Staroviq: Serbia mbetet në rrugë të qëndrueshme drejt BE-së, raporti për reformat deri më 15 korrik
Ministri për Integrime Evropiane i Serbisë, Nemanja Staroviq, theksoi se, pavarësisht procedurave të rrepta dhe presioneve politike, Serbia mbetet në një rrugë të qëndrueshme drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke u përqendruar në zbatimin e reformave kyçe, transmeton “Euronews Serbia”.
Staroviq hodhi poshtë si pak të mundshëm skenarin sipas të cilit fondet nga Plani i Rritjes i BE-së mund të ridrejtohen te të ashtuquajturit “liderë të procesit”, si Mali i Zi apo Shqipëria.
Ai theksoi se Serbia ka realizuar me sukses një numër të madh hapash nga agjenda e reformave, afati shtesë (grace period) i së cilës përfundoi në fund të muajit qershor.
“Për këtë do t’i paraqesim raport Komisionit Evropian jo më vonë se më 15 korrik, pas së cilës Komisioni do të nisë procesin e verifikimit të burimeve dhe do të miratojë disbursimin e fondeve të destinuara për Serbinë”, tha Staroviq për “Euronews Serbia”.
Edhe pse në parim ekziston mundësia që fondet e shteteve që nuk respektojnë afatet t’u rialokohen vendeve të tjera – siç ndodhi me Bosnjë e Hercegovinën, së cilës iu pezulluan 108 milionë euro – ministri siguron se Serbia nuk ndodhet në një situatë të tillë.
“Besoj se, duke pasur parasysh atë që kemi bërë, veçanërisht gjatë këtij afati të fundit prej një ose dy muajsh, nuk do të përballemi me një situatë të tillë”, tha Staroviq.
Duke folur për seancën e ardhshme të Parlamentit Evropian në Strasburg dhe raportin që vlerësohet si kritik ndaj Serbisë, Staroviq tha se pritjet për rezolutën janë realiste, duke pasur parasysh profilin e autorëve të saj, përfshirë raportuesin Tonino Picula.
“Ne jemi të përqendruar në përgatitjen e raportit vjetor të Komisionit Evropian, i cili mbulon periudhën deri më 1 shtator. Ky dokument ka shumë më tepër peshë, rëndësi dhe ndikim. Besoj se ai do të jetë dukshëm më pozitiv dhe më konstruktiv se raportet e mëparshme, pikërisht falë vrullit reformues që kemi nisur”, theksoi Staroviq.
Ministri shtoi se zbatimi i rekomandimeve të Komisionit të Venecias u bë me vetëdije në momentin e fundit për të treguar përkushtim, por pranoi se klima politike në Parlamentin Evropian shpesh varet nga grupimet ideologjike.
Duke komentuar ndryshimin e tonit në Bruksel dhe debatet e ashpra në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Staroviq tha se gjatë dy viteve të fundit është vërejtur një prirje negative që buron nga zhvillimet politike në Serbi.
Sipas tij, grupime si socialdemokratët, të gjelbrit apo liberalët shpesh i ndërtojnë qëndrimet e tyre mbi informacionet që marrin nga partnerët e tyre politikë në opozitën serbe.
“Megjithatë, është e qartë se një numër i konsiderueshëm eurodeputetësh i ndjek me vëmendje zhvillimet dhe i vlerëson pozitivisht reformat e zbatuara. Këtu kam parasysh paketën e ligjeve për drejtësinë të harmonizuar me Komisionin e Venecias, paketën e ligjeve zgjedhore në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it, si dhe zgjidhjen e çështjes së rregullimit të skenës mediatike përmes zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të REM-it”, tha ministri.
Sipas vlerësimit të Staroviqit, të gjithë këta hapa kontribuojnë në krijimin e një atmosfere “optimizmi të moderuar dhe të kujdesshëm”, se në pjesën formale të procesit negociues për anëtarësimin mund të ketë përparime të rëndësishme.
Staroviq ndodhet sot në Bruksel, së bashku me kryetaren e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Financave, Sinisha Mali, si dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Marko Gjuriq, ku marrin pjesë në aktivitetin “Vrulli i reformave në Serbi: Nga përkushtimi te zbatimi”, të organizuar nga Qeveria e Serbisë dhe Misioni i Serbisë pranë Bashkimit Evropian.
Në këtë aktivitet do të prezantohen rezultatet e procesit të reformave dhe përparimi që Serbia ka arritur në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ky është vetëm i pari në një seri aktivitetesh të planifikuara në kryeqytetet evropiane, me qëllim prezantimin e arritjeve të Serbisë deri më tani.
“Kjo është një mundësi e mirë që përfaqësuesve të mediave të huaja, instituteve dhe organizatave think tank t’ua paraqesim faktet në mënyrën e duhur. Ne duam të konfirmojmë përkushtimin e Qeverisë dhe të shumicës parlamentare për vazhdimin e reformave, të cilat duhet të rezultojnë me përparim vendimtar të Serbisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Staroviq dhe shtoi se në Bruksel nuk zhvillohet vetëm një betejë administrative për fondet, por edhe një betejë politike për perceptimin e Serbisë si një shtet modern dhe reformues, i gatshëm të marrë përsipër detyrimet që sjell anëtarësimi i plotë në familjen evropiane të kombeve.
0 komentet