Riho Teras, raportuesi i ri i PE për Kosovën
Eurodeputeti estonez, gjenerali dhe ish-komandanti i ushtrisë estoneze Riho Teras me shumë gjasa do të jetë raportuesi i ri i Parlamentit Evropian për Kosovën, ka mësuar Kosovo online nga burime diplomatike.
Riho Teras është një politikan estonez dhe ish-oficer ushtarak i cili ka qenë anëtar i Parlamentit Evropian që nga 1 shkurti 2020. Ai ishte komandant i Forcave të Mbrojtjes të Estonisë nga 2011 deri në 2018, dhe u gradua gjeneral në vitin 2017.
Ai u zgjodh anëtar i Parlamentit Evropian në vitin 2019. Në këtë mandat aktual të Parlamentit Evropian, Riho Teras është kreu i delegacionit kombëtar të grupit EPP (Partia Popullore Evropiane) për Estoninë. Është anëtar i Komisionit për Industri, Kërkim dhe Energji dhe zëvendës anëtar i Komisionit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.
Ai këtë vit u zgjodh anëtar i delegacionit për marrëdhëniet me Bosnje-Hercegovinën dhe Kosovën, duke përfshirë Komitetin Parlamentar BE-Bosnjë dhe Hercegovinë për Stabilizim dhe Asociim dhe Komitetin Parlamentar BE-Kosovë për Stabilizim dhe Asociim.
Në dy mbledhjet e mëparshme të Parlamentit Evropian, Partia Popullore caktoi një raportues për Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën, Social Demokratët për Shqipërinë dhe Malin e Zi, Liberalët për Maqedoninë e Veriut dhe të Gjelbrit për Kosovën.
Teras do të zëvendësojë eurodeputeten gjermane Viola von Kramon, e cila është në atë pozicion që nga viti 2019.
komentet