Kush i frikësohet zgjedhjeve, kush i dëshiron ato dhe çfarë sjell “faktor Osmani”?
Zgjedhjet që do të pasonin nëse deri më 28 prill nuk zgjidhet presidenti i ri i Kosovës do të përzienin deri diku kartat në skenën politike në Prishtinë. Pak kush beson se Lëvizja Vetëvendosje mund ta përsërisë rezultatin nga dhjetori i vitit të kaluar, por gjithashtu edhe se mund të dobësohet aq shumë sa të mos jetë faktor në zgjedhjen e presidentit. Rikthimi i Vjosa Osmanit në arenën politike do t’i marrë me siguri një pjesë të votave partisë së Albin Kurtit, por mbetet e paqartë nëse partitë opozitare, pas një matjeje të re të forcave, do të ishin të gatshme të dalin nga hendekët dhe të formojnë vetë qeverinë, si dhe nëse për këtë do të kishin mbështetje nga jashtë.
Shkruan: Dushica Radeka Gjorgjeviq
Afati që Gjykata Kushtetuese u ka dhënë deputetëve për zgjedhjen e presidentit skadon për më pak se dy javë.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila aktualisht ka 57 vende në parlament, sipas analistëve nuk ka arsye të dëshirojë zgjedhje të reja, por sillet në mënyrë të kundërt. Sipas bashkëbiseduesve të Kosovo online, duket sikur partia në pushtet tashmë ka hyrë thellë në një fushatë të re.
Paradoksalisht, theksojnë ata, duke pasur parasysh se në lojë do të hyjë Vjosa Osmani.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi sot se ka komunikim me liderët e partive opozitare për zgjedhjen e presidentit, por shumëkush i sheh këto negociata prapa skenave si një farsë. Nga PDK vijnë akuza se gjithçka është vetëm një shfaqje për t’u treguar qytetarëve se Vetëvendosje gjoja ka treguar gatishmëri për bashkëpunim.
Sipas analistit Artan Muhaxhiri, zgjedhjet e jashtëzakonshme janë të pashmangshme, pasi nuk ka shenja se liderët politikë dhe partitë do të gjejnë një zgjidhje për çështjen e presidentit.
Në zgjedhjet e reja, sipas tij, Vetëvendosja do të merrte më pak vota se në dhjetor të vitit të kaluar.
“Kjo është hera e dytë që kryeministri Kurti bën të njëjtën gjë. Vitin e kaluar e bëri me kryetarin e Kuvendit, ndërsa tani me presidentin. Edhe pse ka 51 për qind, nuk përpiqet të gjejë një zgjidhje të pranueshme. E vetmja gjë që bën është të fajësojë opozitën”, tha Muhaxhiri për Kosovo online.
“Faktori Osmani”
Vetëvendosja në zgjedhjet e mundshme, siç thekson ky analist, nuk do ta ketë lidhjen me Vjosa Osmanin, e cila më parë i ka ndihmuar shumë kur ekzistonte një lloj aleance mes Kurtit dhe Osmanit për sjelljen e një gjenerate të re liderësh politikë.
“Kurti tani nuk do ta ketë Osmanin. Jam i sigurt se ajo do të krijojë një parti të re dhe do të jetë pjesë e lojës politike. Do t’i marrë vota Vetëvendosjes, por edhe disa të reja. Kur shkoi te Vetëvendosje solli votat e saj dhe tani është legjitime që mund t’i marrë ato”, vlerëson Muhaxhiri.
Megjithatë, opozita, sipas tij, nuk ka asnjë plan dhe është shumë pasive, ndërsa gjithçka varet prej saj.
“Nëse opozita është shumë e dobët dhe nuk mund ta mposhtë populizmin e Kurtit, ai do të fitojë përsëri. Por nëse bëjnë politikë normale, sjellin njerëz të rinj, profesionistë dhe kanë ndihmën e Vjosa Osmanit si aleate, mendoj se Vetëvendosje do të ketë më pak vota dhe opozita më shumë, gjë që do të sillte ndryshime në skenën politike të Kosovës. Natyrisht, gjithçka varet nga përqindjet, por të paktën do të fillonte ndryshimi sepse Kurti nuk do ta kishte më këtë shumicë të madhe dhe do të detyrohej të bënte kompromise dhe të ndiqte politikë më normale”, tha Muhaxhiri.
Politologu Ognjen Gogiq thekson se, në mënyrë racionale, zgjedhjet e reja nuk i shkojnë për shtat Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes, sepse është e vështirë të imagjinohet që kjo parti mund të ketë rezultat më të mirë se në dhjetor, dhe se opozita është ajo që duhet të synojë më shumë zgjedhje të reja – por aktualisht duket sikur të dyja palët e dëshirojnë një rezultat të tillë.
“Sipas mesazheve që dërgohen, të dyja palët duken të interesuara për zgjedhje të reja, edhe pse ato në fakt nuk do të zgjidhnin asgjë”, thekson Gogiq.
Rezultatet e zgjedhjeve të dhjetorit 2025, sipas tij, janë baza për të gjitha partitë kur vlerësojnë shanset e tyre, por faktori që ua ndryshon llogaritë të gjithëve është Vjosa Osmani.
“Ajo është dikush që ka kaluar nga pozita në opozitë. Ajo i sillte një numër të caktuar votash Vetëvendosjes, ndërsa tani do t’ia marrë dhe do t’i kalojë në kampin opozitar”, tha Gogiq për Kosovo online.
Duke marrë parasysh këtë, shton ai, është krejtësisht absurde që Vetëvendosje të mendojë për zgjedhje të reja në vend që të kërkojë kompromis me një pjesë të opozitës për të siguruar zgjedhjen e presidentit në këtë mandat të Kuvendit.
Një boshllëk i ri juridik?
Zgjedhjet, siç thekson Gogiq, nuk do të zgjidhnin asgjë sa i përket zgjedhjes së presidentit të Kosovës, sepse për këtë do të jetë ende i nevojshëm një marrëveshje mes pushtetit dhe opozitës.
“Sërish do të vinte deri te fakti që pushteti, të paktën me një pjesë të opozitës, duhet të arrijë marrëveshje për zgjedhjen e presidentit. Në terma konkretë, pa Kurtin dhe mbështetjen e tij nuk do të mund të zgjidhej presidenti. Qoftë duke e propozuar ai dhe duke dhënë votat, qoftë duke siguruar kuorumin. Vetëvendosje nuk do të binte aq shumë sa të mos ketë rol në zgjedhjen e presidentit”, thotë ai.
Në të njëjtën kohë, ai thekson një boshllëk kushtetues-juridik që mund të shfaqet në rast të zgjedhjeve të reja. Siç shpjegon ai, pas tyre do të hapet çështja se kur do të zgjidhet presidenti i Kosovës: menjëherë pas konstituimit të përbërjes së re të Kuvendit apo kjo çështje do të shtyhet deri në tetor, pasi mandati i ushtruesit të detyrës së presidentit mund të zgjasë deri në gjashtë muaj.
“Albulena Haxhiu mund të qëndrojë në postin e ushtrueses së detyrës deri në tetor. Prandaj shtrohet pyetja nëse ai që do të formojë qeverinë, Kurti apo opozita aktuale, do të jetë fare i detyruar të merret me këtë çështje në radhë të parë, apo ndoshta nuk do të kenë detyrim ta trajtojnë menjëherë, gjë që u jep atyre një periudhë prej disa muajsh ku mund të merren vetëm me formimin e qeverisë dhe qeverisjen, e jo me zgjedhjen e presidentit”, thekson Gogiq.
Ndikimet nga jashtë
Nëse në zgjedhjet e mundshme partitë opozitare sigurojnë më shumë mandate se sa kanë aktualisht, sipas tij, ka gjasa që të ketë më shumë gatishmëri për arritjen e një marrëveshjeje mes tyre për formimin e qeverisë, krahasuar me situatën pas zgjedhjeve të dhjetorit.
Edhe pse do të kishte ende faktorë që mund të pengonin një marrëveshje të tillë, Gogić vlerëson se rezultatet mund të jenë ndryshe dhe se faktori i Vjosa Osmanit do të ketë rol kyç.
“Ajo me gjasë do të ishte lidere e partisë më të fortë opozitare dhe pastaj do të kishte mundësi të formonte kabinetin rreth vetes. Duket se opozita këtë herë do të ishte më e fortë edhe në aspektin matematikor dhe më e gatshme për marrëveshje. Për më tepër, këtë do ta mbështeste dhe inkurajonte edhe Perëndimi”, vlerëson Gogiq.
Gazetari nga Mitrovica e Veriut, Lazar Steviq, është skeptik se pas zgjedhjeve eventuale partitë opozitare do të bashkohen dhe do të formojnë qeveri edhe nëse arrijnë rezultat më të mirë, por ai nuk e përjashton këtë mundësi nëse shfaqet një “faktor i tretë nga jashtë”.
“Nëse ndodh që partitë opozitare t’i marrin seriozisht zgjedhjet dhe të bëjnë një riorganizim të rëndësishëm në veprimtarinë e tyre, mund të ndodhë që të arrijnë rezultat të mirë me atë faktor që quhet Vjosa Osmani, kushdo që ta shfrytëzojë atë. Por nuk mendoj se kjo do t’i ndihmojë të krijojnë koalicion dhe të formojnë qeveri të re edhe nëse arrijnë rezultat të mirë. Në këto parti ka dallime të mëdha dhe të rëndësishme. Vetëm nëse shfaqet një faktor i tretë nga jashtë që do t’i detyrojë të bashkëpunojnë për të formuar qeverinë dhe që Kosova më në fund, pas një kohe të gjatë, të hyjë në një rrjedhë stabile ku nuk do të ketë zgjedhje çdo gjashtë muaj”, tha Steviq për Kosovo online.
Edhe pse Vetëvendosja, siç thotë ai, aktualisht ka shumicën e nevojshme për një qeveri stabile në katër vitet e ardhshme, ajo tashmë ka hyrë thellë në një fushatë të re.
Zgjedhjet, sipas tij, janë opsioni më realist dhe në to do të përfitojë më së shumti ai të cilit do t’i bashkohet Vjosa Osmani.
“Për momentin, opsioni më realist është që ajo të jetë së bashku me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe t’u japë atyre mbështetje, me çka do t’i marrë më së shumti vota Vetëvendosjes. Sidomos nga ajo grup votuesish që kanë votuar për Vetëvendosjen kryesisht për shkak të Vjosa Osmanit dhe që besonin se Vetëvendosje do ta propozonte Osmanin për edhe një mandat si presidente. Ata tani mendojnë se ajo është tradhtuar. Është tradhtuar besimi i tyre dhe kjo sigurisht do t’i marrë një numër votash Vetëvendosjes nëse mbahen zgjedhje të reja parlamentare”, vlerëson bashkëbiseduesi ynë.
Kurti pa “xhoker”
Steviq gjithashtu vlerëson se Vetëvendosje nuk mund ta përsërisë rezultatin nga zgjedhjet e dhjetorit, sepse atëherë, siç thotë ai, shumë gjëra u përputhën në favor të saj, si ardhja në Kosovë e një numri të madh njerëzish që jetojnë jashtë vendit dhe që në masë të madhe votojnë për Kurtin.
“Ai përsëri nuk ka ofruar asgjë ekonomike për votuesit e tij. Asgjë nuk ka shkuar për më mirë. Ndërkohë kanë ndodhur shumë shtrenjtimе. Lufta në Iran e rriti çmimin e naftës nga 1.15 në pothuajse 1.8 euro. Ai aktualisht nuk ka zgjidhje ekonomike që mund t’u ofrojë votuesve, kështu që jam i sigurt se nuk do të mund ta përsërisë atë rezultat. Plus, është edhe faktori që quhet Vjosa Osmani, e cila me shumë gjasë do t’i sjellë një numër votash ndonjërës prej partive opozitare, dhe këto vota nuk ka nga t’i marrë tjetër përveçse nga Vetëvendosje”, vlerëson Steviq.
Ai shton se qytetarët janë lodhur nga zgjedhjet çdo gjashtë muaj.
“Të gjithë po shikojnë nga Kuvendi nëse do të propozohet ndonjë emër i ri, por shohim se Vetëvendosje, në vend që të merret me çështjen se kë do të propozojë për president të ri, tashmë pjesërisht ka hyrë në një fushatë të re. Albin Kurti ngadalë ka nisur vizitat, si në zgjedhjet e mëparshme duke filluar nga veriu, kështu që besoj se Vetëvendosje tashmë ka hyrë thellë në një fushatë të re dhe po përgatitet për zgjedhje të reja”, përfundon ai.
Muhaxhiri gjithashtu vlerëson se Kurti nuk ka “xhoker” për zgjedhjet në formën e zhvillimit ekonomik, rritjes së pagave apo zhvillimit të infrastrukturës, prandaj për të koha e zgjedhjeve të mundshme do të jetë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe do të përpiqet t’i shtyjë ato për një datë kur pjesa më e madhe e diasporës të jetë e pranishme.
“Ndoshta në korrik, sepse është i vetëdijshëm se ka mbështetje të madhe nga diaspora. Por kjo është edhe një pyetje për opozitën: pse nuk bëjnë asgjë për të fituar disa vota nga diaspora e Kosovës? Tani nënkuptohet se diaspora në shumicë voton për Kurtin dhe kjo do të jetë një faktor i madh, sepse Kurti nuk ka asnjë ‘xhoker’ tjetër për zgjedhjet, si zhvillimi ekonomik, rritja e pagave apo zhvillimi i infrastrukturës. Ai do të përpiqet t’u japë ndihmë njerëzve, 100 apo 200 euro, për të krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë sidomos me kategorinë e votuesve më të varfër, për të marrë ndonjë votë, sepse nuk ka ndonjë premtim të madh tjetër që do t’i mundësonte të marrë sërish 51 për qind”, përfundon Muhaxhiri.
0 komentet