Ambasada britanike për shembjen e shtëpive në Ujman: Të zgjidhen në mënyrë transparente problemet dhe të shmangen veprimet që mund të minojnë besimin

mehanizacija na Gazivodama, rušenje vikendica
Burim: Kosovo Online

Ambasada e Britanisë së Madhe shprehu sot shqetësimin për shembjen e shtëpive në afërsi të liqenit të Ujmanit dhe ftoi autoritetet kosovare që të angazhohen me komunitetet e prekura. Të zgjidhin në mënyrë transparente problemet dhe shmangur veprimet e mëtejshme që mund të minojnë besimin e publikut apo besimin mes komuniteteve.

"Ambasada Britanike është e shqetësuar për shembjen e shtëpive në afërsi të liqenit të Ujmanit dhe ndjek me kujdes zhvillimet. Respektimi i sundimit të ligjit kërkon procese të drejta dhe transparente tek të cilat të prekurit do të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e tyre", thuhet në postimin në rrjetin social "X".

Ambasada, sikurse shtoi, është veçanërisht e shqetësuar për raportimet se masat e zbatimit të ligjit janë ndërmarrë, ndërsa procedurat gjyqësore janë ende në vazhdim.

Në deklaratë theksohet se ligji duhet të zbatohet në mënyrë të vazhdueshme dhe të paanshme në mbarë Kosovën.

"Ftojmë autoritetet kosovare të angazhohen me komunitetet e prekura, të zgjidhin problemet në mënyrë transparente dhe të shmangin veprime të mëtejshme që mund të minojnë besimin publik ose besimin mes komuniteteve", thuhet nga Ambasada Britanike në Prishtinë.

Më herët sot, Zyra e BE në Kosovë shprehu keqardhjen për shkak të shembjes së djeshme të shtëpive në zonën e liqenit të Ujmanit që u ndërmorr ndërsa banorët e prekur kishin nisur procedurat ligjore brenda periudhës 15-ditore, të përcaktuar në njoftimet e ndërmarrjes publike Ibar-Lepencit për braktisjen dhe pastrimin e truallit, njoftohet nga ky institucion.

Ambasada Gjermane në Prishtinë njoftoi se ndan shqetësimin e shprehur nga Bashkimi Europian për shembjet e shtëpive në liqenin e Ujmanit dhe bëri thirrje për pezullim urgjent të këtyre aktiviteteve.

Dje në mëngjes nisi shembja e objekteve dhe shtëpive në liqenin e Ujmanit dhe sipas fjalëve të kryekomunarit të Zubin Potokut Millosh Peroviq, Komuna e Zubin Potokut për këtë nuk dha leje dhe shembjet janë ndërmarrë pa vendim gjykate.