Onkologët: Po rritet numri i të sëmurëve nga kanceri në Kosovë, nuk është vërtetuar asnjë lidhje me bombardimet e NATO-s
Çdo vit numri i të sëmurëve me kancer në Kosovë rritet për 10 deri në 15 për qind, ka thënë për Kosova Online, Ilir Kurtishi, drejtor i Klinikës Onkologjike QSK në Prishtinë, duke paralajmëruar se numri i të sëmurëve me kancer mund të shkojë deri në 2500 këtë vit.
Dr. Kurtishi thotë se në Klinikën e Onkologjisë në Prishtinë kalojnë rreth 450 deri në 500 pacientë çdo ditë, se rreth 300 persona aktualisht janë duke marrë kimioterapi dhe se më shumë se 170 persona janë duke u trajtuar me radioterapi.
“Në Kosovë femrat dominohen nga kanceri i gjirit. Më shumë se 400 gra sëmuren çdo vit dhe katër ose pesë raste u regjistruan te burrat. Tek meshkujt mbizotëron kanceri i mushkërive. Në pozicionin e dytë kemi kancerin e zorrës së trashë si te meshkujt ashtu edhe te femrat, pasuar nga tumoret e organeve gjenitale – mitrës, vezoreve dhe qafës së mitrës”, shpjegon Kurtishi.
Klinika e onkologjisë është e pajisur mirë, pohon bashkëbiseduesi ynë.
“Ne i trajtojmë pacientët në Prishtinë, e kemi të gjithë terapinë e nevojshme me kimioterapi për linjën e parë, të dytë dhe të tretë ose me radioterapi. Për dy vitet e fundit ne kemi trajtuar të gjitha tumoret, kemi një aparat brakiterapie, dhe kemi dy akseleratorë të rinj me të cilët bëjmë VMAT dhe MRT dhe do të fillojmë radioterapinë stereotaksike. Numri i pacientëve që dërgojmë jashtë vendit është shumë i ulët, shtatë deri në tetë pacientë në vit”, tha Kurtishi, duke shtuar se në mesin e pacientëve ka edhe serbë, por në numër më të vogël.
Në pyetjen se a është rritur numri i të sëmurëve nga kanceri që nga bombardimet e vitit 1999, Kurtishi thekson se Klinika e Onkologjisë është hapur në vitin 2010 dhe se para kësaj kohe nuk kanë të dhëna.
Shefja e Departamentit të Radioterapisë në Klinikën Onkologjike të Qendrës Spitalore Klinike në Prishtinë, Dr. Sonja Blakaj, thekson se kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga bombardimi dhe se nuk është vërtetuar se çfarë ndikimi të drejtpërdrejtë ka në shfaqja e sëmundjeve malinje.
“Është e sigurt që bombardimet kanë pasur ndikim në fenomenin më të madh, por që nga viti 1999 kanë kaluar 20 vjet e më shumë. Ka shumë ndikime të tjera të jashtme që ndikojnë ne dhe shëndetin tonë, ndotja, uji, toka, përdorimi i kimikateve në bimët, mendoj se kjo është një arsye më e madhe për shfaqjen e sëmundjeve malinje sesa bombardimet, të cilat nuk janë vërtetuar kurrë. Sigurisht që nuk është mirë, megjithatë nuk është vërtetuar, por nëse vërtet shkakton një numër më të madh të sëmundjeve malinje tani, kanë kaluar shumë vite, ndaj nuk do ta lidhja me këtë”, thekson dr. Blakaj.
Është e vërtetë, pohon ajo, se dy vitet e fundit numri i të sëmurëve me kancer ka ardhur në rritje.
“Të gjitha ia atribuojmë kohës së koronës. Kishim dy vite kur pacientët nuk vinin për ekzaminime, kështu që mendoj se numri është pak më i lartë tani, në përputhje me rrethanat”, tha Blakaj.
Ajo thekson se kanceri është i shërueshëm nëse zbulohet në kohë dhe i kërkon popullatës që të kontrollojë rregullisht shëndetin e tyre.
“Kur bëhet fjalë për gratë dhe ekzaminimet parandaluese, ekografia dhe mamografia, ato vijnë edhe kur nuk kanë simptoma, kjo është mirë, që edhe nëse ka një sëmundje malinje, mund të zbulohet në një fazë të hershme, kjo do të thotë se kemi një lloj trajtimi më të lehtë, më të shkurtër, më të lirë dhe në çdo rast mbijetesë të lartë. Trajtimi për gratë e diagnostikuara me kancer në një fazë të hershme është shumë më i lehtë. Ata mund t'i kthehen punës shumë shpejt, në 85 deri në 95 për qind të rasteve që zbulohen në fazat e hershme janë të shërueshme”, tha Blakaj.
Se numri i pacientëve onkologjikë në Kosovë po rritet edhe në zonat serbe konfirmon për Kosovo online drejtori i Qendrës Shëndetësore “Gushterica e Poshtme”, Sasha Mlladenoviq.
“Me vetë faktin që punojmë në kujdesin parësor shëndetësor, kemi komunikim me Fondin Republikan të Sigurimeve Shëndetësore dhe në bazë të numrit të pacientëve që dërgojmë në institucionet në Serbinë qendrore, ku trajtohen, vërejmë se ky numër është në rritje, se është më i lartë se më parë”, pohon doktor Mlladenoviq.
Dhe doktor Mlladenoviq nuk dëshiron të thotë nëse rritja e numrit të të sëmurëve nga kanceri në Kosovë ka lidhje me bombardimin e vitit 1999, duke shpjeguar se me të merren ekspertë.
“Ka studime që thonë se rritja e të sëmurëve me kancer është rritur pas bombardimeve, pra pas atij përqendrimi të lartë të uraniumit në ajër. Ne e dimë se rrezatimi është një nga faktorët e rrezikut për këtë kancerogjenezë. Pra, ndoshta ka një korrelacion sa i përket rritjes së numrit të pacientëve”, thekson dr. Mlladenoviq dhe paraqet të dhëna të ngjashme si ekspertët shqiptarë.
“Femrat më së shpeshti sëmuren nga kanceri i gjirit, më pas nga kanceri i zorrës së trashë, i mushkërive dhe i qafës së mitrës. Burrat më së shpeshti sëmuren nga kanceri i mushkërive, pasuar nga kanceri i zorrës së trashë dhe i prostatës”, thotë doktor Mlladenoviq.
Për shkak të shërbimeve më të mira shëndetësore dhe kujdesit adekuat, pacientët onkologjikë nga komunitetet serbe në Kosovë dërgohen në institucionet shëndetësore në territorin e Serbisë qendrore.
“Këto janë zakonisht institucione shëndetësore të nivelit terciar, Qendra Klinike Universitare. Pacientët dërgohen në Nish, Kragujevc, Beograd dhe Novi Sad, sepse kujdesi shëndetësor atje ka qenë në nivel të lartë në dhjetë vitet e fundit, sa i përket operacioneve, kimioterapisë, rrezatimit...” thotë doktor Mlladenoviq.
0 komentet