Spiropali: Protestat në Prishtinë konfirmuan pakënaqësinë gjithëshqiptare për padrejtësinë historike
Burim: Facebook
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka vlerësuar se protestat e organizuara nga Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të mbajtura në Prishtinë, ishin masive dhe konfirmuan pakënaqësinë gjithëshqiptare për padrejtësinë historike, si dhe mbështetjen për ish-udhëheqësit e UÇK-së.
“Protestat masive në Prishtinë konfirmuan sërish pakënaqësinë e thellë gjithëshqiptare për padrejtësinë historike, si dhe mbështetjen për ish-udhëheqësit e UÇK-së, të cilët, në kundërshtim me çdo standard ligjor, ndërkombëtar, moral, logjik dhe njerëzor, mbahen të mbyllur në Hagë”, ka shkruar Spiropali në Facebook.
Siç ka shtuar ajo, fakti që ish-liderët e UÇK-së ndodhen në Hagë është “një akt kundër ligjit, kundër lirisë, një abuzim me sovranitetin e një shteti të pavarur dhe demokratik”.
“Drejtësia nuk mund të rrëzohet, viktimat nuk mund të shpallen agresorë, dhe agresorët nuk mund të shiten si viktima”, ka theksuar Spiropali.
0 komentet