Minoski: Tregu i përbashkët i punës është përgatitje për hyrje në BE, më shumë përfiton ekonomia sërbe

Kiril Minoski
Burim: Kosovo Online

Protokolli rreth aksesit të lirë në tregun e punës i cili u nënshkrua nga Sërbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në kuadër të Iniciativës së Ballkanit të Hapur, është një lloj përgatitjeje për hyrjen në Bashkimin Europian, pra në tregun europian ku konkurrenca do të jetë edhe më e theksuar, thotë Kiril Minoski ish-ministri i financave të Maqedonisë dhe konsulent i Bankës Botërore dhe thekson se konkurrenca është gjë e shëndetshme.

Iniciativa për tregun e lirë të punës është e mirë, sepse nënkupton lirinë e lëvizjes së fuqisë punëtore dhe se do të mundësohet aksesi i fuqisë punëtore nga rajoni, pra nga Shqipëria dhe Sërbia në Maqedoninë e Veriut dhe anasjelltas vlerëson Minoski për Kosovo Onlajn.

“Para së gjithash, përmes prizmit të lëvizjes së fuqisë punëtore rriten mundësitë, duke pasur parasysh në atë se tani fuqia punëtore vjen e del në treg me 12 milionë banorë, ku konkurrenca është më e madhe dhe mundësitë më të mëdha. Megjithatë nga ana tjetër, egzistojnë rreziqe të caktuara për ndërmarrjet në Maqedoni, duke pasur parasysh nivelin e pagave dhe duke marrë parasysh faktin se në krahasim me ekonominë shqiptare dhe maqedonase, në rajon kemi ekonominë e Sërbisë, e cila është dukshëm më e fortë dhe që mund të sigurojë pagat më të larta për fuqinë punëtore dhe që përfiton më shumë nga ky proces”, bën të ditur bashkëbiseduesi ynë.

Sipas fjalëve të tij, kontrata është e hapur për të gjitha profilet e fuqisë punëtore, ndërsa lëvizja e fuqisë punëtore përcaktohet nga oferta dhe kërkesa. Ai paralajmëron se në të gjitha vendet e rajonit kemi mungesë të ngjashme të punëtorëve, për faktin se shumica e popullsisë tenton të emigrojë në vendet e BE të cilat ofrojnë paga më të larta dhe standard më të lartë pune.

“Nga personeli shumë i kualifikuar kemi mungesë të personelit mjekësor, për shembull mjekë, si dhe njerëz nga industria e IT. Mungesa e inxhinierëve elektrikë dhe mekanikë është në rritje, vendet e rajonit e ndjejnë këtë mungesë, ndërsa egzistojnë iniciativa të shumta për të nxitur investimet e brendshme dhe të huaja. Mungesa kronike e fuqisë punëtore është vënë re edhe në hoteleri, njerëz nga shërbime të ndryshme (pastrimi, mirëmbajtje, siguri), shitës, elektricistë, punëtorë ndërtimi. Këto janë segmentet me të cilat përballen të gjitha që janë pjesë e marrëveshjes për Ballkanin e Hapur”, thotë Minoski dhe shton se kjo marrëveshje mund të stimulojë popullsinë në zonat kufitare që të jenë më të lëvizshme.

Minoski beson se ekonomia sërbe do të përfitojë më së shumti nga tregu i përbashkët i punës, sepse është dhe më konkurrente.

"Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ne si shtet nuk do të përfitojmë. Gjithçka varet në përgjithësi prej aftësisë së administratës sonë për të nisur iniciativa të ndryshme duke shfrytëzuar avantazhet e këtij tregu 12 milionësh, por edhe nga përshtatshmëria e kompanive", vlerëson bashkëbiseduesi ynë.

Minoski kujton se shumica e shteteve nënshkruese të kësaj marrëveshjeje janë të detyruara që të bëjnë ndryshime adekuate në legjislacionin e tyre që do të mundësojnë lëvizjen e papenguar të fuqisë punëtore, por edhe të sigurojnë infrastrukturë adekuate të IT që do të sigurojë aplikimin elektronik dhe dhënien elektronikisht të lejeve të cilat do të jetë e nevojshme për lirinë e lëvizjes së fuqisë punëtore në rajon.