Kosova në garë me kohën: A janë më të qarta raportet politike në javën para skadimit të afatit për zgjedhjen e presidentit?
Gara politike e Kosovës me kohën po hyn në fazën përfundimtare, ndërsa shpallja e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme parlamentare është skenari më i mundshëm nëse nuk arrihet një kompromis urgjent për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Në prag të skadimit të afatit kushtetues, bashkëbiseduesit e Kosovo online vënë në dukje paqëndrueshmërinë e thellë politike, pasigurinë lidhur me sigurimin e shumicës dhe rrezikun e kostove të reja shumëmilionëshe.
Shkruan: Millena Milladinoviq
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, dita e fundit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës është 6 tetori. Nëse deri në këtë datë nuk zgjidhet presidenti, Kosova do të përballet me një tjetër cikël zgjedhor, të katërtin në dy vitet e fundit.
A janë më të qarta raportet ndërmjet partive politike në Kosovë në javën e fundit para skadimit të afatit kushtetues, apo çështja e presidentit vazhdon të jetë „gur pengese“ dhe a kushtëzohet ajo me mbështetjen për propozimin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të propozuar nga PDK-ja?
Bashkëbiseduesit e Kosovo online nuk shohin se partitë janë serioze në zgjidhjen e çështjes së presidentit, por vlerësojnë se kryeministrit dhe liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, zgjedhjet në këtë moment nuk do t’i përshtateshin.
Zgjedhjet skenari më i mundshëm
Drejtori i Strategjisë në Qendrën për Politika Evropiane nga Beogradi, Millosh Pavkoviq, konsideron se zgjedhjet e reja janë skenari më i mundshëm për krizën politike në Kosovë, pasi në javën e fundit para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, kjo çështje vazhdon të mbetet e hapur.
Pavkoviq, për Kosovo online, vlerëson se raportet politike në Kosovë sot nuk janë aspak më të qarta sesa një ditë pas zgjedhjeve të qershorit.
„Pas tri raundeve të zgjedhjeve parlamentare, në Kosovë ende kemi paqëndrueshmëri politike. Qeveria u zgjodh për arsyen e thjeshtë se Vetëvendosja fitoi numër të mjaftueshëm mandatesh për ta formuar Qeverinë, megjithatë çështja e presidentit vazhdon të mbetet e hapur. Zyrtarisht nuk kemi kandidat, afati kushtetues po ecën dhe shumë shpejt do të skadojë“, tha Pavkoviq.
Ai shtoi se në fillim të shtatorit kishte pasur negociata ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes.
„Kishte një kandidat që u tërhoq, kështu që asgjë nga kjo. Situata pas tri raundeve të zgjedhjeve parlamentare nuk është qartësuar, nuk ka marrëveshje politike, kriza vazhdon dhe skenari më i mundshëm është që afati kushtetues të skadojë dhe të shkojmë në zgjedhje të tjera parlamentare“, tha ai.
Në pyetjen nëse ekziston mundësia që Vetëvendosja ta kushtëzojë mbështetjen për kandidatin e saj për president në këmbim të miratimit të Ligjit për Gjykatën Speciale, Pavkoviq thotë se kjo nuk është e sigurt.
„Kjo është një pyetje interesante. Pas aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit ekziston pakënaqësi e madhe, si ndër përfaqësuesit politikë, ashtu edhe ndër qytetarët e Kosovës, lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara dhe, në këtë kontekst, ekziston potencial i madh për sinergji, përkatësisht për mbështetjen e një ligji të tillë. Kjo është diçka me të cilën Albin Kurti potencialisht mund të bëjë pazare në këmbim të mbështetjes për ndonjë kandidat për president. Megjithatë, kjo është në teori, ndërsa në praktikë nuk ka asnjë indikacion se ekziston ndonjë kandidat. Prandaj, edhe pse kjo potencialisht paraqet një mundësi të mirë, unë nuk jam optimist dhe as nuk pres që kjo realisht të mundësojë një lloj të tillë pazari politik për të arritur deri te zgjedhja e presidentit“, tha Pavkoviq.
Ai pret që opozita në fakt të përpiqet ta shfrytëzojë valën e pakënaqësisë për shkak të aktgjykimit.
„Besoj se opozita do të përpiqet t’ia atribuojë përgjegjësinë Kurtit dhe më pas, mbi këtë valë pakënaqësie, të përpiqet që në zgjedhje të reja të fitojë një numër më të madh votash. Mendoj se opozita, duke u bazuar në këtë aktgjykim të Dhomave të Specializuara, do të përpiqet t’ia heqë Kurtit nga dora kartën e tij më të fortë, që është karta e nacionalizmit. Qytetarët janë të pakënaqur me aktgjykimin e gjykatës, ndërsa Qeveria e Kosovës është e papërcaktuar për këtë çështje ose nuk i ka përmbushur pritjet e qytetarëve, prandaj pres që opozita ta kritikojë Qeverinë dhe të përpiqet që këtë kartë të nacionalizmit, e cila ka qenë më e forta, t’ia heqë Kurtit nga dora dhe ta përvetësojë për vete, duke u përpjekur në këtë mënyrë t’ia marrë, përkatësisht të tërheqë një pjesë të elektoratit të Kurtit dhe të arrijë rezultat më të mirë zgjedhor në zgjedhjet e mundshme të reja“, shpjegoi bashkëbiseduesi ynë.
Siç tha ai, Kurti tani nuk ka mundësi që zgjedhjet eventuale t’i mbajë në fund të dhjetorit, gjatë festave, gjë që mund t’ia vështirësojë rezultatin zgjedhor.
„Diaspora është karta tjetër e fortë që ka Kurti dhe tradicionalisht votat e diasporës gjatë cikleve të mëparshme zgjedhore kanë qenë vendimtare në favor të Kurtit. Megjithatë, tani Kurti, për shkak të afateve kushtetuese, nuk ka mundësi t’i shtyjë zgjedhjet, për shembull, deri në fund të dhjetorit, kur tradicionalisht vjen diaspora. Nga ana tjetër, Kurti është treguar si një politikan shumë kokëfortë, i cili nuk është i prirur për kompromis dhe në thelb ka treguar se është i gatshëm të shkojë me kokë në mur në të gjitha situatat. Prandaj nuk do të më habiste që edhe tani të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, sepse nuk dëshiron në asnjë mënyrë ta ndajë pushtetin dhe të hyjë në qeveri koalicioni, qoftë edhe me çmimin që ta humbasë plotësisht pushtetin“, përfundon Pavkoviq.
Nuk janë shteruar të gjitha mundësitë
Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare Qendra për Avokimin e Kulturës Demokratike (ACDC), Dushan Radakoviq, vlerësoi se ende nuk janë shteruar të gjitha mundësitë për zgjidhjen e krizës politike në Kosovë, por se në këtë moment kryeministrit Albin Kurti nuk i përshtaten zgjedhjet e reja.
„Nuk janë shteruar të gjitha mundësitë. Mendoj se në këtë moment Kurtit nuk i përshtaten zgjedhjet në asnjë aspekt, sepse PDK-ja po e forcon atë nacionalizëm që e kishte humbur përmes UÇK-së dhe ushtrisë. Pas vendimit, kjo filloi të marrë hov, sepse tashmë prej kaq ditësh kemi protesta“, thotë Radakoviq për Kosovo online.
Ai konsideron se, nëse vjen deri te zgjedhjet e jashtëzakonshme, ato mund të mbahen në fund të dhjetorit.
„Sigurisht që Kurti, edhe për shkak të vendimit që u mor në Hagë, por edhe për shkak se tashmë tri-katër herë ka organizuar zgjedhje pa ndonjë rezultat konkret, qeveri pa qeveri, pa kuvend, nëse nuk mund t’i organizojë më 27 dhjetor, siç dëshiron, me siguri do të ketë një numër më të vogël votuesish“, tha Radakoviq.
Ai pret që Kurti tani, ndoshta edhe në dëm të pushtetit të tij, të përpiqet të gjejë hapësirë për parlamentarizëm dhe dialog me partitë opozitare.
„Tani, supozoj, PDK-ja do të kërkojë kandidatin e saj, dikë që ndoshta nuk do të jetë nga ajo parti, por ndonjë intelektual që do ta mbështesë fuqishëm shuarjen e Dhomave të Specializuara, në mënyrë që ai vendim në njëfarë mënyre të mënjanohet, të minimizohet, që ata sundimtarë të kthehen në vendin e tyre. Por, nga ana tjetër, do të shohim nëse gjykata do të qëndrojë deri në fund. Unë sinqerisht shpresoj se po“, konsideron ai.
Radakoviq thotë se një nga skenarët e mundshëm do të ishte shmangia e zgjedhjeve të reja përmes gjetjes së një kandidati kompromisi për president, duke vlerësuar se përgjegjësia për një marrëveshje të tillë do të ishte para së gjithash mbi Kurtin.
„Shpresoj se nuk do të ketë zgjedhje dhe se do të gjendet ndonjë zgjidhje. Mendoj se aktualisht ky ‘patate e nxehtë’ është në duart e Kurtit. Çështja është se në ç’mënyrë mund ta zgjidhë situatën pa zgjedhje dhe të ketë një kandidat të cilin ai deri diku nuk e dëshiron, ndërkohë që pala tjetër vetëm sa forcohet në këtë mënyrë nëse ka kandidatin e vet për president“, përfundoi Radakoviq.
Inati të lihet mënjanë
Kryetari i Alencës së Biznesit të Kosovës Agim Shahini, theksoi se politikanët në Kosovë nuk kanë treguar interes për popullin dhe se duhet ta lënë mënjanë inat dhe përçarjen politike kur bëhet fjalë për zgjedhjen e presidentit.
"Politikanët tanë, siç e kanë treguar deri më tani, nuk janë të interesuar për popullin dhe shtetin, sa i rëndësishëm është interesi personal për ta. Duhet ta lënë mënjanë inat dhe përçarjen politike. Duhet të qëndrojmë së bashku, të gjitha partitë, veçanërisht në shtetet demokratike, sepse në Kosovë asnjë parti nuk ka shumicën e mjaftueshme për të zgjedhur presidentin. Presidenti duhet të jetë nga partia opozitare, për hir të një demokracie më të mirë. Të gjitha funksionet në një shtet nuk duhet të mbahen nga një parti, në këtë rast Vetëvendosja", tha Shahini për Kosovo online.
Shahini beson se mbështetja për propozimin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës nuk duhet të kushtëzohet nga votat për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.
"Këto janë dy gjëra të ndryshme, nuk duhet të vendosësh kushte. Kjo tregon sa të papjekur janë politikanët tanë nëse ata vërtet e kushtëzojnë njëri-tjetrin në këtë mënyrë. Ne duhet të zgjedhim një president të fortë, që ka dyer të hapura në Bashkimin Evropian dhe në të gjithë botën, që duhet të thyejë të gjitha pengesat që kemi krijuar së fundmi dhe të ecë përpara si Kosova, sepse Kosova është prapa vendeve të tjera në Ballkan", tha ai.
Shahini është i mendimit se Kosova nuk ka nevojë për shpenzime në formën e zgjedhjeve të reja dhe se nëse kjo ndodh, qytetarët duhet të mendojnë se për kë votojnë.
"Nuk mendoj se duhet të shkojmë në zgjedhje të reja. Do të kemi shumë shpenzime dhe do t'i lëmë të papërfunduara të gjitha reformat dhe ligjet që janë të rëndësishme dhe urgjente. Institucionet nuk do të jenë në funksion për muaj të tërë pas zgjedhjeve. Por, për aq sa shoh unë, nuk ka ndonjë histori serioze për zgjedhjen e presidentit. Nëse politikanët nuk gjejnë një marrëveshje, atëherë të gjithë votuesit duhet të mendojnë se për kë po votojnë", tha bashkëbiseduesi ynë.
Shahini theksoi se Kosova ka qenë pa institucione funksionale për dy vjet, gjë që ndikon në humbjen e parave nga Plani i Rritjes, nga i cili Kosova ka marrë vetëm shtatë përqind të 882 milionëve të parashikuar deri më tani.
0 komentet