Pse dokumentet serbe në duart e gjyqtarëve në Hag janë “halë në sy” për Prishtinën?
Për autoritetet në Prishtinë është e papranueshme që disa dokumente të cilat autoritetet serbe ia kanë dorëzuar Gjykatës Speciale në Hag janë pranuar si prova në rastin “Hashim Thaçi dhe të tjerët”. Juristët, bashkëbisedues të Kosovo online, mendojnë se para Gjykatës Speciale duhet të paraqiten të gjitha provat për të përcaktuar përgjegjësinë për krimet e kryera dhe janë të bindur se në arkivat serbe ndodhet dokumentacion cilësor.
Shkruan: Dushica Radeka Gjorgjeviq
Lajmi se Dhomat e Specializuara në Hag kanë pranuar si prova materiale dokumentet e paraqitura nga institucionet shtetërore të Serbisë, siç ka njoftuar Albulena Haxhiu, ministre e drejtësisë e Kosovës në mandat teknik, është pritur “me shqetësim”.
Pranimi i materialeve që, siç tha ajo, “janë prodhuar nga aparati shtetëror kriminal” përbën një shtrembërim të rëndë të drejtësisë dhe nuk mund t’i besohet.
Ndërkohë, kujtojmë, në kuadër të zgjidhjes së çështjes së personave të zhdukur, autoritetet e Prishtinës i kërkojnë Beogradit hapjen pikërisht të arkivave të policisë dhe ushtrisë serbe.
Vendimin e Dhomave të Specializuara për të pranuar dokumentet serbe e ka kritikuar edhe avokati Tom Gashi, i cili e ka quajtur atë katastrofal, dhe është i papranueshëm edhe për kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati. Ky i fundit, përndryshe, është dënuar nga kjo gjykatë në vitin 2022 për pengim të drejtësisë, pasi kishte zbuluar në mënyrë të paautorizuar informacione të mbrojtura me Ligjin për Dhomat e Specializuara, përfshirë të dhëna mbi dëshmitarë potencialë.
Mesazhi nga Haga lidhur me dokumentet e pranuara nga Beogradi është: gjyqtarët janë ata që do të vendosin se çfarë peshe do t’u japin atyre.
“A do të mbështetet Dhoma tek këto dokumente në aktgjykim dhe çfarë peshe do t’u japë atyre, është çështje për të cilën gjyqtarët do të vendosin në shqyrtimet e tyre kur të marrin në konsideratë të gjitha provat e pranuara në fund të rastit, në bazë të nenit 139 të Rregullores për procedurën dhe provat”, thuhet nga Dhomat e Specializuara.
Juristi Millan Antonijeviq vlerësoi se është në interes të të gjithë atyre që kanë sadopak njerëzillëk të paraqesin të gjitha provat para gjykatës në Hagë, e cila përcakton përgjegjësinë e UÇK-së për krimet kundër serbëve dhe shqiptarëve.
Ai shpreson gjithashtu se në planin afatgjatë nuk do të ketë rezistencë më të madhe ndaj përdorimit të dokumenteve në posedim të Serbisë, të cilat vërtetojnë krime, dhe se tonet kritike që dëgjohen tani janë "vetëm një zhurmë e vogël".
"Ekspertët tanë mjeko-ligjorë ishin në Kosovë gjatë këtyre krimeve dhe kryen hetime. Ka edhe shumë të dhëna të tjera që Serbia i posedon dhe të cilat i ka fituar në mënyrë ligjore dhe të vlefshme dhe të cilat duhet t'ia paraqesë kësaj gjykate me seli në Hagë, në mënyrë që në këtë mënyrë të arrijmë pajtimin, por mbi të gjitha përgjegjësinë e personave dhe pjsëtarëve të caktuar të UÇK-së", tha Antonijeviq për Kosovo online.
Edhe avokati Goran Petronijeviq thotë se në arkivat serbe gjendet dokumentacion jashtëzakonisht cilësor.
“Ai, në një pjesë të madhe, i është dorëzuar edhe Tribunalit të Hagës në procesin që është zhvilluar kundër Ramush Haradinajt dhe disa anëtarëve të tjerë të UÇK-së. Nuk e di nëse në këtë rast bëhet fjalë për atë dokumentacion që ndoshta është marrë nga Tribunali i Hagës apo për dokumentacionin e marrë nga organet tona shtetërore. Qoftë fjala për dokumente ushtarake, policore, gjyqësore, shtetërore, e madje edhe private, ato janë prova jashtëzakonisht cilësore dhe çdo gjykatë duhet t’i vlerësojë ato,” është i bindur Petronijeviq.
Sipas tij, mendimet në drejtim të asaj nëse këto dokumente mund të jenë prova apo jo, paraqesin një lloj “ikjeje nga realiteti nga ana e organeve të Kosovës së vetëshpallur, e në veçanti të ministres së drejtësisë”.
"Ajo duhet të jetë e para që të sigurojë që ata shqiptarë dhe familjet e atyre shqiptarëve që u vranë të marrin drejtësi ose plotësim. Ky është një marrëdhënie e padrejtë, jo vetëm ndaj Serbisë dhe serbëve, por edhe ndaj popullit të tyre dhe një lloj papërgjegjësie ndaj popullit të tyre. Dokumentacioni është sigurisht i mirë dhe me cilësi të lartë, dhe jam pothuajse i sigurt se nuk ka gjykatë që nuk do ta pranojë një dokumentacion të tillë", thotë Petronijeviq dhe kujton se akuzat para Dhomave Speciale në Hagë bazohen kryesisht në ngjarje në të cilat shumica e rasteve janë shqiptarë të martirizuar.
Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare thekson se Prokuroria e Specializuar në Hagë ka të drejtë të marrë prova, pa marrë parasysh se ku gjenden ato.
“Provat janë prova dhe, natyrisht, Prokuroria ka të drejtë të marrë prova kudo që të jenë. Përderisa ai dokumentacion nuk është i fabrikuar, provat duhet të merren kudo që të jenë,” thotë Blakaj.
Ai thekson se edhe Tribunali i Hagës, në çështjet që kishin të bëjnë me Kosovën, ka përdorur dokumentacionin që Serbia ishte e detyruar t’ia dorëzonte atij tribunali.
“Mendoj se madje, në disa çështje, ato kanë qenë disa prova kyçe. Natyrisht që Tribunali i Hagës ka përdorur dokumentacionin e dërguar nga institucionet serbe,” thekson Blakaj.
Ai gjithashtu supozon se cili mund të jetë motivi për kundërshtimin në Prishtinë që të përdoren provat nga Serbia.
“Në disa raste para Tribunalit të Hagës, veçanërisht në çështjet kundër Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt, disa dëshmitarë kanë qenë të instruktuar nga shërbimet në Serbi. Këta dëshmitarë kanë dhënë disa deklarata të cilat më pas janë hedhur poshtë nga trupi gjykues sepse u vërtetua se kishin qenë të instruktuar, pra të përgatitur. Besoj se prej aty vjen edhe motivimi që, veçanërisht përfaqësuesit e institucioneve dhe avokatët në Kosovë, të thonë se nuk duhet të merren prova nga Serbia. Megjithatë, provat janë prova dhe, natyrisht, Prokuroria ka të drejtë t’i marrë pa marrë parasysh se ku gjenden,” thotë Blakaj.
“Standardet e dyfishta”
Edhe pse në këtë rast Prishtina shpreh pakënaqësi për dokumentet serbe, ajo njëkohësisht, në dialogun me Beogradin, kërkon hapjen e arkivave të policisë dhe ushtrisë serbe me qëllim që të sqarohet fati i personave të zhdukur.
Antonijeviq, lidhur me këtë mospërputhje, thotë se shpesh dëgjohen “mesazhe të dyfishta”.
"Sigurisht, arkivat në pronësi të Serbisë, duke pasur parasysh që Beogradi ishte qendra e ish-shtetit, janë shumë më të organizuara dhe më reflektuese të situatës aktuale sesa arkivat e formuara vetëm në vitet '90 në ish-republikat dhe në Kosovë. Besimi në ato arkiva dhe dëshira për të arritur në ato dokumente, nga njëra anë, dhe mosbesimi në të njëjtat arkiva dhe dëshira për të mos u paraqitur para gjykatës nga ana tjetër, flasin për mendjelehtësinë dhe papjekurinë e politikanëve dhe sa shumë kohë duhet të kalojë para se të gjithë të kuptojnë se përgjegjësia për krimet është diçka që duhet të përcaktohet", konstaton ai.
Petronijeviq thotë se Prishtina ka standarde të dyfishta dhe një qëndrim joparimor.
"Nëse besoni në atë që ju nevojitet dhe nuk besoni në atë që është kundër jush, kjo është një mënyrë krejtësisht e shtrembëruar, do të thoja, e të menduarit. Nuk mund t'i shpallni dokumente të caktuara të organeve shtetërore serbe të vlefshme dhe të tjera të pavlefshme. Ose janë të vlefshme ose janë të pavlefshme nga pikëpamja juaj. Dhe nëse do të përdoren dhe në çfarë mënyre, kjo do të vendoset nga gjykata", përfundon Petronijeviq.
Në rastin "Hashim Thaçi dhe të tjerët", le të kujtojmë se, përveç Hashim Thaçit, tre ish-zyrtarë të tjerë të lartë të UÇK-së - Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi - u akuzuan për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
0 komentet