Forumi i BE-së për zgjerimin hapet sonte në Bruksel
Forumi i BE-së për zgjerimin do të hapet sonte në Bruksel me performancën e grupit muzikor nga Sllovenia “Kopabanda” dhe Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor, ndërsa të pranishmëve do t'u drejtohet edhe komisionerja evropiane për zgjerimin, Marta Kos.
Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor mbledh të rinj nga Shqipëria, Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova, transmeton RTV.
Pjesa qendrore e Forumit do të mbahet të hënën në Bruksel, me temën “Evropë më e gjerë – Evropë më e fortë”, ku do të flasin Marta Kos, e cila është nikoqire e Forumit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.
Në mesin e folësve do të jetë edhe një përfaqësues i Listës Studentore, emri i të cilit nuk është bërë i ditur.
Në këtë tubim do të marrin pjesë presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, kryeministri i Ukrainës, Serhij Korecki, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Forumi mbledh përfaqësues të BE-së dhe të vendeve kandidate nga fusha të ndryshme, si liderë politikë, përfaqësues të shoqërisë civile, sipërmarrës, artistë, të rinj dhe ekspertë politikë.
Qëllimi i Forumit të këtij viti është të trajtojë perspektivën e zgjerimit të BE-së në kontekstin e sfidave gjeopolitike dhe ndryshimeve tektonike, si dhe të inkurajojë të gjithë aktorët e përfshirë që të vazhdojnë procesin.
Në prag të Forumit, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se zgjerimi është një imperativ gjeopolitik për BE-në dhe një investim afatgjatë në paqe, stabilitet dhe siguri, por se nevojitet një dinamikë më e madhe, pasi zgjerimi i bazuar në merita nuk do të thotë zgjerim i ngadalshëm, por i parashikueshëm.
Komisionerja Marta Kos theksoi se gjatë këtij viti është arritur më shumë përparim në procesin e zgjerimit sesa në cilindo vit që nga viti 2002 dhe se është koha që Bashkimi Evropian të përgatitet për anëtare të reja.
“Zgjerimi ofron mundësinë për të ndërtuar një Evropë më të fortë, e cila është e aftë ta formësojë vetë të ardhmen e saj”, deklaroi Marta Kos.
0 komentet