Simiq: Nuk kam absolutisht asnjë lidhje me sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviq

SLAVKO SIMIĆ I DEJAN VASIĆ
Burim: Kosovo Online

Deputeti i Listës Serbe, Slavko Simiq, i cili akuzohet nga Prokuroria në Mitrovicën e Veriut për sulmin ndaj gazetarëve në Leposaviq në vitin 2023, tha sot pas seancës paraprake në Gjykatën Themelore në Mitrovicën e Veriut se nuk ka asnjë lidhje me atë rast dhe se është absolutisht i pafajshëm.

"Nuk kam absolutisht asnjë lidhje me atë rast dhe jam absolutisht i pafajshëm. Sigurisht, në procedurat e mëtejshme, kur të vijë koha, do të deklarohem si i tillë. Unë jam dikush, jeta dhe misioni politik i të cilit ka qenë gjithmonë të bëjë thirrje për paqe, bashkëjetesë, dialog dhe zgjidhjen e të gjitha problemeve përmes institucioneve dhe asnjë mënyre tjetër", theksoi Simiq para gazetarëve.

Ai shpjegoi se parimet e tij themelore dhe kodi politik bazohen në respektin për punën gazetareske.

"Parimet e mia themelore dhe kodi im politik bazohen në faktin se një gazetar është i shenjtë dhe se askush nuk duhet ta prekë një gazetar, dhe kështu i kam trajtuar gazetarët si në veri ashtu edhe në jug. Sa herë që kam hasur gazetarë shqiptarë në veri, gjatë protestave të viteve të fundit, gjithmonë kam ardhur në ndihmë dhe kam ofruar mbështetje si në aspektin teknik ashtu edhe në çdo kuptim tjetër", tha ai.


Simiq shtoi se e kishte dënuar publikisht këtë sulm më parë, dhe se vazhdon ta bëjë këtë edhe sot.

"Nuk kam absolutisht asnjë lidhje me këtë incident. Dhe pastaj e deklarova dhe e dënova publikisht atë sulm. Dhe, sigurisht, këtu sot para kësaj gjykate themelore këtu në Mitrovicë deklaroj publikisht dhe e dënoj fuqishëm sulmin ndaj gazetarëve dhe ekipeve gazetareske. Ju kërkoj të raportoni në mënyrë transparente për këtë proces që do të zhvillohet kundër meje", theksoi Simiq.

Në fund, ai tha se drejtësia dhe e vërteta janë në anën e tij dhe se beson se do ta provojë këtë.

"Nuk frigohem për asgjë, nuk kam frikë nga asgjë, jam absolutisht i pafajshëm. Drejtësia dhe e vërteta janë në anën time dhe jam i bindur se do ta vërtetoj drejtësinë dhe të vërtetën", tha Simiq.

Gjyqi i deputetit të Listës Serbe, Slavko Simiq dhe Urosh Vukashinoviq, të cilët u akuzuan për sulm ndaj gazetarëve në vitin 2023 në Leposaviq, u shty në Gjykatën Themelore në Mitrovicën e Veriut deri më 9 tetor, sepse dosjet e çështjes në gjuhën serbe nuk u ishin dorëzuar avokatëve të të akuzuarve.