Radojica Stojçetoviq nga Shtërpca, në dekadën e tetë të jetës, krijon vepra që përcjellin emocione
Ndërsa shumë njerëz në moshë të shtyrë e ngadalësojnë ritmin e jetës, për piktorin Radojica Stojçetoviq nga Shtërpca frymëzimi nuk njeh kufij dhe as moshë. Edhe në dekadën e tetë të jetës, ai e kalon kohën përpara telajos, duke krijuar me penel vepra që përcjellin përvojë, emocion dhe dashuri për artin.
Dashuria për pikturën te Radojica Stojçetoviq nga Shtërpca lindi herët. Penelin e parë e mori në dorë kur ishte vetëm tetë vjeç, ndërsa sot, në moshën 79-vjeçare, vazhdon ende të pikturojë, duke dëshmuar se frymëzimi dhe dashuria për pikturën nuk njohin moshë.
“Me pikturë merrem që nga fëmijëria e hershme. Që në moshën tetëvjeçare fillova të pikturoja vetë, kam një lloj dhuntie nga Zoti. Që nga ajo kohë, gjithmonë me laps në dorë, vizatoja portrete e piktura të ndryshme, por punoja edhe peizazhe. Kam qenë edhe në Gjermani dhe atje kam punuar shumë, kam vizituar galeri dhe kështu kam njohur shumë piktorë. Kur u ktheva në shtëpi, fillova të pikturoja pjesën veriore të Malit Sharr. Ky motiv nga Sharri më frymëzon shumë. Jam artist i lirë, prandaj pikturoj atë që më vjen, atë që mund ta realizoj më bukur. Piktura e fisnikëron njeriun. Kohët janë të paqëndrueshme dhe ka shumë sfida. Kur pikturoj, përqendrohem plotësisht tek ajo që bëj dhe çlodhem. Pikturoj gjithçka, atë që më vjen në atë çast. Ndonjëherë pikturoj natyrën, por bëj edhe portrete njerëzish. Kam punuar edhe ikona. Kam më shumë se 1.000 piktura. Disa i kam dhënë, disa i kam falur dhe disa i kam shitur”, tha Stojçetoviqi.
Në pikturat e këtij artisti, motivet më të shpeshta janë peizazhet e Malit Sharr, kullotat e gjera, pyjet, majat malore dhe bukuria natyrore e të cilit përbëjnë një burim të pashtershëm frymëzimi.
“Në pikturat e mia shihen liqenet tona në Malin Sharr, burimet dhe përrenjtë. Gjithçka është motiv për mua. Punoj edhe art abstrakt, portrete, ikona e portrete njerëzish. Edhe portretet më shkojnë shumë mirë. Për portretet që kam realizuar me laps, shumë njerëz mendojnë se janë fotografi. Në pikturën e parë që kam pikturuar me tempera paraqitet një peshkatar duke zënë peshq. Ishte një pikturë e madhe, por e kam falur, kështu që, për fat të keq, tani nuk e kam. Përndryshe, kam punuar edhe në letër. Në Gjermani kam pasur ndoshta mbi dy ose tre mijë vepra. Mora përkrahje nga disa piktorë gjermanë. Ata më inkurajonin dhe më thoshin se kisha talent. Më nxitnin të shkoja në shkollë dhe më thoshin se ishte për të ardhur keq që të mos shkollohesha për pikturë. Mirëpo, nuk munda të shkoja, sepse duhej të punoja. Prandaj, tani merrem me pikturë si amator”, tha Stojçetoviqi.
Në krijimtarinë e tij më së shpeshti punon me ngjyra vaji, por nuk i ka të panjohura as teknikat e tjera të pikturimit.
“Më së shumti më pëlqen të pikturoj me ngjyra vaji, por përdor edhe ngjyra akrilike, të cilat janë më të vështira për t’u punuar, ndërsa për skica përdor shpesh edhe ngjyra pastel. Kam pasur një ekspozitë shumë të bukur në Graçanicë, kam ekspozuar në panaire, ndërsa jam duke biseduar edhe për ekspozimin e pikturave në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut. Ajo do të jetë edhe ekspozitë shitëse”, tha artisti.
Pikturat e tij i ruan në një ambient të ajrosur, ndërsa pas përfundimit i mbron edhe me një shtresë llaku mbrojtës, për t’ua ruajtur ngjyrat dhe jetëgjatësinë.
“Është e rëndësishme që dhoma të ajroset, të mos ketë lagështi dhe temperatura të mos jetë e lartë. Në këtë mënyrë mbrohen pikturat, sepse lagështia e shkatërron telajon. Kur e përfundoj pikturën, e konservoj. E kam llakun të gatshëm dhe pastaj ajo zgjat. Kështu, pikturat mund të ruhen për shumë vite. Është e rëndësishme që gjatë pastrimit të pikturave të mos përdoren kimikate, por të fshihen vetëm me një leckë të lagur”, shpjegon Stojçetoviqi.
Ai shton se për të piktura është mënyrë jetese, sepse gjatë pikturimit ndihet i përmbushur dhe i lumtur. Prandaj thotë se pikturimi ia zgjat jetën, pasi e mbush me energji pozitive dhe i jep kuptim çdo dite.
“Pikturoj sa herë që kam kohë të lirë dhe më vjen frymëzimi. Kjo më përmbush dhe koha më fluturon ndërsa punoj. Pikturimi ma zgjat jetën. Mbushesh me gëzim kur e realizon bukur një pikturë. Nuk ka rëndësi nëse piktura u pëlqen të tjerëve. Mua më përmbush dhe jam i lumtur kur piktura del mirë”, tha Stojçetoviqi.
Sot, në dekadën e tetë të jetës, ky artist vazhdon të krijojë me të njëjtën dashuri si atëherë kur e mori penelin për herë të parë në dorë. Historia e jetës së tij është dëshmi se pasioni për artin mund të zgjasë gjatë gjithë jetës.






0 komentet