Tirana: Koncert historik nga Zubin Mehta dhe Filharmonia e Beogradit
Dirigjenti i njohur Zubin Mehta performoi për herë të parë në Tiranë mbrëmë së bashku me Filarmoninë e Beogradit në kuadër të nismës Ballkani i Hapur.
Sapo u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar, Operës dhe Baletit, Mehta u prit me ovacione, kurse maestro legjendar dhe Filarmonia e Beogradit u dërguan me duartrokitje të bujshme, pas interpretimit të Simfonisë nr.7 të Bethovënit dhe Simfonisë Fantastique të Berliozit.
Shfaqja në Tiranë hapi një faqe të re të historisë si e para në karrierën madhështore mbi 65-vjeçare të Zubin Mehtës dhe në historinë njëqindvjeçare të Filarmonisë së Beogradit me rastin e jubileut që orkestra feston në rajon.
“Jam për herë të parë në Tiranë dhe jam shumë i lumtur që jam këtu së bashku me orkestrën e madhe të Filarmonisë së Beogradit dhe shpresojmë në takime të reja në të ardhmen”, tha maestro Mehta për mediat shqiptare.
Kënaqësinë nga shfaqja nuk e fshehën as Teatri Kombëtar, Opera dhe Baleti.
“Kemi pritur shumë kohë ardhjen e të madhit Zubin Mehta dhe Filarmonisë fantastike të Beogradit, jemi jashtëzakonisht të privilegjuar dhe të nderuar nga performanca që po na jepni sepse kjo është një ngjarje historike”, ishin fjalët që përdori drejtoresha e atij institucioni, Abigeila Voshtina, për të përshëndetur maestron e madh dhe Filarmoninë përpara shfaqjes.
Në koncert morën pjesë ministrja e Kulturës Elva Margariti si dhe ministra të tjerë të qeverisë shqiptare, ambasadori serb në Shqipëri Sllobodan Vukçeviq, përfaqësues të trupit diplomatik dhe figura të jetës publike dhe kulturore.
Koncerti i Mehtës dhe Filarmonisë në kuadër të Iniciativës Ballkani i Hapur ndërtoi ura të reja me gjuhën e fortë të muzikës që nuk njeh kufij.
Turneu, i cili filloi në Beograd me një koncert gala në Kolarac, do të përfundojë në Shkup më 24 qershor në sallën e Filarmonisë së Republikës së Maqedonisë Veriore.
komentet