Kritika ndaj Serbisë për qëllimin për të ndëshkuar krimet apo një kaleidoskop juridik
Për shkak të ligjit të propozuar për juridiksionin gjyqësor në territorin e Kosovës, Serbia është përballur me kritika nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Gjermania dhe BE-ja në tërësi, të cilat shohin në këtë shkelje të obligimeve nga dialogu me Prishtinën. Ndonëse publikisht nuk është saktësuar se cilat obligime po shkelen, sipas disa interpretimeve, Beogradi akuzohet për shkelje të marrëveshjes për integrimin e komunitetit serb në sistemin gjyqësor të Kosovës. Lista Serbe i sheh vërejtjet e bëra ndaj Serbisë si aplikim të standardeve të dyfishta sepse në të njëjtën kohë kërkohet ndjekja penale e pjesëmarrësve në konfliktin në Banjskë. Kush i sheh gjërat përmes prizmit të saktë?
Shkruar nga: Dushica Radeka Gjorgjeviq
Nga këndvështrimi i atyre që e njohën Kosovën një ose pak ditë pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë më 17 shkurt 2008, është e qartë se ligjet e miratuara në Prishtinë zbatohen në Kosovë, nga këndvështrimi i Beogradit, është edhe më e qartë se Kosova është krahinë serbe sipas Kushtetutës së Serbisë, dhe marrëveshja me Prishtinën, ndonëse kishte ide të tilla, në bazë të parimit: “Pajtohemi të mos pajtohemi” nuk u arrit.
Sa i përket asaj që është e paqartë apo paradoks, Lista Serbe theksoi se ndërsa dënon projektligjin e qeverisë serbe lidhur me juridiksionin gjyqësor mbi territorin e Kosovës, Serbisë po ashtu i kërkohet të sjellë para drejtësisë Millan Radoiçiqin dhe të tjerët që ishin pjesë e konfliktit në Banjskë.
Ashtu si statusi i Kosovës dhe “sjellja para drejtësisë”, me sa duket, mund të shihet nga dy këndvështrime, ndaj sociologu Vladimir Vuletiq thotë për Kosovo online se në fakt pritet që Serbia të ekstradojë persona që mund të kërkohen nga gjykatat e Kosovës, edhe pse qëndrimi i Serbisë për këto çështje është i përcaktuar me Kushtetutën e saj.
Dhe sipas analistit politik Nexhmedin Spahiu, vënia para drejtësisë nuk do të thotë domosdoshmërisht se Serbia duhet të jetë ajo që duhet të gjykojë.
Avokati Goran Petronijeviq, i cili është edhe avokati mbrojtës i Radoiçiqit, megjithatë thekson se nëse Serbisë i kërkohet të ndjekë penalisht Milan Radoiçiqin, prokuroria dhe gjykatat në Serbi duhet ta bëjnë këtë.
“Por nuk kanë bashkëpunimin e autoriteteve të Kosovës në këtë, madje as EULEX-in që të sigurojë prova në bazë të të cilave prokuroria do të mund të vepronte. Të gjitha këto po i bëjnë për të kompromentuar prokurorinë dhe gjykatat në Beograd që të thonë: 'nuk punojnë, nuk duan të punojnë' dhe kështu të na vënë nën presion të Perëndimit, dhe se nuk është e vërtetë, është krejt e kundërta”, pohon Petronijeviq.
Ai kujton se Milan Radoiçiq doli pas ngjarjeve në Banjskë dhe tha: 'E bëra', dhe tha arsyet dhe se nuk ka asnjë "sekret dhe mjegull".
“Ishte një rezistencë ndaj torturave të tmerrshme të regjimit të Kurtit ndaj popullit të Kosovës dhe Metohisë. Dhe se ata kishin të drejtë, tregon vazhdimi i asaj torture dhe rezultati i gjithçkaje që ndodhi në periudhën në vijim. Shteti reagoi, e ndaloi, e mori në pyetje, nisi procedimin dhe kërkoi prova nga ata që posedonin ato prova. Ata nuk i japin. Nuk i japin sepse e dinë që mungesa e provave këtu do të bllokojë procedurën dhe se pa ato prova nuk mund të zhvillohet. Dhe, do ta përdorin në drejtim të përhershëm politik dhe juridik të sulmit ndaj shtetit të Serbisë”, vlerëson Petronijeviq.
Presionet e njëkohshme të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë për Banjskën dhe indinjata që Serbia po përpiqet të formojë një departament special të prokurorisë dhe gjykatës dhe të ndjekë penalisht të gjithë ata që kanë kryer krime në Kosovë, për Petronijeviqin është - zbatim jo parimor i ligjit.
Siç shton ai, projektligji për kompetencën e autoriteteve gjyqësore në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës, i cili është miratuar nga Qeveria e Serbisë, nuk i përgjigjet një pjese të bashkësisë ndërkombëtare sepse aleatët e tyre, të cilët ishin me ta në vitin 1998 dhe 1999, do të bien nën ndikimin e një veprimtarie të tillë legale, që do të thotë "UÇK dhe pasuesit e tyre".
Ai thekson se njerëzit në Serbi pothuajse janë mësuar me faktin se ekziston një pikëpamje joparimore për një problem të caktuar dhe se konsiderohet normale kur dikush thotë: “në këtë rast shteti duhet të funksionojë, por në këtë rast nuk duhet të funksionojë".
“Kosova dhe Metohia është kushtetutisht dhe ndërkombëtarisht pjesë përbërëse e territorit të Republikës së Serbisë, një shtet i pavarur i njohur ndërkombëtarisht. Kjo është një situatë faktike, juridike dhe gjendja faktike është pak më ndryshe sepse Kosova dhe Metohia është pjesë e territorit të okupuar, sado që autoritetet tona dhe shumë njerëz të rezistojnë ta thonë dhe ta pranojnë. Ata janë të okupuar nga NATO dhe UÇK, pra pasardhësit e tyre që tani vishen me uniforma të ndryshme dhe formojnë ushtrinë, në kundërshtim me Rezolutën 1244 dhe të gjitha marrëveshjet dhe aktet e mundshme që janë arritur në nivel ndërkombëtar”, thotë Petronijeviq.
Ndryshe, Propozimi i ligjit “për organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë”, ka hyrë në procedurë parlamentare, dhe thuhet se qëllimi është mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutën e Serbisë dhe dokumentet ndërkombëtare, duke pasur parasysh rritjen e shkeljeve dhe mohimit të të drejtave të njeriut në territorin e Kosovës. Parashikohet që ligji të zbatohet për qëllime të ndjekjes penale dhe gjykimit për të gjitha veprat penale të kryera pas datës 17 shkurt 2008 në territorin e Kosovës.
Vuletiq beson se vlerësimi i Departamentit Amerikan të Shtetit sipas të cilit propozimi i këtij ligji paraqet shkelje të obligimeve nga dialogu, buron nga qëndrimi i SHBA-së se Kosova dhe Serbia janë dy shtete të pavarura dhe se Serbia nuk ka autoritet të ndërhyjë në çdo gjë që lidhet me ndjekjet penale apo ndonjë ndjekje tjetër në Kosovë.
“Kosova dhe Metohia është një zonë që aktualisht nuk është nën autoritetin e autoriteteve shtetërore të Serbisë, por kjo nuk do të thotë se Serbia heq dorë nga e drejta për t'i pasur ato autoritete në mënyrën e përcaktuar me propozimin e këtij ligji. Ai akt, jo vetëm gjyqësor, por edhe politik, është reagimi i Serbisë ndaj mosveprimit të KFOR-it dhe institucioneve të tjera ndaj kërcënimit gjithnjë e më intensiv ndaj të drejtave dhe lirive të njeriut të serbëve që jetojnë në Kosovë dhe Metohi dhe sjelljes e institucioneve të përkohshme. Pra, kjo është një mosmarrëveshje që ekziston për një kohë të gjatë kur flasim jo vetëm për Prishtinën dhe Beogradin, por edhe për Uashingtonin dhe Beogradin”, shpjegon Vuletiq.
Siç shton ai, projektligji për juridiksionin gjyqësor të Serbisë në territorin e Kosovës ka ardhur në kohën kur qeveria në Uashington është gati të ndryshojë dhe për Beogradin do të jetë interesante se si do të reagojë administrata e re amerikane ndaj këtij propozimi, sepse projektligji ende nuk ka kaluar në procedurë parlamentare.
“Do të jetë një lloj testi për të parë se si e sheh administrata Trump zgjidhjen e këtij konflikti dhe çfarë do të thonë për të. Shpresoj që administrata Trump, jo kur bëhet fjalë për zgjidhje praktike, por në përgjithësi kur bëhet fjalë për frymën politike të zgjidhjes së problemeve, do të jetë më afër asaj që mund ta quajmë kompromis dhe asaj që është në të vërtetë politika e Serbisë”, thotë Vuletiq.
Sipas Spahiut, nuk duhet të interpretohet se SHBA-të kanë standarde të dyfishta kur njëkohësisht i bëjnë thirrje Serbisë që të sjellë para drejtësisë Millan Radoiçiqin për ngjarjet në Banjskë dhe kur kritikojnë Serbinë për ligjin e propozuar për juridiksionin gjyqësor në territorin e Kosovës, sepse siç thotë ai, vënia para drejtësisë nuk do të thotë domosdoshmërisht se Serbia duhet të jetë ajo që duhet të gjykojë.
“Meqenëse, sipas pikëpamjes amerikane, Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, atëherë ligji i propozuar është ndërhyrje në gjyqësorin e një shteti tjetër fqinj. Sa i përket sjelljes së tij para drejtësisë, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se Serbia ta gjykoj, por se duhet ta dorëzojë atë (Radoiçiqin)”, tha Spahiu për Kosovo online.
Ai shton se bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve gjyqësore të vendeve që kanë krijuar marrëdhënie të ndërsjella është një gjë normale.
“Sigurisht që ata që nuk kanë marrëdhënie nuk bashkëpunojnë, por në këtë rast bëhet fjalë për disa marrëveshje bashkëpunimi që janë arritur dhe është ftesë për atë bashkëpunim”, thotë Spahiu.
0 komentet