Frikë dhe dyshime në rajon në prag të aktgjykimit në Hagë: Çfarë pason pas 16 shtatorit?

Suđenje Tačiju u Hagu
Burim: Kosovo Online

Kanë mbetur shtatë ditë deri në shpalljen e aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale në Hagë, ndërsa vendimi vështirë se do të mund të mirëpritet nga të gjithë në rajon. Sipas vlerësimit të bashkëbiseduesve të Kosovo online, disa do të thonë se drejtësia është vënë në vend, të tjerë se nuk është, ndaj, edhe pse ekziston mundësia e ankesës, nuk përjashtohet mundësia e protestave dhe incidenteve. Ekzistojnë edhe vlerësime se dhuna ndaj serbëve në Kosovë do të vazhdojë pavarësisht rezultatit. Qoftë si shprehje hakmarrjeje, qoftë nga ndjenja e triumfalizmit nëse aktgjykimi është lirues, gjë që do të interpretohet sikur krimet ndaj serbëve janë të lejuara.

Një mural me portretet e katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët presin aktgjykimin lidhur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, po pikturohet sot në Prishtinë. Në sheshin qendror prej disa ditësh valëviten flamujt e UÇK-së, ndërsa instalacioni „ora e pritjes“ në Prishtinë, si dhe në disa komuna, po numëron kohën deri në shpalljen e vendimit të gjykatës, të caktuar për 16 shtator.

Gjashtë vjet pas ndalimit të tyre në Hagë, tensionet në rajon janë rritur edhe më shumë pas deklaratës së ish-komandantit të UÇK-së, Nasim Haradinaj, se mund të ketë përshkallëzim të situatës nëse Dhomat e Specializuara i dënojnë katër ish-krerët e UÇK-së.

„Nëse merret një vendim i tillë, gjithçka do të digjet. Situata do të përshkallëzohet shumë keq dhe ky vend do të digjet, Maqedonia do të digjet, e gjithë Shqipëria do të digjet“, tha ai.

Lidhur me paralajmërime të tilla, zëdhënësi i Dhomave të Specializuara, Michael Doyle, tha sot se mandati i Dhomave të Specializuara të Kosovës është të sigurojnë gjykime të drejta, të paanshme dhe të sigurta dhe se aktgjykimin e merr një trup gjykues i përbërë nga gjyqtarë të pavarur, në bazë të ligjit dhe shqyrtimit të kujdesshëm të të gjitha provave të paraqitura gjatë gjykimit lidhur me përgjegjësinë individuale të të akuzuarit.

Se çfarë do të thonë gjyqtarët, diaspora shqiptare do ta ndjekë nga afër.

Në fakt, iniciativa „Liria ka Emër“ ka paralajmëruar një tubim në Hagë, i cili do të fillojë më 15 shtator në orën 22:00 dhe do të zgjasë deri më 16 shtator në orën 10:00, kur pritet shpallja e aktgjykimit, me qëllim që, siç është shpjeguar, t’u ofrohet mbështetje ish-krerëve të UÇK-së.

Para tubimit në Hagë, këtë fundjavë në Prishtinë organizohet „Marshi për Liri“, në të cilin janë ftuar të gjitha partitë politike shqiptare dhe nga i cili do të kërkohet aktgjykim lirues për katër pjesëtarët e UÇK-së.

Shqetësimin për këtë tubim javën e kaluar e shprehu presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

„Më shqetëson shumë, sepse shqiptarët kanë caktuar një 'marsh të madh të lirisë', nëse kështu e kanë quajtur, për 12 shtator, duke pritur që Hashim Thaçi të lirohet, Kadri Veseli dhe të tjerët. Paralajmërojnë dhunë dhe ushtrojnë presion mbi gjykatën nëse kjo nuk ndodh“, tha Vuçiq.

Çfarë mund të presë rajoni pas 16 shtatorit dhe a do të drejtohet, në rast të një aktgjykimi dënues, zemërimi i të pakënaqurve ndaj serbëve, siç konsideron Millovan Drecun, kryetar i Komisionit për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme të Kuvendit të Serbisë?

Pavarësisht nëse vendimi do të jetë dënues apo lirues, sipas vlerësimit të historianit Stefan Radojkoviq, dhuna ndaj serbëve në Kosovë do të vazhdojë, vetëm se motivimi do të jetë i ndryshëm.

„Nëse aktgjykimi është dënues, kjo do të jetë shprehje e hakmarrjes, e ndëshkimit, ndërsa nëse është lirues, do të jetë triumfalizëm. Në atë rast do të tregohet se ekziston pandëshkueshmëria e krimeve, veçanërisht ndaj grupeve të tjera etnike. Duhet rikujtuar se këtu Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij po gjykohen për krime ndaj serbëve, romëve dhe shqiptarëve të tjerë që ishin kundërshtarë politikë të UÇK-së dhe kjo do të interpretohet sikur krimet e kryera ndaj serbëve dhe romëve janë pak a shumë të lejuara dhe se as tani nuk do të ketë pasoja më të mëdha nëse ndodhin trazira, incidente dhe sulme në ato zona që janë kryesisht të banuara me serbë“, tha Radojkoviq për Kosovo online.

Sipas vlerësimit të tij, aktgjykimin në rajon të gjithë ndoshta po e presin me skepticizëm, vetëm se për arsye të ndryshme. Serbia dhe populli serb, thotë ai, nuk kanë përvoja të mira me gjykatat ndërkombëtare, megjithëse në këtë rast bëhet fjalë për një gjykatë hibride.

„Ne nuk presim që drejtësia të vihet në vend. Nga ana tjetër, Prishtina dhe Tirana kanë frikë se drejtësia nuk do të vihet në vend në mënyrën siç e mendojnë ato, me fjalë të tjera, se do të dëshmohet se UÇK-ja ishte larg të qenit një organizatë heroike, çlirimtare dhe demokratike, por se ishte një strukturë e përbërë nga terroristë, separatistë dhe mafiozë, pra nga struktura kriminale, para së gjithash në veri të Shqipërisë dhe në Kosovë e Metohi“, thotë Radojkoviq.

„Të përdorim arsyen“

Analisti politik nga Shkupi, Sotir Kostov, vlerëson se pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së më 16 shtator, disa do të thonë se drejtësia është vënë në vend, të tjerë se nuk është, por se kjo duhet të bëhet përmes një diskursi të mirë dhe të kulturuar, pa deklarata nxitëse.

Nëse për shkak të aktgjykimit do të ketë protesta, ai thotë se ato duhet të drejtohen ndaj gjykatës në Hagë dhe se protestat janë gjithmonë të lejuara nëse janë paqësore, të organizuara mirë dhe kanë një qëllim, dhe se kështu duhet të jetë edhe me këtë rast, nëse do të ketë të pakënaqur.

„Protestat duhet të drejtohen ndaj gjykatës në Hagë, në Hagë ose ndaj ndonjë përfaqësie të Hagës në Ballkan. Kjo është një Gjykatë Speciale e krijuar për gjithçka që është bërë jashtë rregullave ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha konventave të tjera për luftën, paqen, trajtimin e të burgosurve, sjelljen çnjerëzore... Kujt duam t'ia adresojmë pakënaqësinë? Përse të protestojmë në Shkup, në Prishtinë apo në Tiranë? Nuk ka arsye. Por mendoj se protestat janë legjitime dhe të lejuara në të gjitha kushtetutat dhe ligjet. Nëse janë paqësore dhe të organizuara mirë, do t'i shoh me simpati. Nëse shkaktojnë gjëra që nuk janë të mira, do t'i dënoj dhe nuk do t'i pranoj“, tha Kostov për Kosovo online.

Ai thekson gjithashtu se nuk duhet paragjykuar se cili do të jetë vendimi dhe se duhet pritur për të parë se si do të vendosë gjykata që është përgjegjëse dhe kompetente për këtë.

„Më pas kemi mjetet e rregullta dhe të jashtëzakonshme juridike. Gjykatat ndërkombëtare nuk gjykojnë shpejt, gjykojnë ngadalë. Ato i respektojnë procedurat. Nëse dikujt i është cenuar një e drejtë, ekziston e drejta e ankesës. Duhet të përdorim arsyen dhe të presim aktgjykimin. Nëse aktgjykimi është dënues, do të shprehemi kundër nëse nuk e pranojmë. Disa do të shprehen në favor. Nëse është lirues, do të kemi të njëjtin qëndrim. Nuk duhet të japim deklarata nxitëse, sepse kjo vetëm na largon nga njëri-tjetri. Koha e luftërave ka kaluar“, thotë Kostov.

Ai thotë se dëshiron që të arrihet tek e vërteta dhe që secili të marrë aktgjykimin që meriton, në varësi të asaj që ka bërë gjatë luftës.

„Nëse ka bërë gjëra të këqija, vrasje, larg qoftë gjenocide, krime kundër njerëzimit, duhet të përgjigjet. Por nëse nuk ka prova për këtë, ata që janë në procedurë duhet të lirohen“, shton ai.

Duke iu referuar deklaratës së Nasim Haradinajt për një përshkallëzim të mundshëm të situatës edhe në Maqedoninë e Veriut nëse Dhomat e Specializuara i dënojnë krerët e ish-UÇK-së, Kostov rikujton nenin 5 të Traktatit Themelues të NATO-s, sipas të cilit kushdo që sulmon Maqedoninë, sulmon edhe NATO-n.

„Çështjet ndërmjet shqiptarëve – çështje të brendshme“

Kryeredaktori i TV Siri në Tiranë, Bledian Koka dekaroi për Kosovo online se akuzat janë ngritur mbi bazën e pretendimeve dhe qëndrimeve të padrejta të ish-deputetit të Parlamentit Evropian, Dick Marty, dhe se koha ka treguar se bëhej fjalë për fakte të sajuara dhe se ato ishin sponsorizuar drejtpërdrejt nga Rusia.

„Mjegulla është shpërndarë rreth këtyre akuzave. Edhe pas gjithë këtij tymi dhe këtyre fakteve të rreme, gjithsesi mendoj se vendimi i gjykatës ndërkombëtare do të jetë i drejtë dhe do t’i njohë meritat e ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Cilido qoftë vendimi i gjykatës, ai nuk do ta njollosë luftën e UÇK-së. Do t’i dëgjojmë me vëmendje, veçanërisht dëshmitë e ish-komandantëve të NATO-s të asaj kohe, të cilët kishin lidhje dhe komunikim të drejtpërdrejtë me ish-komandantët e UÇK-së. Ata kanë dhënë dëshmitë e tyre dhe kanë konfirmuar se ajo luftë ishte për vetëmbrojtje“, tha Koka.

Duke pasur parasysh se të akuzuarit në Hagë ngarkohen edhe për vrasjen e shqiptarëve që ishin kundër tyre, Koka thotë se çështjet e brendshme ndërmjet shqiptarëve, për të cilat ekzistojnë akuza në Hagë, mbeten çështje të brendshme të Kosovës.

„Kjo është njësoj sikur t’i kërkohet Serbisë që konfliktet e brendshme politike t’i zgjidhë në një gjykatë ndërkombëtare. Kjo nuk ka kuptim as nga pikëpamja logjike dhe as nga ajo juridike. Prandaj, do të doja t’i ndaja këto konflikte. Do të doja t’i ndaja akuzat për konfliktet e brendshme në Kosovë apo kudo tjetër nga çështjet që kanë të bëjnë me zbulimin e së vërtetës se cilat kanë qenë qëndrimet dhe veprimet e ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës apo të ish-komandantëve të Ushtrisë Jugosllave“, thotë kryeredaktori i TV Siri.

Juristi i Fondit për të Drejtën Humanitare të Kosovës, Amer Alija, thekson se nuk është profesionale të komentohet nëse në këtë proces ka apo nuk ka prova, pasi vëzhguesit e këtij procesi, mediat dhe të gjithë ata që e kanë ndjekur nga jashtë kanë pasur qasje të kufizuar si në prova, ashtu edhe në seancat e mbajtura të gjykatës.

Ai thotë se çdo aktgjykim i gjykatës duhet të respektohet, ndërsa palët që nuk do të jenë të kënaqura me vendimin sigurisht që do të kenë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.

„Sa i përket fajësisë dhe aktgjykimit, nuk është profesionale të komentohet nëse ka apo nuk ka prova. Trupi gjykues është ai që i analizon të gjitha provat. Ai do të japë përgjigjen nëse ka apo nuk ka prova“, tha Alija për Kosovo online.

Siç shton ai, në këtë rast është dëgjuar një numër i madh dëshmitarësh, ndërsa rreth 50 për qind e tyre kanë dhënë deklaratat në seanca të mbyllura.

„Nuk e di se cili do të jetë aktgjykimi, por ai mund të jetë edhe dënues, edhe lirues. Mund të ndodhë edhe që dikush të lirohet pjesërisht nga akuzat. Të gjitha këto janë mundësi. Por, duke pasur parasysh se një numër i madh seancash kanë qenë të mbyllura dhe se ne si vëzhgues nuk kemi qasje në një pjesë të provave, nuk do të doja të hyja në vlerësime se cili do të jetë aktgjykimi“, thotë Alija.

Kërkesa e Prokurorisë 45 vjet burgim

Prokurorja e Specializuar, Kim West, kërkoi më 9 shkurt që gjykata t’i shpallë fajtorë ish-krerët e akuzuar të UÇK-së për të dhjetë pikat e aktakuzës dhe t’i dënojë secilin me nga 45 vjet burgim.

Ajo tha se dëshmitë dhe provat e paraqitura gjatë procesit kanë konfirmuar se veprat penale janë kryer dhe se të akuzuarit janë përgjegjës për to.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi akuzohen për krime kundër njerëzimit – përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë – si dhe për krime lufte: privim të kundërligjshëm dhe arbitrar nga liria, trajtim mizor, torturë dhe vrasje.

Ata ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, ndërsa procesi gjyqësor ndaj tyre filloi në vitin 2023. Gjithsej 134 dëshmitarë kanë dëshmuar në sallën e gjyqit, prej të cilëve 125 janë thirrur nga Prokuroria, dy nga përfaqësuesi i viktimave dhe shtatë nga mbrojtja. Përveç kësaj, 164 deklarata të dëshmitarëve janë pranuar në formë të shkruar.