Mallrat serbe edhe pas një viti vetëm përmes një vendkalimi në Kosovë: Duke pritur skanerët, a ka alternativë?
Mallrat që Kosova importon nga Serbia tash një vit mund të hyjnë vetëm përmes pikës kufitare në Merdarë, ndërsa skanerët, vendosja e të cilëve është parakusht për hapjen e vendkalimeve të tjera, do të jenë funksionalë vetëm pas 12 muajsh. Deri atëherë, si bizneset ashtu edhe konsumatorët do të pësojnë dëme për shkak të kostove që lindin nga pritjet dhe radhët e gjata në Merdarë. Bashkëbiseduesit e Kosovo online besojnë se Dogana e Kosovës mund të organizojë kontrollin e mallrave edhe në vendkalime të tjera, por shprehin frikën se masa e Qeverisë së Kosovës nuk është e motivuar nga arsye të sigurisë, por nga arsye politike.
Shkruan: Dushica Radeka Gjorgjeviq
Kolonë kilometrike kamionësh në Merdarë – pamje e njëjtë si në tetorin e kaluar, kur Qeveria e Kosovës masën e ndalimit të importit të mallrave serbe, të vendosur më 14 qershor 2023, e zëvendësoi me një të re, duke lejuar kalimin e produkteve serbe vetëm në këtë pikë kufitare, nën kontroll të detajuar të doganierëve dhe policisë.
Kontrolli i mallrave që vijnë nga Serbia mund të zgjasë deri në dy ditë në terminal, kanë thënë shoferët e kamionëve për gazetarët e Kosovo online.
“Pritet mjaft gjatë, çdo javë është kështu. Nuk e di sa do të zgjasë kjo, por është shumë e vështirë. Kur kalojmë kontrollin, në terminal qëndrojmë një ditë, ndonjëherë edhe dy. Është mjaft ftohtë, është zonë malore. Shpresoj që diçka të zgjidhet, por si po ecën tani – nuk është mirë”, ka thënë shoferi Ivan Bradiq.
Nëse e vetmja zgjidhje janë skanerët, atëherë sipas të gjitha gjasave, zgjidhje nuk do të ketë deri në vjeshtën e ardhshme.
Në fund të shtatorit të këtij viti, organizata gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar GIZ ka shpallur tender për blerjen e dy skanerëve me rreze X për Kosovën, dhe pritet që blerja, pajisja dhe vënia në funksion të zgjasin 12 muaj.
Edhe pse ishte planifikuar që Kosova të blinte një skaner mobil, deri tani nuk është bërë asgjë në këtë drejtim. Sipas portalit Dukagjini, në fund të gushtit, pavarësisht pesë ofertave, Dogana e Kosovës anuloi procesin e prokurimit me vlerë të vlerësuar prej 2.1 milionë eurosh për skanerin mobil me rreze X “për arsye buxhetore”, duke vlerësuar se asnjëra nga ofertat e pranuara nuk ishte e përshtatshme.
A ka alternativë deri sa të mbërrijnë skanerët?
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, mendon se Kosova ka potencial për të kryer kontrolle të shtuara të mallrave që hyjnë nga Serbia edhe në kalimeve të tjera kufitare, e jo vetëm në Merdar.
Sipas tij, vonesa deri në vendosjen e skanerëve do të ndikojë në të gjithë bizneset.
“Qoftë për bizneset kosovare apo serbe, ndërkombëtare, cilado qofshin, sepse të gjithë presin atje. Kjo ndikon shumë pasi edhe transporti bëhet më i shtrenjtë për shkak të pritjes. Do ta ftoja Qeverinë e Kosovës që sa më shpejt të hapë kufirin edhe në Jarinjë dhe në pikën e Bardh të Dardanës (Gnjilane), dhe që në të gjitha vendkalimet kufitare me Serbinë të rritet kontrolli njësoj si në Merdarë. Kemi potencial për këtë sepse kemi mjaft oficerë doganorë dhe policorë. Kështu do të zvogëlohej radha dhe do të shmangeshin kostot e përditshme për derivate, të cilat në fund i paguajnë të gjithë qytetarët apo konsumatorët, qoftë nga Kosova apo nga Serbia”, tha Shahini për Kosovo online.
Sipas tij, hapja e vendkalimeve të tjera kufitare për hyrjen e mallrave nga Serbia do të ulte radhët dhe do të shmangte kostot që lindin çdo ditë për shkak të pritjeve të gjata në Merdar.
Shahini thotë se, edhe pse është folur se skanerët do të mbërrijnë së shpejti, Aleanca e Bizneseve të Kosovës që atëherë ka theksuar se një gjë e tillë nuk mund të realizohet shpejt, sepse skanerët duhet të prodhohen sipas përmasave dhe standardeve që kërkon Kosova.
“ Aleanca e Bizneseve të Kosovës ka qenë gjithmonë për ekzistimin e kontrollit, pa marrë parasysh nga vjen malli apo ku është destinacioni, por kurrsesi që ai kontroll të jetë selektiv. Aktualisht ekziston vetëm një hyrje, përmes Merdarit, për të gjitha mallrat që vijnë nga Serbia. Kjo shkakton dëme të mëdha për shkak të pritjes së kamionëve dhe shoferëve. Mallrat presin me ditë të tëra dhe krijohen kosto shtesë. Ne duam që sa më shpejt të vendosen këta skanerë. Shqipëria i ka ato prej vitesh — çdo mall për të cilin ekziston dyshim futet në skaner, paguhet, përfundohet procedura dhe vazhdohet më tej. Tek ne kontrolli ende është manual dhe kryhet nga dogana e Kosovës,” ka thënë Shahini.
Sipas tij, problemi qëndron në faktin se shoferët, qofshin shqiptarë apo serbë, që sjellin mallra nga Serbia për në Kosovë, ndonjëherë presin deri në tre ditë, veçanërisht gjatë sezonit veror, gjë që krijon kosto që në fund i paguajnë qytetarët, përkatësisht konsumatorët.
Në pasojat e njëjta ka tërhequr vëmendjen edhe Nenad Gjurgjeviq, këshilltar i kryetarit të Odës Ekonomike të Serbisë.
Sipas tij, rritja e kostos së transportit të mallrave është pasojë e drejtpërdrejtë e faktit që tashmë një vit hyrja e mallrave serbe në Kosovë lejohet vetëm përmes një pike kufitare, gjë që ua vështirëson dhe ua shtrenjon jetën të gjithë atyre që janë pjesë e zinxhirit ekonomik, përfshirë edhe qytetarët. Ai thotë se dëmi është i madh, por gjithsesi më i vogël se sa kur bllokada ishte e plotë.
Oda Ekonomike e Serbisë, thekson ai, ka bërë disa herë thirrje që kjo situatë të ndryshohet.
“Vetë fakti që kalimi lejohet vetëm përmes një pike kufitare ua komplikon punën kompanive, shoferëve dhe kamionëve, sepse krijohen radhë të gjata në hyrje të Kosovës. Pasojë e drejtpërdrejtë e kësaj është rritja e kostos së transportit të mallrave, sepse shoferët nuk pranojnë të vozisin me çmime të caktuara, duke qenë se qëndrojnë më gjatë, mund të bëjnë më pak udhëtime dhe sepse kushtet në atë pikë kufitare nuk janë të përshtatshme për pritje të gjatë,” ka deklaruar Gjurgjeviq për Kosovo online.
Siç thotë ai, mund të dëgjohej se arsyeja për futjen e një mase të tillë është blerja e skanerëve që do të siguronin kontroll më të mirë të hyrjes së mallrave në të gjitha vendkalimet, si një lloj mase kundër terrorizmit, përkatësisht masë sigurie.
“Megjithatë, deri më tani kemi pasur komunikim të rregullt midis organeve tona doganore dhe atyre të Kosovës në të gjitha vendkalimet pa asnjë problem. Mendoj se kjo masë është më shumë politike, që të kufizohet qarkullimi i mallrave nga Serbia në Kosovë, sesa që ka të bëjë vërtet me masa kundër terrorizmit. Duhet ta kemi parasysh gjithashtu që Dogana e Kosovës është ngritur sipas parimeve ndërkombëtare. Ajo është krijuar nga bashkësia ndërkombëtare kur filloi ndërtimin e institucioneve teknike në Kosovë dhe është një ndër shërbimet më të pajisura dhe shumë profesionale. Prandaj, në thelb, nëse do të hynim vërtet në aspektet procedurale, nuk ka arsye për një masë të tillë,” vlerëson bashkëbiseduesi ynë.
Ndryshe, vitin e kaluar, kur shpjegonte pse hyrja e mallrave serbe do të ishte e mundur vetëm përmes Merdarit, derisa të mbërrijnë skanerët për kalimet e tjera kufitare, kryeministri i Kosovës Albin Kurti deklaroi se “situata e sigurisë” nuk ishte ndryshuar aq shumë krahasuar me momentin kur ishte vendosur ndalimi i importit në vitin 2023, duke përmendur si shembuj afrim të ushtrisë serbe pranë kufirit me Kosovën, rastin e Banjskës dhe disa konfiskime të sasisë së madhe të armëve dhe municionit.
Duke lejuar që vetëm një pikë kufitare të jetë e hapur për importin e mallrave nga Serbia, sipas fjalëve të Gjurgjeviqit, po shkelet si marrëveshja e CEFTA-s, ashtu edhe fryma dhe idetë e nisura në kuadër të Procesit të Berlinit, të cilat synojnë mundësimin e komunikimit më të mirë, integrimin dhe krijimin e tregut të përbashkët në Ballkanin Perëndimor.
“Ekziston një plan veprimi që është miratuar nga qeveritë, përfshirë Qeverinë e Kosovës dhe atë të Serbisë, i cili parashikon një sërë masash për të lehtësuar komunikimin dhe kalimin doganor, pra kontrollin. Nëse e marrim parasysh të gjitha këto, me këtë masë jemi shumë hapa pas, e pa përmendur se si ndikon ajo në besimin mes dy komuniteteve. Komuniteti i biznesit ka besim, por kjo masë e komplikon situatën, e shtrenjon mallin, e shtrenjon edhe për kompanitë kosovare importin e mallrave, sepse ato importojnë edhe lëndë të para nga Serbia, importojnë grurë, të cilin më pas e përpunojnë dhe e hedhin në treg. Do të thotë, në thelb, për të gjithë ata që janë pjesë e zinxhirit ekonomik dhe në fund edhe për qytetarët jeta bëhet më e komplikuar dhe më e shtrenjtë,” thekson Gjurgjeviq.
Ai thekson se për zbatimin e planit të veprimit janë zotuar qeveritë, e jo komunitetet e biznesit.
“Apeloj që në kuadër të Procesit të Berlinit, plani i veprimit të vihet në zbatim. Nuk janë komunitetet e biznesit ato që janë zotuar për të, por qeveritë në emër të komuniteteve të tyre të biznesit dhe në interes të qytetarëve të tyre. Do të shohim nëse apeli ynë, dhe në përgjithësi ky kuadër ndërkombëtar, do të ndihmojë që situata të ndryshojë dhe që të hapen të gjitha kalimet kufitare,” përfundon Gjurgjeviq.
0 komentet