Gjorçev: Shkupi duhet të gjejë mënyrë që ta përjashtojë kontestin me Sofjen nga procesi i anëtarësimit në BE
Bllokada bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë, sepse kërkesat e Sofjes do të mbeten maksimaliste, duke pasur parasysh se si problem paraqiten kultura dhe identiteti, është i bindur ish-ambasadori maqedonas në Sofje, Marjan Gjorçev. Ai thekson se i takon Shkupit të gjejë një mënyrë për ta izoluar këtë kontest dypalësh përmes rrugës evropiane dhe për të shmangur përfshirjen e tij në procesin e anëtarësimit në BE.
Gjorgçev kujton se mosmarrëveshja midis Shkupit dhe Sofjes zgjat më shumë se 140 vjet, prandaj në fakt nuk është më thjesht një kontest.
“Është e ashtuquajtura çështje maqedonase, siç e trajton Bullgaria, e cila është shqyrtuar në Traktatin e Paqes së Bukureshtit, në Traktatin e Versajës dhe në Jaltë. Në këtë kontekst, ajo do të vazhdojë, nuk mund të zgjidhet”, tha Gjorgçev për Kosovo online.
Në këtë kuptim, ai vuri në dukje se incidenti i fundit në Shkup, kur u dogjën dy automjete të Ambasadës së Bullgarisë, në asnjë mënyrë nuk i shkon për shtat Maqedonisë së Veriut.
“Ky moskuptim do të zgjasë gjatë dhe ne duhet të jetojmë me të. Ata janë fqinjët tanë, fqinjë të afërt nga lindja, dhe duhet të jetojmë e të bashkëpunojmë me ta. Prandaj nuk ka rrugë tjetër veçse të kërkojmë zgjidhje, mënyra dhe tema për të cilat mund të bisedohet. Kjo është rruga”, këshillon Gjorçev.
I pyetur nëse marrëdhëniet mes dy vendeve janë tani më të këqijat në histori, ai përgjigjet se nuk do ta thoshte kështu.
“Do të thosha se pas formimit të Republikës Federative Popullore të Maqedonisë, shtetit maqedonas në kuadër të Jugosllavisë, nga viti 1946 deri në vitin 1958 marrëdhëniet ishin në një nivel shumë të lartë, kur rryma maqedoniste në Bullgari ishte shumë e fortë. Kishim autonomi kulturore për maqedonasit në Bullgari; në dy regjistrimet e popullsisë, në vitet 1946 dhe 1956, kishte më shumë se 170.000 maqedonas, qytetarë bullgarë me vetëdije maqedonase. Kjo u përkeqësua në vitin 1958 në plenumin e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bullgarisë, ndërsa në vitin 1963 maqedonasit tashmë ishin fshirë në Bullgari. Mendoj se periudha nga viti 1963 deri në vitin 1989 ishte më kritike”, vlerëson Gjorgçev.
Ai shton se më pas, në Republikën e pavarur të Maqedonisë, disa gjëra u korrigjuan me marrëveshjen e vitit 1999, por situata u përkeqësua me marrëveshjen e gushtit 2017, kur sipas tij u nënshkrua një dokument që favorizonte interesat bullgare.
“Pushteti ynë i atëhershëm, më saktësisht kryeministri Zoran Zaev dhe ministri Nikola Dimitrov, bënë një gabim të tmerrshëm. Ata u tërhoqën përballë kërkesave shekullore bullgare, ndërsa nuk ruajtën interesat maqedonase në atë kanal të ndërsjellë bullgaro-maqedonas”, thekson Gjorgçev.
I pyetur nëse sheh një dalje nga ky rreth vicioz, pra një zhbllokim të bllokadës bullgare ndaj Maqedonisë, ai thotë se ajo do të vazhdojë në një formë ose në një tjetër.
“Kërkesat e tyre do të jenë maksimaliste. Ata nuk do të heqin dorë nga analiza e tyre 140-vjeçare dhe nga krijimi i politikave ndaj çështjes maqedonase. Nuk do të tërhiqen nga kjo. Detyra jonë është të gjejmë një mënyrë për ta izoluar këtë kontest dypalësh përmes rrugës evropiane, pasi ai nuk duhet të jetë pengesë në procesin e zgjerimit”, konsideron Gjorgçev.
Ai thekson se, nëse kjo do të ishte pengesë për Shkupin, atëherë as Ukraina, as Moldavia, e më parë as Qiproja, Letonia dhe Estonia nuk do të kishin hyrë kurrë në Bashkimin Evropian.
“Dhe kjo tregon se ne duhet të kërkojmë një mënyrë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian pa këtë kontest dypalësh, qoftë në një procedurë graduale apo plotësisht. Në çdo rast, duhet të shmangim futjen e kontestit dypalësh në procesin e zgjerimit, sepse në acquis-në evropiane nuk ka vend për çështje dypalëshe apo identitare. Ajo që Bullgaria paraqet si problem janë historia, kultura, identiteti dhe krijimi i shtetit. Këto nuk janë tema që mund të ndikojnë në procesin e zgjerimit. Nëse do të ishte kështu, me konteste dypalëshe asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk do të kishte shans të hynte në BE. Ne jemi letra e lakmusit që mund të tregojë se, nëse çështja shihet drejt dhe kontesti dypalësh përjashtohet nga procesi i zgjerimit, kjo do të jetë një sinjal për të hapur me Bullgarinë një rrugë tjetër, tema të tjera bisede, si Korridori 8, kalimi kufitar Klepalo, ekologjia, energjetika. Gjithçka që nënkupton përparim, e jo kthim në të kaluarën”, përfundoi Gjorçev.
0 komentet