Sorensen: Thelbi i dialogut është arritja e kompromisit, procesi duhet të vazhdojë
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, tha se ka diskutuar me liderët e Kosovës se si mund të vazhdojë dhe të ecë përpara procesi i dialogut dhe e vlerësoi vizitën e sotme si një fillim të mbarë.
Ai, pas takimeve me Osmani, Kurti dhe Bislimi, theksoi se dialogu duhet të vazhdojë dhe se pas vizitës në Prishtinë dhe Beograd do të bëjë një vlerësim se ku ndodhet dialogu.
"Siç e dini, kjo është udhëtimi im i parë këtu që kur kam marrë këtë pozitë. Pra, ky është një takim hyrës dhe kemi diskutuar se si mund të vazhdojë dhe të ecë përpara procesi. Kemi një fillim të mirë. Qëllimi është që procesi të vazhdojë dhe të ecë përpara. Aktualisht, qëllimi im është të bisedoj me njerëzit dhe të shoh se ku qëndrojnë ata në lidhje me pozicionin. Kam bashkëbisedues në Prishtinë, por gjithashtu duhet të shkoj edhe në Beograd. Kur t’i përfundoj këto biseda, do të mund të ulem dhe të vlerësoj se ku ndodhemi. Megjithatë, është shumë e qartë se procesi i dialogut ka sjellë një sërë zhvillimesh të rëndësishme dhe mbi këtë duhet të ndërtojmë më tej", tha Sorensen.
Kur u pyet se pse zgjodhi 17 marsin për të vizituar Kosovën, Sorensen u përgjigj se erdhi sa më shpejt që të mundej.
“Koha e ardhjes sime këtu përcaktohet nga kalendari. Erdha kur njerëzit ishin në dispozicion për takime. Sapo fillova të punoja dhe erdha sa më shpejt që munda”, tha ai.
Sa i përket mbylljes së institucioneve serbe në Kosovë, Sorensen theksoi se duhet të sigurohet që njerëzit të marrin shërbime.
“Duhet të punojmë për këtë dhe të sigurojmë që njerëzit të marrin shërbime në mënyrën më të mirë të mundshme. Kjo është ajo për të cilën do të punojmë,” tha Sorensen.
Siç shtoi ai, thelbi i dialogut është arritja e kompromisit, por u takon palëve që të vendosin për këtë.
“Dialogu ka të bëjë me sigurimin që palët të takohen. Nëse do të bëjnë kompromise apo jo, kjo është çështje e tyre. Por dialogu – kjo është esenca e tij dhe ne e udhëheqim atë që nga viti 2011. Unë jam përfaqësues dhe po bëj punën time, kështu që gjërat qëndrojnë kështu për momentin,” përfundoi Sorensen.
0 komentet