Vuçiq: Është e qartë se pranë kujt qëndron populli serb në KdheM

Vučić
Burim: Instagram

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, theksoi sot se serbët në Kosovë në zgjedhjet e djeshme treguan qartë se ku e shohin veten, vendin e tyre dhe si dëshirojnë që problemet e tyre të zgjidhen në të ardhmen.

“I uroj popullit tonë dhe jam pafundësisht mirënjohës serbëve në Kosovë dhe Metohi që me një shumicë të jashtëzakonshme konfirmuan se ku e shohin veten, vendin e tyre dhe si dëshirojnë që problemet e tyre të zgjidhen në të ardhmen. Serbët, me pothuajse 43.000 vota, i dhanë besimin Listës Serbe, ndërsa pak më pak se 3.000 vota mori një tjetër parti, gjoja serbe, por në fakt shqiptare, përkatësisht lista e Kurtit, gjë që as nuk e kanë fshehur”, tha Vuçiq në TV Pink.

Ai theksoi se, në kushte pothuajse të pamundura, Lista Serbe ka marrë 14 herë më shumë vota dhe se për këtë duhet t’u urohet qytetarëve për këmbënguljen e tyre.

“Kështu votuan serbët. Më pas filluan të vinin votat e atyre që nuk janë serbë, të cilat duhej të siguronin jo një, por, siç shpresonin ata, tre mandate, për ta ndihmuar Kurtin të formonte qeverinë”, shpjegoi Vuçiq.

Ai tha se ajo parti ka marrë vota në Prizren, Kaçanik dhe Gllogoc, vende ku, sipas tij, nuk ka serbë prej 30 vitesh, në zemër të Drenicës.

“Vetëm se pasardhësit e Adem Jasharit nuk votuan kundër Listës Serbe. Ose ndoshta votuan... Në të gjitha këto vende ata morën dhjetëra dhe qindra vota për të siguruar një mandat. Kjo nuk është inxhinieri politike, por vjedhje e pastër. Është paraparë që serbët të kenë dhjetë vende, jo që të tjerët të votojnë në vend të tyre. Diçka e ngjashme ka ndodhur edhe në Bosnje dhe Hercegovinë”, nënvizoi Vuçiq.

Ai tha se sheh që Marta Kos dhe Kaja Kallas janë shumë të kënaqura me këto zgjedhje, për çka, siç shtoi me ironi, “ua uron demokracinë”, në të cilën arrestohen punonjës të arsimit dhe të shëndetësisë.

“Por, mbi të gjitha, i uroj popullit tonë, i cili tregoi qartë se ku qëndron. I kam uruar Zlatan Elekut dhe të tjerëve. Faleminderit këtyre njerëzve që ruajnë emrin dhe mbiemrin serb. Ne do të vazhdojmë t’i ndihmojmë dhe të luftojmë për ta dhe për vendin tonë”, theksoi Vuçiq.

Ai shtoi se diferenca tani është edhe më e madhe krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit, sepse Lista Serbe ka marrë më shumë vota pavarësisht daljes më të ulët në votime, ndërsa partia tjetër ka marrë dukshëm më pak.