Fjalët e Zelenskyt, “guralec në këpucën” e Prishtinës: A janë shuar shpresat për njohjen nga Ukraina?
Nga mesazhet se Kosova është partnere e natyrshme e Kievit dhe se solidarizohet me popullin ukrainas, e deri te ndriçimi i ndërtesës së Qeverisë së Kosovës me ngjyrat e flamurit ukrainas, u arrit te heqja e flamurit të këtij vendi, i cili që nga fillimi i luftës në Ukrainë qëndronte në fasadën e një ndërtese në qendër të Prishtinës. Megjithëse ambasadori ukrainas në Beograd, Oleksandr Lytvynenko, deklaroi vetëm tri javë më parë se vendi i tij do të vazhdojë ta mbështesë integritetin territorial të Serbisë, fjalët e presidentit Volodymyr Zelensky, të shqiptuara në Beograd – se qëndrimi i këtij vendi për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar – duket se i zunë në befasi dhe i prekën veçanërisht autoritetet kosovare.
Shkruan: Dushica Radeka Gjorgjeviq
Gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Beograd, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi të shtunën, në konferencën e përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se qëndrimi i këtij vendi për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar.
“Ne e respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë dhe e respektojmë të drejtën ndërkombëtare. Ky është qëndrimi ynë”, tha Zelensky.
Deklarata jo shumë të ndryshme dëgjohen edhe nga udhëheqësit e vendeve të tjera që nuk e njohin Kosovën kur ndodhen në Beograd, prandaj ato kalojnë pa reagime të drejtpërdrejta nga Prishtina. Megjithatë, fjalët e Zelenskyt alarmuan si përfaqësuesit e pushtetit qendror, ashtu edhe ata të pushtetit lokal në Prishtinë.
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, shprehu keqardhjen për deklaratën e presidentit ukrainas, duke rikujtuar se Kosova, që nga dita e parë e pushtimit rus, është rreshtuar pa mëdyshje përkrah Ukrainës, ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, ka ofruar ndihma humanitare dhe strehim për gazetarët ukrainas...
Duke shpjeguar se si Kosova arriti deri te shpallja e pavarësisë, Konjufca përmendi, ndër të tjera, se i dërguari i posaçëm i OKB-së, Martti Ahtisaari, e kishte rekomanduar pavarësinë si status përfundimtar të Kosovës. Megjithatë, ai nuk përmendi se Beogradi, në vitin 2007, e kishte refuzuar “Propozimin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës” të Ahtisaarit dhe se Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk e miratoi asnjëherë këtë propozim të diplomatit finlandez.
Autoritetet komunale të Prishtinës, qytetit të drejtuar nga Përparim Rama, iu përgjigjën Zelenskyt në mënyrën e tyre – duke e hequr flamurin ukrainas, i cili që nga fillimi i luftës në atë vend qëndronte në fasadën e një ndërtese në qendër të Prishtinës.
Bashkëbiseduesit e Kosovo online vlerësojnë se nuk ishte e nevojshme deklarata e presidentit ukrainas për ta ditur se Ukraina nuk do ta njohë aq lehtë Kosovën, ndërsa befasia e Prishtinës mund të shpjegohet me faktin se Zelensky nuk e kishte shprehur asnjëherë më parë këtë qëndrim në mënyrë kaq të prerë.
Nëse shpresat e Prishtinës për njohjen nga Kievi tashmë janë shuar, apo nëse rishqyrtimi i qëndrimit të Ukrainës do të vendoset në rend dite pas përfundimit të luftës me Rusinë, ose nuk do të ndodhë fare, vlerësohet në mënyra të ndryshme.
Sipas disa pikëpamjeve, Ukraina me siguri nuk do ta njohë Kosovën përpara se t’i zgjidhë problemet e veta territoriale. Sipas të tjerave, është joreale që Kievi ta njohë Kosovën nëse këtë nuk e bëjnë Beogradi dhe Moska.
Këtë qëndrim e ndan analisti Nexhmedin Spahiu. Pas deklaratës së Zelenskyt në Beograd, sipas tij, është joreale të pritet që Ukraina ta ndryshojë qëndrimin dhe ta njohë Kosovën.
“Ukraina do ta njohë Kosovën atëherë kur ta njohin edhe Serbia, përkatësisht Rusia, prandaj nuk mund të pritet që këtë ta bëjë përpara Serbisë dhe Rusisë”, thotë Spahiu.
Ai vlerëson se vizita e presidentit ukrainas në Beograd dhe mesazhet që përcolli me atë rast ishin të pritshme, si dhe se për Kievin janë të rëndësishme marrëdhëniet me Serbinë, ndërsa çështja e Kosovës ka rëndësi shumë më të vogël.
“Për Ukrainën është e rëndësishme Serbia, jo Kosova. Të paktën, është e rëndësishme që Serbia ta ruajë neutralitetin në marrëdhëniet me Rusinë. Dihet se Serbia është i vetmi vend evropian që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, por megjithatë i ka ruajtur lidhjet me Ukrainën. Prandaj, qëndrimi i saj për këtë çështje mund të konsiderohet në njëfarë mënyre neutral dhe kjo është e rëndësishme për Ukrainën. Kosova është krejtësisht e parëndësishme për Ukrainën, duke pasur parasysh fuqinë, madhësinë dhe ndikimin e saj, prandaj kjo ishte e pritshme. Së dyti, kjo dëshmoi gjithashtu se e gjithë kjo është një idiotësi e diplomacisë kosovare, e cila u angazhua plotësisht në mbështetjen e Ukrainës, madje edhe me ndihmë ushtarake në përmasat që kishte mundësi. Çdo fjalim i ish-presidentes Vjosa Osmani dhe i Albin Kurtit drejtohej kundër Putinit dhe Rusisë, duke mbështetur Ukrainën. Ata shtirreshin sikur ishin ‘më shumë Perëndim’ se vetë Perëndimi, i cili ndodhet në një luftë të drejtpërdrejtë me Rusinë”, tha Spahiu për Kosovo online.
Sipas tij, Prishtina duhet të ndjekë një politikë më të matur ndaj Moskës, duke pasur parasysh rëndësinë e qëndrimit rus për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.
“Nuk duhet harruar se për Kosovën është e rëndësishme njohja nga Rusia dhe jo nga Ukraina. Njohja nga Ukraina ka pak rëndësi, ndërsa njohja nga Rusia është jetike për Kosovën dhe shtetin e Kosovës. Herët apo vonë, Kosova duhet të trokasë në dyert e Kremlinit për të marrë njohjen, përkatësisht votën e Rusisë për pranimin në Kombet e Bashkuara. Nuk po them se diplomacia kosovare duhet t’i kundërvihet Amerikës dhe Perëndimit dhe të afrohet me Rusinë, por thjesht duhet të jetë e matur dhe nuk duhet të jetë kaq aktive kundër Rusisë në këtë rast. Duhet ruajtur njëfarë dinjiteti dhe jo që në çdo fjalim të dytë presidenti, kryeministri dhe zyrtarët e tjerë të flasin me përçmim për Rusinë dhe presidentin Putin”, tha Spahiu.
Deklaratën e presidentit të Ukrainës se qëndrimi i Kievit për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar, studiuesi i çështjeve të sigurisë Nikolla Vujinoviq e konsideron një goditje të madhe simbolike për Prishtinën.
“Zoti Zelensky nuk kishte thënë asnjëherë më parë në mënyrë kaq të prerë se nuk do të ketë njohje të pavarësisë së Kosovës. Dhe këtë e tha pas katër vjetësh e gjysmë mbështetjeje që Kosova i ka dhënë Kievit, si me armë, ashtu edhe me ndihma humanitare. Mund të themi se përmasat e kësaj ndihme janë minimale, por këtu është fjala për simbolikën. Prandaj kjo goditje simbolike është e madhe”, tha Vujinoviq për Kosovo online.
Ai vlerësoi se Kosova e sheh Ukrainën si aleate në kuptimin më të gjerë euroatlantik.
“Kosova e sheh Ukrainën si aleaten e saj, jo vetëm në kuptimin që e mbështet në luftën që po zhvillon, por edhe sepse si Ukrainën, ashtu edhe veten e konsideron pjesë të një bashkësie më të gjerë euroatlantike, e cila lufton së bashku kundër ‘së keqes’, qoftë ajo ‘e keqe’ ruse apo serbe. Dhe tani vjen një aleat dhe partner i tillë, pavarësisht mosnjohjes, dhe deklaron diçka të tillë. Në disa deklarata më të buta kemi parë se kjo ishte diçka e pritshme. Njerëzit në Prishtinë që e ndjekin situatën në Ukrainë e dinin se do të shprehej një qëndrim i tillë, prandaj nuk janë të befasuar. Mirëpo, publiku i gjerë është i befasuar, sepse gjatë gjithë kohës është bindur se mbështetja ndaj Ukrainës po jepej për shkak të diçkaje që do të pasonte”, thotë Vujinoviq.
Vujinoviq shpjegon se përse kjo nuk do të ishte e favorshme për Ukrainën në këtë moment.
“Nëse kjo do të ndodhte përpara zgjidhjes së problemeve territoriale të Ukrainës, do të shënonte fundin e pretendimeve të saj territoriale. Pra, nëse Kievi do ta njihte shkëputjen e paligjshme të Kosovës nga Serbia, të kryer nga shqiptarët e Kosovës, ky do të ishte argumenti më i mirë që Federata Ruse të thoshte: ja, edhe në referendumin në Krime vendosën të shkëputeshin, pra bëhet fjalë për të njëjtën situatë – Kombet e Bashkuara duhet t’i njohin të dyja. Për këtë arsye, Ukraina nuk dëshiron ta njohë integritetin territorial apo pavarësinë e Kosovës derisa ta zgjidhë problemin e saj territorial, cilado qoftë zgjidhja. Qoftë nëse e njeh Krimenë apo këto katër rajone si pjesë të Federatës Ruse, deri atëherë nuk do të ketë ndonjë politikë ndaj Kosovës së pavarur”, tha ai.
Megjithatë, ai konsideron se pas përfundimit të luftës Ukraina do ta ndryshojë qëndrimin dhe do të jetë një nga vendet e para të reja që do ta njohin Kosovën.
“Ditën e parë pas nënshkrimit të paqes ndërmjet Federatës Ruse dhe Ukrainës, që shpresojmë të ndodhë së shpejti, pres që Ukraina të jetë një nga vendet e para të reja që do ta njohin Kosovën. Kjo për arsye se Ukraina, në thelb, bën pjesë në atë aleancë euroatlantike, projekti më i mirë apo më i suksesshëm i së cilës është Kosova, ose të paktën një nga projektet që ende nuk ka dështuar. Prandaj mendoj se ky është momenti kur mund të presim që kjo të ndodhë, por duke pasur parasysh gjendjen në front, në periudhën afatshkurtër nuk do të ketë asgjë nga kjo”, përfundon Vujinoviq.
Redaktori i rubrikës së politikës së jashtme të Programit të Parë të Radio Beogradit, Nikolla Dençiq, thotë se deklarata e Volodymyr Zelenskyt, se qëndrimi i këtij vendi për njohjen e pavarësisë së Kosovës nuk do të ndryshojë, nuk është diçka që duhet ta befasojë Prishtinën në këtë moment apo në cilindo moment tjetër, pasi një qëndrim i tillë i Ukrainës është i njohur për disa arsye, dhe njjë prej tyre është se ajo nuk mund të dalë me idenë e njohjes së një territori të caktuar që nuk njihet ndërkombëtarisht dhe që nuk ka sovranitet në kuptimin që ia japin Kombet e Bashkuara.
Sipas Dençiqit, njohja e integritetit territorial të shteteve të tjera shpesh interpretohet edhe si shprehje e miqësisë dhe e marrëdhënieve të ngushta ndërmjet dy vendeve, por gjithsesi mund të interpretohet gjithmonë edhe në aspektin praktik.
“Edhe para se të shpërthente konflikti në Donbas në vitin 2014, e sidomos pas tij dhe aneksimit të Krimesë, ndërsa veçanërisht pas fillimit të luftës në vitin 2022, Ukraina në asnjë mënyrë nuk mund të dalë para publikut apo në ndonjë forum ndërkombëtar me idenë për të njohur një territor të caktuar, i cili aktualisht nuk njihet ndërkombëtarisht dhe nuk ka sovranitet në kuptimin që ia japin Kombet e Bashkuara. Prandaj, qëndrimi i Kievit për këtë çështje sigurisht që do të mbetet gjithmonë i njëjtë”, thotë ai për Kosovo online.
Sikurse shton, ekzistojnë edhe marrëdhëniet ndërmjet Kievit dhe Beogradit, të cilat kanë një dimension praktik, pavarësisht se mund të krijohet përshtypja se Beogradi zyrtar nuk gëzon status edhe aq të lartë në Kiev, duke pasur parasysh se vazhdon të mbajë një nivel të lartë marrëdhëniesh me Rusinë dhe se ndaj Moskës nuk janë vendosur sanksione.
“Kjo mund të interpretohet si një pengesë e caktuar, dhe sigurisht që është e till, për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve, por është gjithashtu fakt se Serbia, në mënyrë të qartë dhe në çdo rast, e thekson integritetin territorial të Ukrainës si një fakt të pakontestueshëm. Është gjithashtu fakt se të dyja shtetet bashkëpunojnë që nga fillimi i luftës, se ekziston ndihma e Serbisë dhe se kjo nuk mund të vihet në dyshim. Thirrjet nga Prishtina që Kievi ta njohë në njëfarë mënyre pavarësinë e Kosovës burojnë më shumë nga përpjekjet e Prishtinës për ta shfrytëzuar të gjithë situatën dhe luftën për t’u afruar me aleatët perëndimorë dhe për ta paraqitur Beogradin si ‘faktor destabilizues’”, thotë bashkëbiseduesi ynë.
Ai kujton se janë dëgjuar deklarata se Prishtina qëndron plotësisht përkrah Ukrainës në konfliktin me Rusinë, ndërsa Serbia është praktikisht një postë e Rusisë në Ballkan, se serbët janë rusë të vegjël e të ngjashme, gjë që në aspektin politik nuk qëndron aspak.
Megjithëse më parë, por edhe tani, disa anëtarë të Radës Supreme të Ukrainës kanë deklaruar se vendi i tyre do ta njohë Kosovën, Dençiq thotë se nuk ka tregues se diçka e tillë mund të ndodhë para përfundimit eventual të konfliktit.
“Përfundimi i konfliktit aktualisht nuk duket aspak. Prandaj, në këtë moment nuk mund të themi se e shohim atë të ardhme në të cilën mund të ndodhë një ndryshim i caktuar i qëndrimit, kur bëhet fjalë për idetë e disa deputetëve në Radën Supreme të Ukrainës për njohjen e mundshme të pavarësisë së vetëshpallur të Kosovës. Këto ide buronin më shumë nga qëndrimi i tyre ndaj Serbisë, e cila vazhdon të mbajë një nivel të lartë marrëdhëniesh me Moskën, dhe ndoshta jo aq shumë nga ndonjë ide apo nismë konkrete. Sigurisht që në të dyja anët ka persona që do ta mbështesnin një ide të tillë, por aktualisht ajo nuk mund të zbatohet në praktikë. Mendoj se as në të ardhmen e afërt, e ndoshta as në atë më të largët, nuk duket se diçka e tillë mund të ndodhë”, është i bindur Dençiq.
Edhe Petar Gjorgjeviq nga OJQ-ja “Graçanica e Re Aktive” beson se nuk ishte e nevojshme deklarata e presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, se qëndrimi i këtij vendi për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar, për ta ditur se Ukraina nuk do ta njohë aq lehtë pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës.
Duke komentuar reagimin e Komunës së Prishtinës pas kësaj deklarate, e cila hoqi flamurin e Ukrainës me mbishkrimin “Ukraina e lirë”, që kishte qëndruar në qendër të qytetit gjatë disa viteve të fundit, Gjorgjeviq tha se vendimi për heqjen e flamurit ukrainas ishte marrë me nxitim dhe kishte tërhequr vëmendjen e publikut.
“Shtrohet pyetja nëse gjatë këtyre katër vjetëve, derisa flamuri qëndronte në Prishtinë, institucionet e Prishtinës, autoritetet dhe në përgjithësi populli shqiptar në Kosovë e kanë mbështetur sinqerisht popullin e Ukrainës, nëse vërtet kanë pasur empati për të dhe janë solidarizuar me të, apo kjo ka vlejtur vetëm deri në momentin kur erdhi një deklaratë e tillë, në të cilën Ukraina mbron interesat e veta shtetërore”, tha Gjorgjeviq për Kosovë online.
komentet