjithmonë, të mbrojmë të drejtën tonë për liri dhe qëndrim në këto zona”, ka shtuar Radojeviq.