Prishtina vendos Sitemin e adresave në veri: A do të jenë të (pa)dëshirueshëm perandor Dushani apo Vasil Ostroshki?

Nazivi ulica na severu Kosova
Burim: Kosovo Online/Ilustracija

Nga Vasil Ostroshki, përmes perandor Dushanit, princ Milloshit, vojvoda Mishiqit deri tek mbreti Petar dhe princërit e Kollashinit. Rrugë të shumta në veri të Kosovës mbajnë emërtesa me personazhe të historiografisë sërbe, por kjo së shpejti mund të ndryshojë me vendosjen e Sistemit të adresave të Agjencisë Kosovare të Kadastrës. Të paktën kështu besojnë shumica e bashkëbiseduesve të Kosovo onlajn. Thonë se do të ketë shuarje të historisë kombëtare sërbe “në dyer të vogla”.

Shkruar nga: Gjorgje Baroviq

Drejtori egzekutiv i Agjencisë Kosovare të Kadastrës Avni Ahmeti ka thënë pas nënshkrimit të një memorandumit të bashkëpunimit për krijimin e Sistemit të Adresave me përfaqësuesit e katër komunave në veri, se projekti "paraqet hap domethënës drejt unifikimit institucional dhe zhvillimit të barabartë të të gjitha komunave në Kosovë" dhe se AKK do të ofrojë mbështetje teknike në terren, do të përgatisë sistemin dhe do të zbatojë fazën përgatitore të emërtimit të rrugëve dhe caktimit të adresave.

“Për të lehtësuar zbatimin e këtij procesi të ndjeshëm dhe të rëndësishëm, AKK nisi dhe bashkëpunimin aktiv me komisionet komunale që u krijuan për të monitoruar dhe koordinuar fazën e emërtesave të rrugëve” thuhet në njoftimin e AKK.

Vetëm një vit më parë, punëtorët që janë angazhuar nga Ministria e Infrastrukturës nën asistencën e Policisë Kosovare në rrugët kryesore në veri hoqën të gjitha tabelat në alfabetin cirilik dhe i zëvendësuan ato me të reja: në shqip dhe sërbisht, por në alfabetin latin.

Ndryshimi i emërtesave të rrugëve në katër komuna me popullsi shumicë sërbe deri më tani nuk ka qenë temë as e autoriteteve lokale dhe as e atyre qëndrore në Prishtinë.

Përjashtim u bë vitin e kaluar, kur para rrugës që të çon nga Ballabani deri në Banjskë, u vendos tabela në të cilën shkruhej se kjo është rruga Afrim Bunjaku, polici që vdiq në vitin vitin 2023.

Kontribut qytetarëve

Për kryekomunarin e Mitrovicës së Veriut Erden Atiq në vendosjen e Sistemit të adresave nuk ka asgjë të dyshimtë pasi kjo është pjesë e proçesit të integrimit jo vetëm në komunat e veriut, por në mbarë Kosovën.

Atiq thekson për Kosovo onlajn se qytetarët duhet të kontribuojnë në këtë proçes.

“Ftoj të gjithë qytetarët që të integrohen në këtë proçes. Ky është proçes i iniciuar për të gjithë në komunat e Kosovës dhe jo vetëm në Mitrovicën e Veriut. Gjithë qytetarët mund të informohen përmes faqes sonë të internetit apo faqen e Fejsbukut. Le të përfshihen në proçes. Aty është dhe komisioni që do të përfundojë procedurat për të patur proçes sa më të mirë” ka thënë Atiq.

Identiteti sërb

E ndërsa Atiq nuk shprehet rreth ndryshimeve të mundshme të emërtesave të rrugëve në veri, deri atëherë, bashkëpunëtori shkencor për Kulturë Sërbe në Lleposaviq Petar Ristanoviq, beson se kjo është e pashmangshme.

“Ndryshimi i emërtesave të rrugëve është i pashmangshëm. Nëse shikohet gjithçka çka ka bërë deri më sot regjimi në Kosovë, mendoj se ndryshimi i emërtesave të rrugëve është një hap i pritshëm dhe i pashmangshëm. Me të vërtetë besoj se të gjitha rrugët me çdo mtematikë nacionale sërbe, rrugë që tregojnë identitetin sërb në Kosovë e Metohi, do të ndryshohen” thotë Ristanoviq për Kosovo onlajn.

I pyetur se cilat rrugë do të ishin të parat që mund t’u ndryshohej emërtesa, ky historian thotë se do të jenë “praktikisht të gjitha rrugët që kanë emërtesa të lidhura me figura dhe data që lidhen me historinë e sërbëve në Kosovë.

“Nëse shikojmë heqjen e flamujve sërbë, se të gjitha grafitet që kanë ndonjë temë kombëtare sërbe madje dhe nëse kuptohet me kusht si e tillë, mendoj se ndryshimi i emrit të rrugëve është një hap shumë i pritur dhe në këtë moment, me gjasa, është hap i pashmangshëm” beson Ristanoviq.

Ky i fundit shton se ndryshimi i emërtesave të rrugëve “formalisht” erdhi si vendim nga komunat në veri, ndërsa në thelb ato janë vendosur në Prishtinë.

“Formalisht me gjasa vendimi është marrë në nivel komunal, për aq kohë sa pushteti nëpër komuna është ilegjitim. Por jam plotësisht i sigurt se këto vendime do të merren në nivel më të lartë, pra në rrethin e Albin Kurtit” bën të ditur ky historian.

Beson se ndryshimi i emërtesave të rrugëve në veri vjen madje dhe nëse Kurti nuk do të jetë në pozitën për të vendosur.

“Madje nëse në të ardhmen do të shkohet në ndonjë ndryshim të udhëheqjes së Kosovës, nuk jam i sigurt se ai trend do të ndryshojë konsiderueshëm. Gjithçka që është bërë deri më tani dhe në cilin drejtim shkon, flet se ndryshimi i emërtesave të rrugëve është një prej hapave që në një moment duhet që të pritet” shpreh besim Ristanoviq.

Rishikimi i historisë

Edhe asistenti në Katedrën e Historisë në Fakultetin e Filozofisë në Mitrovicën e Veriut Lluka Jovanoviq ndan opinionin e tij. por ecën një hap më shumë. Pretendon se në Kosovë prej 1999 revizionizmi historik ka qenë aktiv, e kështu për të nuk do të ishte e çuditshme nëse do të aplikoheshin dhe emërtesat e rrugëve që kanë tematika nga historia sërbe.

“Vizita e drejtorit të Agjencisë Kadastrore Kosovare tek komunat në veri të Kosovës e Metohisë dhe mesazhet që u përcollën nga këto takime, na bëjnë të ditur se Prishtina ka shfrytëzuar edhe një tjetër institucion të saj në të ashtuquajturën luftë psikologjike ndaj popullatës sërbe në veri të K&M. Sigurisht duke i justifikuar të gjitha këto bashkësisë ndërkombëtare në kontekstin e zgjidhjes së çështjeve pronësore e cila është një nga çështjet dhe problemet më urgjente të komunitetit sërb”, thotë Jovanoviq për Kosovo onlajn.

Ai kujton se sipas ligjeve kosovare, emërtesat e rrugëve janë në kompetencën e pushtetit vendor dhe se në veri problemi është se institucionet përbëhen nga shqiptarë.

“Mesazhet që na u përcollën dhe pritshmëritë që ka komuniteti sërb, është që tek disa emërtesa rrugësh, sikurse kemi dhe shembuj, të vendosen në vendbanime të pastra etnike sërbe nga disa prej emrave të shqiptarëve më të dukshëm” beson ky historian.

Ai paralajmëron se problemi është më i thellë pasi bashkësia ndërkombëtare prej vitit 1999, ka toleruar emërtesat e rrugëve sikurse thotë, me “figura jashtëzakonisht të kontestuara historike”.

“Mund të shikojmë se Mitrovica e Jugut, qendra apo mbarë qendra mbajnë shenjën dalluese të rishikimit historik, sikurse disa personazheve që ishin bashkëpunëtorë të dëshmuar të nazistëve dhe fashistëve në Luftën e Dytë Botërore sikurse Rexhep Mitrovica dhe Besim Bajgora, vëllezërit Boletini, Shaban Polluzha. Ata eksplicidisht ku kemi dhe fotografi, kanë operuar kundër të gjitha lëvizjeve çlirimtare dhe kundër vetë aleatëve në Luftën e Dytë Botërore” ka thënë Jovanoviq.

Në këtë mënyrë, thekson ai, inkurajohet retorika e luftës dhe krijohet presion më i shtuar psikologjik ndaj komunitetit sërb.

“Mund të presim që rruga kryesore në Mitrovicën e Veriut që mban emrin e Mbretit Petar I, me vendimin e kuvendit komunal shqiptar shumë lehtë mund të riemërtohet në rruga 'UÇK çlirimtare', ndonëse është zonë sërbe, ndonëse banorët e kësaj rruge nuk do t’a pranonin këtë. Nën operimin e institucioneve sikurse është pushteti vendor dhe Agjencia Kosovare e Kadastrës dhe ministrive në Prishtinë që janë të gjitha në duart e komunitetit shqiptar, do t’u përcillte një mesazh më tepër popullsisë sërbe që jeton në territorin që është nën administrimin e tyre se me të vërtetë në këtë territor popullsia sërbe mundet vetëm të bindet apo të zhvendoset prej andej” konkludoi Jovanoviq.