Zgjedhjet vendore në Maqedoninë e Veriut-mes çështjeve kombëtare dhe dëshirës së qytetarëve për ndryshime

Izbori u Severnoj Makedoniji
Burim: Kosovo Online

Zgjedhjet e ardhshme vendore në Maqedoninë e Veriut mund të shërbejnë si test i rëndësishëm të forcës politike të koalicionit qeverisës dhe opozitës para zgjedhjeve të mundshme parlamentare vitin e ardhshëm. Ndoshta pikërisht kjo është arsyeja përse temat lokale janë ende në hije të çështjeve kombëtare, vlerësojnë analistët. Fushatat nuk dallojnë nga ato të kaluarat dhe sikurse theksojnë për Kosovo Onlajn, nuk sjellin asgjë të re. Qytetarët pajtohen por ende nuk e humbasin shpresën për ndryshime.

Shkruar nga: Petar Rosiq

Zgjedhjet vendore në Maqedoninë e Veriut duhet të mbahen më 19 tetor, ndërsa qytetarët do të zgjedhin kryebashkiakët dhe këshilltarët në 80 komuna dhe Shkupi, ku do të garojnë 18 kandidatë për njeriun e parë të kryeqytetit.

Fushata zyrtarisht nisi më 29 shtator. Në garën zgjedhore janë gjithsej 309 kandidatë për kryebashkiakë dhe kryetarë komunash, ndërsa gjithsej 10,490 kandidatë në 576 lista për anëtarë të këshillave komunale.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve konkludoi listën e zgjedhësve e cila përfshin gjithsej 1,832,415 zgjedhës.

Garë e tensionuar zgjedhore dhe "lista fantazmë"

Sipas rezultateve të anketës nga agjencia Market Vision, e afërt me VMRO-DPMNE, kjo parti ndodhet në vend të parë për mbështetje nga qytetarët me 22.9% mbështetje.

Në vend të dytë pozicionohet Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) me 6% dhe LSDM e cila mori mbështetjen prej 5.9%.

Pritet që gara zgjedhore të jetë jashtëzakonisht dinamike, pasi rolin kyç do ta kenë dhe raportet mes partive kryesore, si dhe çështjet e integrimit europian dhe reformat e brendshme. 

Kryeministri maqedonas Hristijan Mickoski akuzoi LSDM dhe BDI se duan të prishin proçesin e zgjedhjeve vendore. Pretendon se me "kandidatura të pavarura dhe lista fantazmë", këto parti dëshirojnë të shkatërrojnë qëllimishëm proçesin zgjedhor në Maqedoninë e Veriut.

"Për të hutuar zgjedhësit, për të mashtruar demokracinë dhe errësuar pamje të qartë të disfatës së tyre historike që po vjen. Por pas kësaj loje nuk qëndrojnë vetëm selisë partiake. Në këtë qëllim, po përdoret shteti i thellë i LSDM dhe BDI dhe njerëzit e tyre të shpërndarë në mbarë gjyqësorin, në komisionet zgjedhore dhe nëpër institucione. Ata sot janë në koalicion për të ndalur humbjen që VMRO-DPMNE dhe koalicioni do t'u sjellë në zgjedhjet vendore" tha Mickoski.

Pritshmëritë e qytetarëve 

E ndërsa fushata zgjedhore po hyn avash në fazën finale, vetë zgjedhjet po shkaktojnë reagime të përziera mes qytetarëve edhe këtë vit.

Ndërsa disa nuk presin ndonjë ndryshim, të tjerë për Kosovo Onlajn shprehin shpresën se kryebashkiakët e rinj do të sjellin rregull dhe se do të jetohet më mirë.

"Tamam si dhe në zgjedhjet e kaluara", tha një nga qytetarët e anketuar të Shkupit kur u pyet se çfarë priste, duke shtuar se do të donte që kryebashkiaku i ri të ishte "më i angazhuar dhe t'i qetësonte njerëzit".

"Duhet të ndërtohen më pak godina dhe të sigurohen më shumë parqe dhe gjelbërim. Kjo na nevojitet", tha ai.

Një nga bashkëqytetaret e tij pranon se nuk i ndjek më zhvillimet politike dhe ka humbur interesin për zgjedhjet.

"Asgjë nuk ndjek më, nuk jam njohur me zgjedhjet. Nuk e di përse", na tha shkurt.

Shkupjania e dytë ishte mjaft e ashpër, duke vlerësuar se në politikë asgjë nuk ndryshon.

"Nuk kam asnjë pritshmëri. Të gjithë që kanë qenë deri tani-gënjejnë dhe vjedhin, asgjë tjetër", tha ajo.
Shton se megjithatë, ushqen shpresë se kryebashkiaku i ri mund të sjellë ndryshime.

"Danela na ka shpërfytyruar. Beteja më e madhe që duhet të udhëheqë kryebashkiaku i ri, është me trafikun e qytetit. Higjiena është zero në këtë qytet, të hollat pompohen, populli i jep dhe nuk e dimë përse i japim", thotë ajo dhe thekson se është e zhgënjyer nga të gjitha partitë politike:

"Premtojnë gjithçka, por asgjë nuk përmbushin. Katastrofë. Populli është mjaft i zhgënjyer, por shkojnë në zgjedhje. Ja, po shkoj të votoj, vetëm që dikush të mos ma marrë votën. Përndryshe, nuk do të votoja për askënd. Nuk jam e kënaqur me askënd, as me VMRO e as me LSDM". 

Megjithatë, mes qytetarëve ka dhe nga ata që besojnë tek ndryshimi. 

"Pres që zgjedhjet për disa të jenë të drejta dhe demokratike dhe për të tjerët të padrejta dhe jodemokratike, si çdo zgjedhje në Maqedoni", thotë ky shkupjan dhe shton se "nuk mund të jetë më keq".

"Shpresoj që do të kemi kryebashkiak të mirë dhe se do të jetë më mirë se nga sot", tha ai.
Temat do të ndryshojnë

Ndonëse bëhet fjalë për zgjedhje vendore, profesori i shkencave politike dhe drejtori i Institutit për Hulumtime Politike, Vlladimir Bozhinovski, thotë se partitë politike vështirë që në fushatë të mund t’i shmangin temat kombëtare sikurse integrimi europian dhe raportet me Bullgarinë, 

“Temat përherë janë kushtimisht të përziera. Sigurisht, do të ketë çështje lokale, por që temat kombëtare me shumë gjasa do marrin fokusin e këtyre zgjedhjeve vendore. Nuk mund të veçojmë vetëm një temë, supozoj se temat do të ndryshojnë që fushata të jetë ecë përpara”, vlerëson Bozhinovski për Kosovo Onlajn.

Ky i fundit pret që fushata të nisë me çështjet ekonomike dhe shpreson se do të ketë mjaft hapësirë dhe për temat locale që për qytetarët janë më të rëndësishmet.

“Sigurisht që do të preket dhe integrimi europian, si dhe mosmarrëveshja me Bullgarinë. Nuk mund të them se këtë pres, por shpresoj që temat lokale të jenë më të rëndësishmet për qytetarët sepse flasim për zgjedhjet vendore, gjithashtu do të jenë të përfshira në fushatë sikurse premtimet që japin partitë”, bën të ditur ai. 

Me të pajtohet dhe profesorja e Fakultetit Juridik tek “Justiniani i Parë“ në Shkup dhe specialiste për mediat dhe komunikimin Jasna Baçovska Nediq.

"Tani jemi veçse në fillim të fushatës, por ajo kishte parafushatë dhe përherë është kështu. Dhe sikurse çka shohim, nuk mund t’a braktisim traditën tonë që tek fushatat politike në zgjedhjet vendore të dominohen tema me karakter kombëtar, tema që janë të thella dhe mjaft specifike për zgjedhjet parlamentare. Për shembull, identiteti, emri, problemet standarde të shtetit... Shikojmë se kandidatët për këto zgjedhje në retorikën e tyre nuk e braktisin atë axhendë, pavarësisht faktit se zgjedhjet vendore janë diçka krejtësisht e ndryshme, ku individualiteti dhe profili personal i kandidatit është mjaft i rëndësishëm", thotë për Kosovo onlajn Baçovska Nediq.

Temat vendore në plan të dytë

Sipas fjalëve të saja, kandidatët duhet të fokusohen tek komuniteti lokal.

"Kandidati duhet të ketë perceptim pozitiv tek komuniteti që e zgjedh dhe sa më pak t’a shfrytëzojë partinë politike si sfond, si dhe të përdorë sa më shumë integritetin e vet personal, idetë dhe parashikimet për komunitetin vendor", spegon ajo.

Kujton se Maqedonia e Veriut ka një sërë problemesh vendore sikurse infrastruktura, higjiena, problemet ekologjike..., me të cilat kandidatët merren shumë pak.

"Vetëqeverisja vendore është joefikase dhe qytetarët i ushtrojnë të drejtat e tyre shumë vështirë dhe ngadalë. Nëse bëjmë analizën përmbajtësore të fjalimeve të kandidatëve për zgjedhjet vendore, shikojmë se ata merren shumë pak me problemet vendore. Nga ky aspekt, partitë politike duhet të mendojnë edhe për edukimin e brendshëm të kandidatëve. Nuk bëhet fjalë vetëm me përfitimin e votave të qytetarëve, por duhet të jesh shoqërisht përgjegjës dhe të bësh diçka", pohon ajo.
Politikanëve u mungon kreativiteti

Duke folur rreth identitetit vizual të fushatës, vlerëson se dhe këtu mungon kreativiteti. 

"Kur shikojmë ato postera dhe billborde, ato nuk dallojnë dhe nuk ka kreativitet të madh. Nuk mund të dallojmë në bazë të identitetit vizual të fushatës për zgjedhjet vendore nga kombëtare. Ja, billbordet që janë shfaqur në mbarë qytetin, shikojmë fytyrat e kandidatëve dhe nuk kemi asnjë problem apo zgjidhje të vetme, asgjë që do të ndryshonte në raport me fushatën", thekson bashkëbiseduesja jonë.

Shton se fushatat duhet t'i animojnë më shumë të rinjtë dhe t'i shpëtojnë nga apatia politike.

"Fushata sapo ka nisur, zakonisht intensifikohet në finish. Do të shikojmë dhe inovacion dhe kreativitet dhe sesi kandidatët do t'u drejtohen të rinjve në rrjetet sociale. Fushatat nuk janë vetëm për të përfituar vota dhe promovojnë veten, por që duhet që në një fare mënyre të jenë mjet edukativ për të rinjtë, për t'i sensibilizuar, përfshirë..., që të mos keni të rinj politikisht apatik", beson Baçovska Nediq.

Në fund thekson se në fushatë kandidatëve u mungon edhe autenticiteti.

"Ajo gjithashtu është e rëndësishme dhe sikurse shikoj unë, kandidatët nuk janë tamam autentikë. Nuk investojnë energji, inteligjencë emocionale dhe më shumë identifikohen me partitë sesa me projeksionet personale për zgjidhjen e problemeve” konkludoi profesorja nga Shkupi.