Çfarë nënkuptohej me emërimin e Bajramit si kryenegociator në dialogun teknik me Beogradin?

Bajrami
Burim: Facebook/KosovoinBrussels

Pas ekonomistit Besnik Bislimi, në bisedimet teknike për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin qëndrimet e Prishtinës do t’i përfaqësojë Agron Bajrami, diplomat dhe gazetar me diplomë nga Fakulteti i Arteve të Bukura. Në këtë fushë, mund të mos ketë mundësi të shprehë kreativitet, sepse, të paktën sikurse vlerëson njëri prej bashkëbiseduesve të Kosovo Onlajn, Albin Kurti është "alfa dhe omega" e dialogut. Me emërimin e Bajramit, ambasador i Kosovës në Belgjikë, si kryenegociator, për disa analistë është sinjal që Qeveria e Kosovës proçesin e Brukselit e ka të parëndësishëm, ndërsa të tjerë theksojnë se pothuajse asgjë me rëndësi jetike nuk po ndodh në dialog për momentin.

Shkruar nga: Dushica Radeka Gjorgjeviq
Në Bruksel, ku mbahen raundet e dialogut teknik e politik në nivelin më të lartë politik, Agron Bajrami nuk është fytyrë e re. Prej shkurtit të vitit 2022, ka patur detyrën e ambasadorit të Kosovës në Belgjikë. Kryeministri Albin Kurti e emëroi të mërkurën për kryenegociator në dialogun teknik për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin.
Figurë e re në këtë vend mund të nënkuptojë edhe energji të re në proçesin që e ndërmjetëson BE njohësit e mundësive dyshojnë se do të jetë kështu.
Me emërimin e Bajramit, sipas vlerësimit të analistit politik Artan Muhaxhiri, është vendim taktik i kryeministrit kosovar Albin Kurti, vullneti dhe planet e të cilit varen nga zhvillimet në dialog. Kurti, beson ai, është "alfa dhe omega" e dialogut.
“Me emërimin e zotit Bajrami, kryeministri Kurti dëshiron të tregojë se po krijon strategji në lidhje me dialogun, se po punon për të, pasi ishte akuzuar se e kishte lënë pas dore pavarësisht kërkesave të mëdha dhe të vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare që të përfshihej më shumë”, tha Muhaxhiri për Kosovo onlajn.

Kjo është, shtoi ai, shenjë simbolike e Kurtit, se po fillon t’a kuptojë seriozisht çështjen e dialogut dhe se Bajrami, në Bruksel, sipas mendimit të tij, mund të jetë shumë i dobishëm për dialogun pasi ka fituar përvojë gjatë viteve të shërbimit si ambasador.
“Megjithatë, mendoj se në fund gjithçka do të varet nga kryeministri Kurti. Vetëm ai mund të bëjë që dialogu të ecë më shpejt apo më avash, në varësi të dëshirave dhe kalkulimeve të tij politike, sidomos në këndvështrimin e dinamikës brenda Kosovës”, theksoi Muhaxhiri.
I pyetur nëse pret shtysë të re në dialog, Muhaxhiri thekson se Kurti nuk ka opsion tjetër veçse pjesmarrjen e tij t’a bëjë më energjike, sepse ishte i izoluar nga bashkësia ndërkombëtare, kryesisht për shkak të mosgatishmërisë për t’u angazhuar më shumë politikisht në dialog.
Kujtoi se për këtë ish-presidentja kosovare Vjosa Osmani, merrte ftesa që duhej t’i drejtoheshin Kurtit.
“Ky ishte mesazh për të. Ai nuk ka opsion tjetër. Duhet të bëhet më shumë i përfshirë në dialog, duhet të bëjë kompromise racionale nëse dëshiron t’a vendosë Kosovën në axhendën europiane”, mendon ai.
Detyra e re që i është dhënë Bajramit sipas opinionit të Aleksandar Rapajiqit drejtori programues i OJQ Qendra për Përfaqësim të Kulturës Demokratike nga Mitrovica e Veriut, tregon sesa i pa rëndësishëm është për Qeverinë e Kosovës proçesi i Brukselit. 
“Mendoj se e vendosin në nivelin sa më të ulët të mundshëm. Me gjasa idea është që zotëria në fjalë ka lidhje të mira në Bruksel pasi aty ka qenë ambasador, kështu që mendohet se mund të ketë ndonjë kontakt të mirë në Bruksel” ka thënë Rapajiq për Kosovo onlajn.

Vlerëson se nuk vlen të humbasësh totalisht fokusin dhe se njerëzit që udhëheqin dialogun ndryshojnë kaq shpesh, megjithëse sikurse tha, zgjidhjet personale nuk mund të çojnë në disa ndryshime në proçesin e dialogut kur egziston vullnet real për të bërë me të vërtetë diçka. 
Drejtoresha e Qendrës për Politikë të Jashtme në Beograd, Aleksandra Joksimoviq, thotë se është e mundur që emërimi i Bajramit të ketë ardhur për shkak se ai ndodhet në Bruksel në “burimin e informacioneve”. Por ajo njëkohësisht vëren se në këtë moment dialogu nuk është në fokus të plotë duke patur parasysh se në Prishtinë vazhdon kriza institucionale. 
Rreth asaj se çfarë mesazhi i përcjell Brukselit por dhe Beogradit Kurti, Joksimoviq bën të ditur se për këtë mund të spekulohet, por fakti që në këto momente nuk po ndodh pothuajse asgjë me rëndësi jetike në këtë dialog që do të kërkonte ndonjë nivel që do të nënkuptonte koordinim më të fortë apo peshë më të madhe politike të atij që merr pjesë në dialog si negociator.
Ndërkaq, kur më herët u shpreh për dialogun me Beogradin, Bajrami shprehu qëndrimet se ideja që "të dy palët duhet të fitojnë dhe të humbasin diçka" mund të jetë e rrezikshme, sepse çel hapësirë për diskutime rreth territorit në vend të njerëzve dhe cilësisë së jetës së tyre.

Gjithashtu shpesh theksoi se elitat politike "privatizuan" dialogun, duke zhvilluar negociata në një rreth të ngushtë pa debat dhe transparencë më të gjerë shoqërore, ndërsa si ambasador në Bruksel, shumë herë foli se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Sërbisë nuk është i mundur pa njohje të ndërsjelltë.
Paraardhësit e tij në pozitën e kryenegociatorit në nivelin teknik qysh kur BE është ndërmjetësuese në dialog, para Bislimit kanë qenë Skënder Hyseni, Avni Arifi dhe Edita Tahiri.