Nga “Lugina e Preshevës” deri në Uashington – imponimi i çështjes së të drejtave të shqiptarëve si presion politik ndaj Serbisë

Preševska dolina/Kongres
Burim: Kosovo Online

Në përpjekjet e përfaqësuesve politikë të shqiptarëve nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja për të imponuar çështjen e gjoja rrezikimit dhe diskriminimit të komunitetit shqiptar në atë pjesë të Serbisë, nuk ka asgjë të re. Prej kohësh vazhdojnë përpjekjet që kjo çështje të bëhet pjesë e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel, ndërsa lëvizjen e fundit, edhe pse jo të papritur, e ka bërë së fundmi kongresmeni amerikan Kit Self, duke paraqitur në Kongresin e SHBA-së një ligj me të cilin kërkohet raport mbi pozitën e pakicës shqiptare në “Luginën e Preshevës”. Reagimet mbi arsyeshmërinë e një dokumenti të tillë kanë nisur të pasojnë – nga Shqipëria vjen mbështetja, nga Beogradi mesazhi se diskriminim ndaj shqiptarëve në Serbi nuk ka, por edhe se çështjet e tyre nuk zgjidhen në Uashington, por në Beograd. Analistët nga Beogradi dhe Prishtina janë në pozicione të ndryshme, ndërsa diku në gjithë këtë zhurmë, duket se plotësisht të harruar mbeten serbët në Shqipëri, të cilët në atë vend janë praktikisht të asimiluar.

Shkruan: Darko Savanoviq

Me këtë ligj, ndër të tjera, kërkohet shqyrtimi i pasivizimit të adresave, i cili, sipas pretendimeve, përdoret për fshirjen e shqiptarëve nga regjistrat civilë, duke u mohuar kështu, siç pretendohet, e drejta e votës dhe qasja në shërbimet themelore publike. Kërkohet gjithashtu shqyrtimi i kufizimeve të supozuara në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet publike, si dhe diskriminimi i pretenduar në fushën e arsimit.
Ky është vetëm hapi i parë, ndërsa rruga deri te hyrja eventuale në fuqi e këtij ligji është e gjatë. Drafti i ligjit ende duhet t’i dërgohet për shqyrtim dhe votim seancës plenare të Dhomës së Përfaqësuesve. Nëse miratohet, duhet ta aprovojë edhe Senati, e në fund ta nënshkruajë presidenti amerikan Donald Trump. Megjithatë, vetë paraqitja e këtij akti ka shkaktuar entuziazëm te shqiptarët.
Mbështetja ka ardhur nga Tirana. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë vlerësoi se ky akt përfaqëson një “hap të rëndësishëm drejt shqyrtimit serioz të këtyre çështjeve në nivel ndërkombëtar” dhe një “sinjal të fortë mbështetjeje për të drejtat e shqiptarëve në ‘Luginën e Preshevës’”, si dhe një kontribut të rëndësishëm për forcimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, duke shprehur falënderim ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për angazhimin. Ministrja Elisa Spiropali nuk bëri asnjë paralelizëm me të drejtat e serbëve në Shqipëri. Ndoshta pikërisht sepse serbët në vendin e saj nuk i kanë ato të drejta.
Lidhur me ligjin e propozuar, Komisioneri për Mbrojtjen e Barazisë në Serbi, Millan Antonijeviq, theksoi se ky është padyshim një sinjal për dialog, por shtoi se nga raportet që përgatit institucioni që ai drejton shihet përkushtimi i shtetit, veçanërisht ndaj jugut të Serbisë – Preshevës, Bujanocit, Medvegjës – dhe dialogut. Ai shtoi gjithashtu se ka pasur ankesa lidhur me diskriminimin, të cilat janë zgjidhur.
Ndërkohë, i vetmi deputet shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, i cili gjithashtu falënderoi kongresmenin Kit Self për iniciativën e tij, ka udhëtuar për në Uashington. Ai shprehu mirënjohje edhe ndaj Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, organizatës “Albanians for America”, Gino Mulliqit, shqiptarëve të Teksasit, Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe Qeverisë së Kosovës, të cilët, siç tha ai, mundësojnë angazhim të përbashkët për të drejtat e shqiptarëve.
“Po udhëtoj për në Uashington në një moment kyç për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Pas miratimit të Ligjit për vlerësimin e diskriminimit, të propozuar nga kongresmeni Kit Self, Lugina e Preshevës më në fund ka hyrë në qendrën institucionale të vëmendjes së Shteteve të Bashkuara”, shkroi Kamberi dje në Facebook.

E ardhmja e të drejtave të shqiptarëve nuk zgjidhet në Uashington, por me dialog në Beograd

Se nuk ka shkelje të të drejtave të shqiptarëve në Serbi dhe se ligji i propozuar është një përpjekje për politizimin e kësaj çështjeje, është i qartë tha Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror i Serbisë, Demo Berisha, i cili thekson se e ardhmja e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nuk zgjidhet në Uashington, por përmes dialogut në Beograd.
“Si dikush që ndodhet në krye të Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave dhe Dialogun Shoqëror, mund të them me përgjegjësi të plotë se në Serbi nuk ka shkelje as të të drejtave të njeriut dhe as të të drejtave të pakicave. Ekzistojnë disa elemente që duhet të ngrihen në një nivel më të lartë. Por kur shikoni se cilat çështje theksohen në atë propozim, është e qartë se bëhet fjalë për një përpjekje për politizim”, tha Berisha për Kosovo online.

Kur bëhet fjalë për pasivizimin e adresave, ai shqaroi se kjo është një procedurë që ndërmerret për të gjithë qytetarët e Serbisë, dhe jo ekskluzivisht për shqiptarët.
"Pasivizimi i adresës nuk nënkupton humbjen e të drejtës për strehim. Ajo nënkupton një ndërprerje në një moment të caktuar, sepse ligjvënësi e ka bërë të mundur që brenda një periudhe të caktuar prej tetë ose 20 ditësh, kur paraqiteni para organit kompetent shtetëror, që është Ministria e Punëve të Brendshme, të mund të rregulloni statusin tuaj. Megjithatë, në këtë moment po përballemi me mungesën e interesit të qytetarëve të Serbisë që jetojnë në zonën e Preshevës dhe Bujanocit. Kjo është arsyeja pse e ngritën atë në nivelin e një situate politike", shpjegoi Berisha.
Lidhur me njohjen e diplomave të lëshuara në Universitetin e Prishtines, ai kujtoi se kjo çështje është në kompetencë të Ministrisë së Arsimit të Serbisë dhe se ajo rregullohet në dialog.
"Për ato diploma, Zyra për Kosovën dhe Metohinë dhe ekipi negociator në diskutimet me Prishtinën dhe Brukselin dolën me disa zgjidhje, të cilat ishin të pranueshme edhe për Serbinë. Kjo do të thotë që, nëse keni një diplomë nga ai universitet, duhet ta dërgoni në Bruksel, i cili do ta verifikojë dhe do t'ia përcjellë Beogradit për ta njohur. Nuk është e vërtetë që ne nuk i njohim fare ato diploma. Ne nuk e njohim marrëdhënien e drejtpërdrejtë në të cilën këmbëngulin autoritetet e Prishinës dhe ata që tani janë në pozicione politike në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë", nënvizoi Berisha.
Duke theksuar se edhe vetë është shqiptar, ai nënvizon se nuk ka asnjë problem për shkak të prejardhjes së tij dhe se fakti që ndodhet në krye të një ministrie dëshmon se Serbia është një vend demokratik.
Ministri, në bisedën e javës së kaluar me shefin e misionit të OSBE-së në Serbi, Marcelo Peshka, vuri në dukje mungesën e dialogut me përfaqësuesit e pakicës shqiptare dhe e ftoi atë të ndërmjetësojë dhe të bindë Këshillin Kombëtar të Komunitetit Shqiptar dhe strukturat politike që t’i përgjigjen ftesës për dialog.

Ai porositi se ka ardhur koha për të hyrë në dialog dhe për të parë se cilat janë çështjet që mund të zgjidhen, ndërsa disa çështje për të cilat nuk ka pajtim të lihen për në fund.
Duke bërë një paralelizëm me pozitën e serbëve në Shqipëri, Berisha theksoi se në atë vend kanë pasur dy valë asimilimi, njëra gjatë vitit 1933, në kohën e mbretit Zog, dhe tjetra në vitet ’50, gjatë regjimit të Enver Hoxhës.
“Ne i dimë problemet që e mundojnë komunitetin serb në Shqipëri. Jemi në kontakt me shoqatën e serbëve ‘Moraça–Rozafa’ në Shkodër. Dimë për Eçrem Sulejviqin në Fier. Do të kemi një iniciativë që, meqenëse si Ministri me Kroacinë, Hungarinë, Rumaninë dhe Maqedoninë kemi komisione të përziera që merren me pakicat, t’i propozojmë edhe Shqipërisë që ta themelojmë një trup të tillë”, paralajmëroi ministri Berisha.

Të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës janë shumëfish më të mëdha se të drejtat e serbëve në Kosovë dhe në Shqipëri

Se të drejtat e shqiptarëve në “Luginën e Preshevës” dhe ato që sot “gëzojnë” serbët në Kosovë, e sidomos në Shqipëri, nuk mund të krahasohen aspak, e theksoi historiani Petar Ristanoviq.
“Nëse e shikojmë jetën e përditshme, të drejtat dhe mundësitë e tyre janë shumëfish më të mëdha sesa mundësitë e serbëve sot në Kosovë apo në Shqipëri. Ata kanë bashkëpunim shumë të zhvilluar me institucionet e Shqipërisë, mbështetjen e tyre, por kanë edhe mbështetje të gjerë nga Serbia, sa i përket financave, institucioneve arsimore, sidomos kur merret parasysh numri i tyre”, tha Ristanoviq për Kosovo online.

Nga ana tjetër, ai vë në dukje asimilimin e serbëve në Shqipëri.
“Serbëve në Shqipëri prej dekadash nuk u njihet ekzistenca. Kryesisht gjatë periudhës komuniste, por edhe më pas, ata janë asimiluar de facto. Sot ekzistojnë shoqata që mbledhin komunitete të vogla serbësh, por shumica është asimiluar, përmes programeve të ndryshme që ka zbatuar shteti shqiptar – ishte e ndaluar që të mbanin emra serbë, të ushtronin të drejtën e besimit fetar, të organizoheshin mbi bazë kombëtare, të kultivonin kulturën e tyre. Pas disa dekadash të një politike të tillë, serbët janë asimiluar. Dhe është hipokrizi që Shqipëria mbështet një kërkesë të tillë, por kjo është një praktikë që kemi pasur rast ta shohim disa herë”, thekson Ristanoviq.

Për këtë arsye, ai konsideron se propozimi i këtij ligji, me të cilin kërkohet hartimi i një raporti për të drejtat e shqiptarëve, është një veprim politik, për arsye të tjera që nuk lidhen me cenimin e tyre.

Për shqiptarët – lajm i mirë dhe vetëm fillimi

Nga ana tjetër, në Shqipëri ky propozim ligji lexohet ndryshe.
“Kjo nuk është vetëm një lajm i mirë për shqiptarët në ‘Luginën e Preshevës’, por është një lajm i mirë për shqiptarët kudo në botë”, tha analisti dhe gazetari i Radio-Televizionit Shqiptar, Roland Qafoku.
Ai është i bindur se SHBA-ja dhe diplomacia amerikane, në këtë mënyrë, po i tregojnë Serbisë: “Jo vetëm që keni një problem me një vend fqinj dhe se kërkesat ndaj atij vendi nuk qëndrojnë, por ju ende keni probleme të mëdha dhe serioze brenda vendit tuaj, me shqiptarët në ‘Luginën e Preshevës’”.

Sipas tij, SHBA-ja duket se dëshiron të thotë: “Si mund të parashtroni kërkesa, kur nuk i respektoni të drejtat e njeriut në Preshevë”.
“Dhe jo vetëm sepse në Kuvendin e Serbisë ka vetëm një deputet nga Presheva, por jemi dëshmitarë të shumë veprimeve që janë në kundërshtim me të drejtat e njeriut të pakicave kombëtare, të atyre që jetojnë në ‘Luginën e Preshevës’”, pretendon Qafoku.
E parë nga aspekti diplomatik, ai nuk ka asnjë dyshim se përmes kësaj po ushtrohet presion ndaj Serbisë.
“Kjo është edhe një paralajmërim që të mos parashtrohen kërkesa që nuk duhet të parashtrohen, ndërkohë që nga ana tjetër shkelen të drejtat e shqiptarëve në ‘Luginën e Preshevës’. Mendoj se ky është vetëm fillimi. Presim që, pasi ligji të shqyrtohet dhe miratohet në Senat, të mund të pasojnë sanksione, sepse e dimë se si funksionon diplomacia amerikane”, tha Qafoku.