Aktgjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve në rastin e pengimit të drejtësisë më 17 nëntor
Aktgjykimi ndaj udhëheqësit të ish-UÇK-së, Hashim Thaçi, dhe të tjerëve në procesin gjyqësor për pengim të drejtësisë, që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, do të shpallet të martën, më 17 nëntor, në orën 10:00.
Në këtë proces gjyqësor, siç është njoftuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, përveç Thaçit, të akuzuar janë edhe ish-shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe ish-ministri i Drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi.
Sipas aktakuzës, Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë ngarkohen me vepra penale që lidhen me përpjekjet për të ndikuar në mënyrë të paligjshme në dëshmitë e dëshmitarëve në procesin gjyqësor për krime lufte.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi, gjatë periudhës nga 12 prilli deri më 2 nëntor 2023, u ka përcjellë Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit informacione konfidenciale lidhur me dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, si dhe udhëzime se si të ndikonin në dëshmitë e tyre.
Prokuroria pretendon gjithashtu se Thaçi ka koordinuar tri grupe të veçanta me qëllim ndikimin në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin për krime lufte.
Kundër Thaçit janë ngritur tri akuza për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, katër për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër për mosrespektim të gjykatës.
Kundër Smakajt, Kilajt dhe Fazliut janë ngritur nga dy akuza, ndërsa kundër Kuçit janë ngritur dy akuza për mosrespektim të gjykatës.
Prokuroria ka kërkuar që Thaçi të dënohet me gjashtë vjet burgim, si dhe që koha e kaluar në paraburgim të mos i llogaritet në dënimin eventual.
Aktakuza fillestare është dorëzuar më 29 nëntor 2024, ndërsa aktakuza e ndryshuar dhe e konfirmuar është dorëzuar më 16 prill 2025. Gjykimi ka filluar më 27 shkurt 2026, ndërsa fjalët përfundimtare janë paraqitur nga 10 deri më 14 shtator 2026.
Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu janë arrestuar më 5 dhe 6 dhjetor 2024 dhe janë transferuar në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara. Hashim Thaçit i është dorëzuar urdhërarresti në qendrën e paraburgimit, ndërsa Hajredin Kuçit i është dorëzuar ftesa për paraqitjen e parë në gjykatë.
Gjykatësi i vetëm që drejton çështjen ka urdhëruar më 3 dhjetor 2025 lirimin me kusht të Isni Kilajt, ndërsa më 3 shkurt 2026 edhe të Bashkim Smakajt dhe Fadil Fazliut.
Gjatë gjykimit, katër dëshmitarë kanë dëshmuar në sallën e gjyqit, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Katër udhëheqësit e UÇK-së janë dënuar më 16 shtator nga Dhomat e Specializuara, në shkallë të parë, për krime lufte që përfshijnë arrestimin dhe privimin arbitrar nga liria, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
0 komentet