Vuçiq: Serbia do të vazhdojë ta respektojë Kartën e OKB-së; Zelensky: Nuk e ndryshojmë qëndrimin për Kosovën
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, theksoi sot, pas bisedimeve në Beograd me kreun e shtetit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se Serbia do të vazhdojë të ndjekë një politikë parimore të respektimit të Kartës dhe rezolutave të OKB-së, që nënkupton respektimin e integritetit territorial të shteteve anëtare të organizatës botërore, përfshirë edhe Ukrainën. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se qëndrimi i këtij vendi për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Vuçiq theksoi se ishte një nder i madh për të që ta mirëpriste presidentin e Ukrainës, duke rikujtuar se vizita e fundit e një kreu të shtetit ukrainas në Beograd ishte zhvilluar tetë vjet më parë.
Ai theksoi se Ukraina është një vend mik i Serbisë.
„Biseduam për tema të ndryshme. Më e rëndësishmja është se theksova që Serbia dhe unë, si president, e respektojmë Kartën dhe rezolutat e OKB-së, që do të thotë se e respektojmë integritetin territorial të të gjitha vendeve anëtare të OKB-së, përfshirë edhe integritetin territorial të Ukrainës“, nënvizoi Vuçiq.
Ai shprehu mirënjohje ndaj Ukrainës për mbështetjen e integritetit territorial të Serbisë.
„Do të vazhdojmë të ndjekim një politikë të tillë parimore. Për çështje të tilla nuk ka asnjë ‘por’; gjithçka është shumë e saktë dhe e qartë“, theksoi Vuçiq.
Ai bëri të ditur se me Zelenskyn kishte biseduar edhe për rrugën evropiane të të dyja vendeve.
„Sa i përket Serbisë, Ukraina do ta ketë gjithmonë mbështetjen e plotë të vendit tonë në rrugën e saj evropiane. Nuk bëjmë komente me të cilat do të kërkonim ta ndalonim dikë tjetër vetëm sepse ne nuk mund të hapim ndonjë klaster. Dëshirojmë që Ukraina të hapë sa më shumë klasterë dhe sa më shpejt. Ky është vullneti i qytetarëve të Ukrainës dhe ne nuk kemi pasur e as nuk do të kemi ndonjë problem me këtë. Do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndihmuar Ukrainën në rrugën e saj evropiane“, tha presidenti i Serbisë.
Vuçiq tha se e kupton synimin e Ukrainës për të hapur sa më shumë klasterë në kohën më të shkurtër të mundshme dhe për ta realizuar shpejt anëtarësimin në BE, por se, si president i Serbisë, për shkak të një sërë arsyesh politike, aktualisht nuk e sheh mundësinë që para së gjithash Serbia të bëhet së shpejti anëtare e BE-së.
Ai theksoi se qëndron plotësisht pas asaj që kishte shkruar së bashku me kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe se mendon që për rajonin tonë më e rëndësishmja do të ishte një treg i përbashkët dhe kufij të hapur, gjë që, sipas tij, do të ishte e dobishme edhe për Ukrainën, Moldavinë dhe vendet e tjera lindore.
„Ky është realiteti. Nuk besoj se të gjithë evropianët do të jenë dashamirës ndaj anëtarësimit të Ukrainës. Ata gjithmonë gjejnë dikë; për ne gjithmonë do të gjejnë Kroacinë, disa bullgarë apo holandezë. Pavarësisht kësaj, i kuptova të gjitha shpresat dhe, sa na përket neve, nuk do të themi kurrë: ‘Pranojeni fillimisht Serbinë, sepse e ka nisur më herët procesin, ndërsa Ukrainën mos e pranoni’“, shtoi Vuçiq.
Ai theksoi se për Serbinë është e rëndësishme të vazhdojë përparimin ekonomik dhe vuri në dukje se, sipas Eurostatit, rritja e PBB-së në gjysmën e parë të këtij viti ishte 3,5 për qind.
„Ideja e tregut të përbashkët është e një rëndësie thelbësore për të gjithë ne. Ukraina ka shumë pasuri natyrore dhe njerëz punëtorë, ndërsa mendoj se të njëjtat i ka edhe Serbia, çka do të ishte e rëndësishme për BE-në. Nëse më pyesni nëse besoj se brenda BE-së do të ketë unanimitet për përshpejtimin e procesit të integrimit, unë nuk e besoj këtë. Është dëshmuar se skepticizmi im ishte i arsyeshëm“, theksoi Vuçiq.
Ai nënvizoi se çështja nuk lidhet vetëm me konceptin e përparimit të bazuar në merita.
„Ne i kemi përmbushur të katër kushtet e vendosura për hapjen e Klasterit tre, por ai nuk është hapur, sepse gjithmonë gjenden disa vende që kanë diçka për të thënë. Unë jam realist dhe mendoj se disponimi në BE dhe kriza politike në disa shtete anëtare janë aq të thella, saqë në periudhën e ardhshme do të jetë shumë e vështirë të arrihet diçka thelbësore. Serbia do të përqendrohet në rritjen ekonomike, në lidhjen e sa më shumë marrëveshjeve të tregtisë së lirë dhe në zhvillimin e shkëmbimeve tregtare me sa më shumë vende. Ne i kemi kuptuar prej kohësh mesazhet nga disa shtete anëtare të Bashkimit“, shpjegoi Vuçiq.
Presidenti Vuçiq deklaroi se Serbia dhe Ukraina e kanë rritur ndjeshëm nivelin e shkëmbimeve tregtare.
„Vitin e kaluar, shkëmbimet tregtare arritën në rreth 450 milionë dollarë amerikanë. Vetëm gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti ato ishin dukshëm më të larta dhe arritën në rreth 321 milionë dollarë. Besoj se produkti më i rëndësishëm që importojmë nga Ukraina është minerali i hekurit. Gjithashtu besoj se, përmes bashkëpunimit në fushën e bujqësisë, energjetikës dhe në të gjitha fushat e tjera, shkëmbimet tregtare mund të jenë shumë më të mëdha“, tha Vuçiq.
Ai shtoi se kishin biseduar edhe për projekte të përbashkëta në fushën e infrastrukturës dhe për angazhimin e kompanive ukrainase në territorin e Serbisë.
„Besoj se në të ardhmen mund të arrijmë rezultate të mira dhe shumë të rëndësishme. Kur e them këtë, e kam fjalën se u mahnita vërtet nga rrjeti hekurudhor i Ukrainës gjatë vizitës sime të fundit në Kiev. Besoj se mund të mësojmë shumë nga Ukraina dhe kompanitë e saj shtetërore në këtë drejtim, si dhe se mund të punojmë së bashku për përmirësimin e rrjetit tonë të transportit në Serbi“, tha Vuçiq.
Ai bëri të ditur se kishin biseduar edhe për forma dhe nivele të ndryshme të ndihmës humanitare.
„Pavarësisht gjithçkaje që kemi bërë deri më tani, gjithmonë mund të bëhet më shumë dhe besoj se miqtë tanë ukrainas do të jenë më të kënaqur në të ardhmen. Tashmë kemi ndarë një sasi të konsiderueshme ndihme në barna. Besoj se, edhe sa i përket sektorit energjetik dhe pajisjeve të ndryshme që i nevojiten Ukrainës, veçanërisht gjatë periudhës së dimrit, do të ndihmojmë aq sa kemi mundësi“, theksoi Vuçiq.
Ai e falënderoi presidentin ukrainas për mbështetjen që ia jep gjithmonë Serbisë në rrugën e saj evropiane.
„Duhet të them, për hir të qytetarëve të Serbisë, se as nga Volodymyr Zelensky dhe as nga dikush tjetër nuk keni mundur të dëgjoni ndonjëherë asnjë fjalë të keqe për vendin tonë. U jam jashtëzakonisht mirënjohës miqve tanë ukrainas për këtë dhe besoj se në periudhën e ardhshme mund të arrijmë rezultate të rëndësishme në miniera dhe energjetikë, e veçanërisht në bujqësi“, theksoi Vuçiq.
Ai theksoi se për Serbinë është i rëndësishëm jo vetëm importi i mineralit të hekurit, por edhe i sojës për treg, bërsive të sojës dhe farave të lirit, ndërsa Serbia eksporton fidanë frutorë, fara luledielli dhe ushqime për fëmijë. Ai shtoi se dëshiron që niveli i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve të ngrihet sa më shumë që të jetë e mundur.
„Gjëja e fundit që mund të them është se shpreha shpresën që, pas përfundimit të luftës, bashkëpunimi ynë të bëhet shumë më i fuqishëm dhe më i gjerë, edhe në planin e politikës së jashtme. Mund të eksportojmë së bashku produkte të caktuara dhe të paraqitemi bashkërisht në tregje të treta, veçanërisht në kontinentin afrikan dhe atë aziatik. Besoj se në të ardhmen na presin bisedime të rëndësishme, gjatë të cilave mund të dakordojmë më tej forma të tilla bashkëpunimi“, tha Vuçiq.
Ai paralajmëroi se Serbia në shtator do të hapë, së bashku me izraelitët, një fabrikë për prodhimin e dronëve.
Zelensky: Mirënjohje për mbështetjen ndaj Ukrainës
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se qëndrimi i këtij vendi për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar.
„Qëndrimi për mosnjohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar. I jemi mirënjohës Serbisë që e respekton integritetin territorial të Ukrainës, duke përfshirë, pa dyshim, edhe Krimenë. Ky qëndrim i Serbisë nuk ndryshon as në OKB“, tha Zelensky.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i shprehu mirënjohje presidentit të Serbisë për mbështetjen ndaj popullit ukrainas, pavarësisë dhe integritetit territorial të vendit.
„E vlerësojmë thellësisht mbështetjen tuaj“, tha Zelensky.
Ai deklaroi se situata në Ukrainë nuk është e lehtë dhe se nga sulmi i mbrëmshëm me dronë nga Rusia kishte të vrarë dhe të plagosur.
„Bombardimet ishin tragjike. Trembëdhjetë persona humbën jetën gjatë sulmeve ruse në 24 orët e fundit“, tha Zelensky, duke shtuar se në vend nuk ka asnjë central elektrik që të mos jetë sulmuar.
„Kjo është vërtet një tragjedi e tmerrshme, tragjedia e agresionit rus kundër Ukrainës së pavarur. Dëshiroj t’u shpreh ngushëllimet e mia të gjitha familjeve dhe të afërmve të viktimave. Në të gjitha rajonet janë plagosur 77 persona dhe janë sulmuar 12 rajone. Në fakt, pothuajse çdo ditë dhe çdo natë, tashmë në vitin e pestë të luftës, Ukraina është e detyruar të qëndrojë dhe ta përballojë gjithë këtë“, tha Zelensky.
Ai theksoi se shumica e sulmeve ruse drejtohen ndaj objekteve që janë jetike për njerëzit.
„Nuk kemi asnjë central elektrik që të mos jetë sulmuar. Stacionet hekurudhore, spitalet, universitetet dhe ndërmarrjet publike janë sulmuar. Në një kohë të tillë lufte, ne e vlerësojmë thellësisht çdo mbështetje që Ukraina merr nga vendet dhe popujt e tjerë. Natyrisht, po zhvillojmë çdo formë bashkëpunimi që mund t’i ndihmojë popullit, qyteteve dhe komuniteteve tona të jenë më të qëndrueshme dhe t’i përballojnë të gjitha sfidat e kësaj lufte“, theksoi Zelensky.
Ai shtoi se Ukraina është mirënjohëse që Serbia po planifikon një paketë të re ndihme humanitare për Ukrainën, veçanërisht në fushën e shëndetësisë dhe energjetikës.
„Kjo ka rëndësi të jashtëzakonshme për ne dhe ju falënderoj, zoti president“, theksoi Zelensky.
„E vlerësojmë thellësisht çdo mbështetje nga vendet dhe popujt e tjerë. Po zhvillojmë çdo formë bashkëpunimi që mund t’i ndihmojë popullit tonë të jetë më i qëndrueshëm dhe t’i përballojë sfidat e kësaj lufte. I jemi mirënjohës Serbisë për paketën e re të ndihmës humanitare në fushën e shëndetësisë dhe energjetikës. Kjo ka rëndësi të jashtëzakonshme për ne“, tha Zelensky.
Ai shtoi se kishin biseduar edhe për të gjitha mundësitë diplomatike që mund të ndihmojnë në përfundimin e luftës në Ukrainë.
„Është e rëndësishme që njerëzit në mbarë botën ta dinë të vërtetën dhe faktin se ne dëshirojmë një paqe dinjitoze dhe se duhet shfrytëzuar çdo mundësi në dobi të paqes dhe garantimit të sigurisë. Duhet shfrytëzuar çdo mundësi që ekziston në Uashington, Pekin dhe kryeqytetet evropiane, ndër partnerët tanë në Lindjen e Mesme, në vendet e Gjirit, si dhe në të gjitha kryeqytetet e tjera të botës që mund të ndikojnë në këto procese“, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas deklaroi se dëshiron t’i falënderojë të gjithë njerëzit në Serbi që e mirëpritën popullin ukrainas me vëmendje dhe përkujdesje.
„Nuk do ta harrojmë kurrë mirësinë tuaj ndaj ukrainasve tanë. Ju falënderoj të gjithëve. Të falënderoj edhe ty, Aleksandar, për këtë ftesë dhe për mbështetjen. Vendit tuaj i dëshiroj paqe dhe vetëm paqe, sepse e kuptojmë se ajo është gjëja më e çmuar që kanë njerëzit. Faleminderit. Lavdi Ukrainës!“, deklaroi Zelensky.
komentet