Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq shpalli zgjedhjet e parakohshme parlamentare për 25 tetor

Aleksandar Vučić intervju
Burim: Kosovo Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se sot ka nënshkruar dekretin për shpërndarjen e Kuvendit Popullor dhe ka marrë vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për të dielën, më 25 tetor.

Duke iu drejtuar publikut nga ndërtesa e Presidencës, Vuçiq theksoi se vendimin e ka marrë në përputhje me kompetencat kushtetuese, me propozimin e arsyetuar të Qeverisë së Serbisë, transmeton Insajder.

Vendimi për shpalljen e zgjedhjeve hyn në fuqi në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare, kur fillojnë të rrjedhin edhe të gjitha afatet zgjedhore. Me nënshkrimin e këtij dekreti, Komisioni Republikan i Zgjedhjeve (RIK) merr kompetencën për zbatimin e të gjitha veprimeve zgjedhore.

Vuçiq më herët, gjatë një paraqitjeje në RTS të martën, deklaroi se zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi do të mbahen më 25 tetor dhe tha se kishte marrë propozimin e Qeverisë për shpërndarjen e Kuvendit Popullor dhe se duhej të nxirrte dekretin për shpërndarjen e parlamentit, si dhe vendimin për shpalljen e zgjedhjeve.

Sipas ligjit, nga shpallja e zgjedhjeve deri në ditën e mbajtjes së tyre duhet të kalojnë së paku 45 dhe më së shumti 60 ditë.

Këshilli Qendror i SNS-së, në mbledhjen e mbajtur të shtunën në Nish, mori njëzëri vendimin që partia në zgjedhjet e ardhshme të garojë me listën „Aleksandar Vuçiq – Serbia e Bashkuar“, që bartës i listës të jetë Aleksandar Vuçiq, si dhe që ai të jetë kandidati i SNS-së për kryeministër.

Qeveria e Serbisë, pas mbledhjes së mbajtur më 7 shtator, njoftoi se kishte miratuar propozimin për shpërndarjen e Kuvendit dhe ia kishte dërguar atë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që të shpërndajë Kuvendin dhe të shpallë zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Kryeministri Gjuro Macut, në arsyetimin e këtij vendimi, siç bëri të ditur Qeveria në njoftimin e saj, deklaroi se në periudhën pas zgjedhjeve të mbajtura më 17 dhjetor 2023, faktorëve politikë të interesuar u ishte mundësuar të paraqisnin propozime për përmirësimin e mëtejshëm të kushteve zgjedhore dhe legjislacionit zgjedhor në Serbi.

Ai vlerësoi se, duke marrë parasysh qëndrimet e paraqitura, e veçanërisht rekomandimet e Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), kushtet zgjedhore në Serbi janë përmirësuar më tej dhe në mënyrë të konsiderueshme.