Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi dënohen me gjithsej 81 vjet burg për torturimin e 303 dhe vrasjen e 96 personave
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë shpallur aktgjykimet e shkallës së parë ndaj katër liderëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Thaçi u dënua me 25 vjet burg, Veseli me 18 vjet, Krasniqi gjithashtu u shpall fajtor dhe u dënua me 25 vjet, ndërsa Selimi me 13 vjet. Trupi gjykues konstatoi se që të katërt mbajnë përgjegjësi penale për krimet e luftës të ndalimit arbitrar dhe privimit nga liria të 385 personave, trajtimit mizor të 49 personave, torturimit të 303 personave dhe vrasjes së 96 personave, thuhet në përmbledhjen e aktgjykimit.
Gjatë shpalljes së dënimit ndaj Hashim Thaçit, gjyqtari Smith tha:
“Zoti Thaçi, në emër të popullit të Kosovës, pas shqyrtimit të të gjitha provave, në bazë të neneve 43 dhe 44 të Ligjit, trupi gjykues ju shpall fajtor sipas pikës 3 për privim të kundërligjshëm nga liria të së paku 385 personave, sipas pikës 5 për trajtim mizor si krim lufte ndaj së paku 49 personave, sipas pikës 7 për torturë si krim lufte ndaj së paku 303 personave dhe për vrasje si krim lufte ndaj 96 personave. Trupi gjykues ju liron nga akuzat për disa raste të krimeve të luftës për shkak se nuk kishte prova të mjaftueshme – përndjekje, burgosje dhe veprime të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe krime kundër njerëzimit sipas pikave 1, 2, 6, 8 dhe 10. Zoti Thaçi, meqenëse jeni shpallur fajtor, është përcaktuar dënimi për secilën akuzë. A: Dënim me 15 vjet burg për krimin e luftës të ndalimit të kundërligjshëm dhe privimit nga liria; dënim me katër vjet burg për krimin e luftës të trajtimit mizor – pika 5; dënim me 20 vjet burg për krimin e luftës të torturës – pika 7; dhe dënim me 23 vjet burg për krimin e luftës të vrasjes – pika 9. Dënimi unik është 25 vjet burg dhe në të llogaritet koha që keni kaluar në paraburgim.”
Sa i përket Jakup Krasniqit, trupi gjykues e shpalli fajtor sipas pikës 3 – për ndalim të kundërligjshëm dhe privim nga liria si krim lufte ndaj së paku 385 personave; sipas pikës 5 për trajtim mizor si krim lufte ndaj së paku 49 personave; sipas pikës 7 për torturë si krim lufte ndaj së paku 303 personave; dhe për vrasje si krim lufte sipas pikës 9, të kryer ndaj 96 personave.
“Trupi gjykues ju liron nga akuzat për disa raste të krimeve të luftës për shkak se nuk kishte prova të mjaftueshme ose sepse trupi gjykues konstatoi se ngjarja në fjalë nuk është në juridiksionin e kësaj gjykate – përndjekje, burgosje dhe veprime të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë si krime kundër njerëzimit sipas pikave 1, 2, 4, 6, 8 dhe 10.”
Gjatë shqiptimit të dënimit ndaj Rexhep Krasniqit, u përcaktua dënimi për secilën akuzë.
“Pika A: Dënim me 15 vjet burg për krimin e luftës të ndalimit të kundërligjshëm dhe privimit nga liria; dënim me katër vjet burg për krimin e luftës të trajtimit mizor – pika 5; dënim me 20 vjet burg për krimin e luftës të torturës – pika 7; dhe dënim me 23 vjet burg për krimin e luftës të vrasjes – pika 9. Dënimi unik është 25 vjet burg dhe në të llogaritet koha që keni kaluar në paraburgim.”
Për Kadri Veselin u tha se është shpallur fajtor sipas pikës 3 – për ndalim të kundërligjshëm ose arbitrar dhe privim nga liria si krim lufte ndaj së paku 385 personave; nën pikën B, sipas pikës 5, për trajtim mizor si krim lufte ndaj së paku 49 personave; nën pikën C, sipas pikës 7, për torturë si krim lufte ndaj së paku 303 personave; dhe nën pikën D, sipas pikës 9, për vrasje si krim lufte, të kryer ndaj 96 personave.
“Trupi gjykues ju liron nga akuzat për disa raste të krimeve të luftës për shkak se nuk kishte prova të mjaftueshme ose sepse trupi gjykues konstatoi se ngjarja në fjalë nuk është në juridiksionin e kësaj gjykate – përndjekje, burgosje dhe veprime të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë si krime kundër njerëzimit sipas pikave 1, 2, 4, 6, 8 dhe 10. Zoti Veseli, meqenëse jeni shpallur fajtor, është përcaktuar dënimi për secilën akuzë. A: Dënim me 10 vjet burg për krimin e luftës të ndalimit të kundërligjshëm dhe privimit nga liria; dënim me tre vjet burg për krimin e luftës të trajtimit mizor – pika 5; dënim me 13 vjet burg për krimin e luftës të torturës – pika 7; dhe dënim me 16 vjet burg për krimin e luftës të vrasjes – pika 9. Dënimi unik është 18 vjet burg dhe në të llogaritet koha që keni kaluar në paraburgim”, tha gjyqtari Smith.
Në fund, Rexhep Selimi u dënua me 13 vjet burg.
“Në bazë të neneve 43 dhe 44 të Ligjit, trupi gjykues ju shpall fajtor, nën pikën A, sipas pikës 3 – për ndalim të kundërligjshëm ose arbitrar dhe privim nga liria si krim lufte ndaj së paku 385 personave; nën pikën B, sipas pikës 5, për trajtim mizor si krim lufte ndaj së paku 49 personave; nën pikën C, sipas pikës 7, për torturë si krim lufte ndaj së paku 303 personave; dhe nën pikën D, sipas pikës 9, për vrasje si krim lufte, të kryer ndaj 96 personave. Trupi gjykues ju liron nga akuzat për disa raste të krimeve të luftës, pasi nuk kishte prova të mjaftueshme ose sepse trupi gjykues konstatoi se ngjarja në fjalë nuk është në juridiksionin e kësaj gjykate – përndjekje, burgosje dhe veprime të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë si krime kundër njerëzimit sipas pikave 1, 2, 4, 6, 8 dhe 10. Zoti Selimi, meqenëse jeni shpallur fajtor, është përcaktuar dënimi për secilën akuzë. A: Dënim me gjashtë vjet burg për krimin e luftës të ndalimit të kundërligjshëm dhe privimit nga liria; dënim me dy vjet burg për krimin e luftës të trajtimit mizor – pika 5; dënim me tetë vjet burg për krimin e luftës të torturës – pika 7; dhe dënim me 11 vjet burg për krimin e luftës të vrasjes – pika 9. Dënimi unik është 13 vjet burg dhe në të llogaritet koha që keni kaluar në paraburgim”, përfundoi gjyqtari Smith.
Në arsyetimin e aktgjykimit, gjyqtari Smith tha se, sa i përket peshës së veprave penale, trupi gjykues është i mendimit se veprat ishin të një rëndësie dhe përmasash të mëdha.
“Ato janë kryer në 14 komuna në Kosovë dhe në dy lokacione në veri të Shqipërisë. Të gjitha veprat penale janë të rënda – trajtimi mizor dhe tortura përbëjnë një cenim të rëndë të viktimës, ndërsa vrasja është një nga veprat penale më të rënda. Disa persona janë mbajtur të mbyllur së bashku me anëtarë të tjerë të familjes. Në Malishevë, një foshnjë është mbajtur e mbyllur për 10 ditë së bashku me nënën e saj, ndërsa është ndaluar edhe një djalë 14-vjeçar. Një burrë i moshuar është rrahur aq rëndë saqë i është dërrmuar fytyra. Veprat kanë lënë pasoja të përhershme te këta persona. Për këto arsye, u konstatua se veprat penale ishin shumë të rënda. Trupi gjykues vlerëson natyrën dhe shkallën e pjesëmarrjes së të akuzuarve, por nuk do t’i përsëris tani.”
Hashim Thaçi: rrethanë rënduese është fakti se Thaçi ka keqpërdorur pozitën e tij. U konstatua se ai e ka shfrytëzuar pozitën e tij drejtuese për të realizuar aspektet e dënueshme të qëllimit. Rrethanë lehtësuese është kontributi i tij në themelimin e Dhomave të Specializuara, fakti që dha dorëheqje nga posti i kryeministrit dhe se iu dorëzua vullnetarisht gjykatës.
Kadri Veseli: ka keqpërdorur pozitën e tij, gjë që përbën rrethanë rënduese. Sa u përket rrethanave lehtësuese – është i martuar dhe ka fëmijë të moshës shkollore. Ka pasur sjellje shembullore gjatë procesit. Është dorëzuar vullnetarisht.
Rexhep Selimi: Rrethanë rënduese është fakti se ka keqpërdorur pozitën dhe autoritetin e tij. Rrethanë lehtësuese – ka bashkëshorte dhe fëmijë dhe pohon se është shumë i lidhur me ta. Ka bashkëpunuar me Prokurorinë e Specializuar. Është dorëzuar vullnetarisht dhe ka bashkëpunuar gjatë kontrollit të shtëpisë.
Jakup Krasniqi: Rrethanë rënduese është fakti se ka keqpërdorur pozitën e tij, pasi e ka shfrytëzuar funksionin për të realizuar aspektet e dënueshme të qëllimit të përbashkët. Rrethanë lehtësuese – mosha e shtyrë dhe sjellja shembullore gjatë procesit.
Gjyqtari Smith, duke lexuar vendimin e trupit gjykues, tha se, ndonëse përgjegjësia e të akuzuarve është individuale, asnjëri prej tyre nuk do të kishte mundur ta realizonte i vetëm atë që ishte bërë.
“Së bashku u morën vesh për qëllimin, ngritën sistemin, krijuan objektet e paraburgimit dhe formuan njësitë. I caktuan role vetes dhe të tjerëve. Së bashku emëruan persona të tjerë në pozita të rëndësishme, së bashku hartuan komunikata, sulmuan armiqtë dhe krijuan një politikë pandëshkueshmërie për veprat penale. Sado i thjeshtë që ishte plani, ai ishte po aq shkatërrues. Ai konsistonte në krijimin e objekteve të paraburgimit, ndalimin, privimin nga liria dhe vrasjen. Ky plan u zbatua gjatë gjithë konfliktit”, tha gjyqtari Smith.
Zoti Thaçi ka marrë pjesë në kryerjen e veprave penale dhe i ka mbështetur ato në mënyra të shumta, tha gjyqtari Smith.
“Përmes publikimit të komunikatave dhe zhvillimit të luftës speciale, ai tregoi se lejonte kryerjen e veprave penale ndaj kundërshtarëve. Personalisht ka marrë pjesë në veprat penale të ndalimit, privimit nga liria dhe marrjes në pyetje të 13 deputetëve në Qirez dhe Banjicë, si dhe në ndalimin, privimin nga liria dhe vrasjen e Behajdin Allaçit. Ai kishte dijeni edhe për ndalimin e disa personave të tjerë. Sa i përket Allaçit, trupi gjykues konstatoi se në vitin 1993 Allaçi kishte pasur një konflikt serioz me Thaçin, pasi e kishin akuzuar se kishte sjellë Shaban Shalën, i cili pretendohej se ishte spiun serb, në organizatën ku ata bënin pjesë. Trupi gjykues konstatoi se, para se të zhdukej, Allaçi ishte nën mbikëqyrjen e shërbimit të inteligjencës së UÇK-së”, tha Smith dhe vazhdoi:
“Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli kërkuan që të informoheshin për lëvizjet e Allaçit. Më 11 qershor 1998, Allaçi u largua nga shtëpia e tij dhe shkoi në Shtabin e UÇK-së në Gllogoc. Atje mbërritën Thaçi dhe Veseli. Ata e morën Allaçin me pranga në duar. Allaçi nuk u pa më kurrë dhe trupi gjykues u bind se ai ishte vrarë. Për ta fshehur këtë, ndërmorën disa veprime: hartuan një raport sipas të cilit Allaçi kishte rënë në luftë si dëshmor. Kadri Veseli, së bashku me Thaçin, u përpoq t’i jepte ryshfet familjes së Allaçit, por ajo e refuzoi.”
Thaçi dhe Veseli e kanë keqtrajtuar Shaban Shalën, vazhdoi më tej gjyqtari Smith.
“Trupi gjykues konstatoi se Thaçi kishte dijeni për një numër të madh veprash penale ndaj kundërshtarëve, por nuk ndërmori asnjë masë për t’i ndëshkuar autorët. Ai mori pjesë në mënyrë aktive në veprat penale dhe avancoi persona të përfshirë në to. Përhapte informacione për veprat penale dhe jepte informacione të rreme se UÇK-ja respektonte të drejtën humanitare. Sa i përket Veselit, trupi gjykues konstatoi se ai kontribuoi në realizimin e qëllimit të përbashkët. Ishte drejtues i drejtorisë së inteligjencës, që kishte për qëllim mbledhjen e informacioneve për kolaboracionistët, si dhe mbikëqyrjen e këtyre personave. Zoti Veseli ishte element kyç në realizimin e qëllimit të përbashkët. Ai, së bashku me të akuzuarit e tjerë, vendoste persona besnikë në pozita kyçe. Përveç kësaj, trupi gjykues konstatoi se Veseli mori pjesë në veprat penale. Ai ishte personalisht i përfshirë në zbatimin e Luftës Speciale të Shtabit të Përgjithshëm, në identifikimin e kundërshtarëve, si dhe në kryerjen e veprave penale të ndalimit, privimit nga liria dhe vrasjes së Allaçit, si dhe në ndalimin, privimin nga liria, transferimin dhe lirimin e një të burgosuri tjetër të UÇK-së. Ai kishte dijeni për veprat e kryera ndaj kundërshtarëve, por pavarësisht kësaj nuk i parandaloi ato, por mori pjesë në mënyrë aktive në to dhe i nxiti. Të ashtuquajturat informacione të sigurisë, në bazë të të cilave një numër i madh personash u ndaluan dhe u vranë, bazoheshin kryesisht në thashetheme. Nuk kishte prova se viktimat ishin spiunë”, lexoi gjyqtari.
Sa i përket Selimit, trupi gjykues konstatoi se ai kishte dhënë një kontribut të rëndësishëm në realizimin e qëllimit.
“Ai ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe mbante funksionin e inspektorit të përgjithshëm. Kishte kompetenca më të kufizuara në krahasim me të akuzuarit e tjerë, por luajti rol kyç në formimin e njësive të UÇK-së. Kjo, në vetvete, nuk është e dënueshme, por trupi gjykues konstatoi se Selimi merrte rregullisht raporte për të dyshuarit dhe kolaboracionistët. Selimi ishte i vetëdijshëm se njësitë e UÇK-së i përndiqnin në mënyrë të synuar personat e dyshuar. Para luftës kishte marrë pjesë në sulme ndaj kolaboracionistëve, prandaj mund të konkludohet se ishte i vetëdijshëm se kjo ishte politikë e UÇK-së. Zoti Selimi nxiti kryerjen e veprave penale dhe mori pjesë në to. Ai mori pjesë në ndalimin dhe burgosjen e 13 deputetëve të Kuvendit në Qirez. Mori pjesë në Luftën Speciale të Shtabit të Përgjithshëm dhe nuk i parandaloi veprat. Trupi gjykues konstaton se Selimi kishte dijeni për një numër të madh veprash penale – keqtrajtime dhe vrasje. Ai nuk ndërmori masa për t’i parandaluar këto vepra apo për t’i ndëshkuar autorët. Kur u bë ministër i Rendit Publik, avancoi disa persona që kishin marrë pjesë në vepra penale. Si inspektor i përgjithshëm, nuk u kujdes që të siguronte respektimin e së drejtës humanitare nga UÇK-ja.”
Në fillim të shpalljes së aktgjykimit, gjyqtari Charles Smith theksoi se procesi kishte të bënte me aktakuzën dhe jo me legjitimitetin e UÇK-së.
“Hashim Thaçi është i akuzuari i parë në këtë çështje. Nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999, Thaçi ishte drejtues i Drejtorisë së Informacionit të UÇK-së dhe komandant suprem i UÇK-së.Kadri Veseli, i akuzuari i dytë në këtë çështje, është shtetas i Kosovës. Zoti Veseli është një nga themeluesit e UÇK-së dhe të Shtabit të Përgjithshëm. Ishte anëtar i Drejtorisë së UÇK-së për Çështje Politike dhe drejtues i shërbimit të inteligjencës së UÇK-së. Ishte gjithashtu drejtues i Shërbimit Informativ të Kosovës, të quajtur SHIK. Rexhep Selimi, i akuzuari i tretë, është shtetas i Kosovës, i lindur në komunën e Skenderajt në Kosovë. Prokuroria pretendon se Selimi ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe drejtues i sektorit të operacioneve të UÇK-së. Jakup Krasniqi, i akuzuari i katërt, është shtetas i Kosovës. Prokuroria pretendon se ai ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe anëtar i Drejtorisë së UÇK-së për Çështje Politike, zëdhënës kryesor i UÇK-së dhe zëdhënës i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës”, tha gjyqtari Smith.
Gjyqtari Smith më tej tha se Prokuroria i ngarkon të gjithë të akuzuarit me gjashtë pika të aktakuzës për krime kundër njerëzimit – konkretisht përndjekje, ndalimi, veprime të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.
“Prokuroria pretendon se të gjitha veprimet që u ngarkohen të akuzuarve ishin pjesë e një sulmi sistematik dhe më të gjerë. Prokuroria pretendon se të akuzuarit kishin dijeni për këtë sulm. Prokuroria i ngarkon të akuzuarit me katër pika të aktakuzës për krime lufte: ndalim të kundërligjshëm ose arbitrar apo privim nga liria, trajtim mizor, torturë dhe vrasje. Sipas pretendimeve të Prokurorisë, të gjitha veprimet janë kryer në kontekstin e konfliktit ndërmjet UÇK-së dhe forcave të Republikës Federale të Jugosllavisë. Prokuroria pretendon se veprat janë kryer në bazat ose shtabet e UÇK-së. Të akuzuarit ishin të vetëdijshëm se viktimat ishin persona që nuk merrnin pjesë aktive në luftime. Të akuzuarit mbajnë përgjegjësi individuale. Që të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.”
Gjyqtari më tej tha se gjykimi u zhvillua në kontekstin e frikësimit të vazhdueshëm të dëshmitarëve.
“Disa dëshmitarë i tërhoqën deklaratat e tyre, e gënjyen trupin gjykues dhe përsëritën fjali të mësuara përmendësh. Disa dëshmitarë kishin frikë për sigurinë e tyre. Fakti që trupi gjykues është në gjendje të nxjerrë një aktgjykim dëshmon për guximin dhe vendosmërinë e tyre. Për shkak të frikësimit të dëshmitarëve, janë zbatuar masa për mbrojtjen e individëve.”
Për krimet kundër njerëzimit
“Trupi gjykues nuk u bind se viktimat përbënin popullsi civile, prandaj nuk konstatoi se Prokuroria kishte vërtetuar se ishin kryer veprat penale të përndjekjes, torturës, si dhe veprimeve të tjera çnjerëzore, vrasjes dhe zhdukjes me forcë të personave si krime kundër njerëzimit. Trupi gjykues konstatoi se, më së voni nga fundi i marsit 1998 deri më 20 qershor 1999, në Kosovë ekzistonte një konflikt i armatosur jondërkombëtar ndërmjet UÇK-së dhe RFJ-së. Konflikti zhvillohej në Kosovë, por dispozitat e së drejtës ndërkombëtare humanitare zbatohen gjithashtu në disa pjesë të veriut të Shqipërisë. Viktimat ishin persona që gëzonin mbrojtje sipas normave të së drejtës ndërkombëtare humanitare. Që të katër të akuzuarit ishin të vetëdijshëm për rrethanat e konfliktit dhe statusin e mbrojtur të viktimave. Trupi gjykues konstaton se ngjarjet relevante, pas përfundimit të konfliktit të armatosur, kur rregullat e së drejtës ndërkombëtare humanitare pushuan së zbatuari, nuk mund të cilësohen si krime lufte”, tha gjyqtari Smith.
Gjyqtari më tej tha se, lidhur me këtë, trupi gjykues rikujton se personat e privuar nga liria, në parim, mbrohen nga e drejta ndërkombëtare humanitare deri në përfundimin e konfliktit.
“Do të filloj me pikën 3. Trupi gjykues konstatoi se pjesëtarët e UÇK-së privuan në mënyrë arbitrare nga liria të paktën 385 persona dhe i mbajtën në një numër objektesh ndalimi nën kontrollin e UÇK-së në 14 komuna në Kosovë dhe në dy lokacione në veri të Shqipërisë. Pjesëtarët e UÇK-së, si dhe policia ushtarake, i arrestonin viktimat dhe i dërgonin në këto objekte. Shumë prej tyre u arrestuan në shtëpitë e tyre ose në rrugë dhe u dërguan në objekte ndalimi. I godisnin, ua merrnin sendet personale dhe i frikësonin, duke pretenduar se ishin spiunë serbë, tradhtarë dhe duke ngritur akuza të tjera të ngjashme. Gjatë ndalimit, viktimat nuk mund të largoheshin nga objektet dhe mbaheshin nën roje. Shumë prej tyre ishin të lidhur me zinxhirë, me duar të lidhura, ndërsa të tjerët mbaheshin nën kërcënimin e armëve. Një dëshmitar tregoi se e kishin çuar në një stallë, ku njerëzit ishin të lidhur me zinxhirë si kafshë. Nuk ekzistonte dyshim i bazuar që do ta bënte të domosdoshëm privimin nga liria. Në disa raste, mes të ndaluarve kishte gra dhe fëmijë. Nuk kishte prova se viktimat merreshin me ndonjë aktivitet të rrezikshëm. Viktimat mbaheshin të ndaluara në bazë të thashethemeve se ishin kolaboracionistë serbë për shkak të ndonjë spiunimi të pretenduar apo kontakteve me policinë ose ushtrinë serbe. Nuk ka prova se ata ishin vërtet spiunë apo tradhtarë”, shpjegoi gjyqtari Smith dhe vazhdoi:
“Trupi gjykues konstatoi se pjesëtarët e UÇK-së, edhe kur shkak për arrestimin ishin mosmarrëveshjet personale, i mbanin personat të ndaluar për periudha më të gjata. Në disa raste, viktimat vriteshin. Gjatë ndalimit, të ndaluarve nuk iu siguruan garancitë themelore që u takonin sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare. Përveç një numri shumë të vogël rastesh, të ndaluarit nuk u njoftuan zyrtarisht për ndalimin ose arsyet e tij. Ata ishin lënë në mëshirën e rojtarëve të tyre. Atyre u mohohej procedura e rregullt ligjore, gjë që dëshmon se ndërmjet prillit 1998 dhe qershorit 1999, në 14 komuna në Kosovë, pjesëtarët e UÇK-së i ndalonin personat me dashje. Për këto arsye, trupi gjykues konstatoi se krimi i luftës i ndalimit dhe privimit nga liria, sipas aktakuzës, ishte kryer ndaj të paktën 385 personave.”
Për torturimin e të burgosurve
“Në bazë të tërësisë së provave, trupi gjykues konstatoi se 348 persona iu nënshtruan trajtimit mizor, ndërsa nga ky numër 303 persona iu nënshtruan torturës. Pjesëtarët e UÇK-së mbanin kushte çnjerëzore të ndalimit. Të burgosurit mbaheshin në lloje të ndryshme objektesh, si ish-shkolla, stalla dhe objekte të braktisura. Shumë të burgosur detyroheshin të flinin në dysheme prej betoni, e cila ishte e mbuluar me jashtëqitje njerëzore dhe kafshësh. Merrnin shumë pak ushqim dhe nuk u lejohej të laheshin. Ishin të lidhur me zinxhirë ose pranga dhe u lidheshin duart dhe këmbët. Shumë pjesëtarë të UÇK-së i keqtrajtonin fizikisht të burgosurit, i shqelmonin rregullisht, i rrihnin, i godisnin me kondakë armësh, shufra metalike dhe kabllo elektrike. Disa i varnin nga këmbët dhe i rrihnin ndërsa qëndronin të varur. Shumë prej tyre i rrihnin derisa nuk mund të ngriheshin më në këmbë. Disa të burgosur vdiqën si pasojë e rrahjeve të rënda. Një i burgosur, ndërsa po e rrihnin, iu lut që t’i jepnin një plumb, por një pjesëtar i UÇK-së i tha se për të nuk kishte plumb”, tha gjyqtari Smith.
Duke vazhduar leximin e arsyetimit të aktgjykimit, ai tha se të burgosurit ishin torturuar edhe psikologjikisht dhe se dy të burgosur ishin rrahur aq rëndë para të tjerëve, saqë të gjithë të pranishmit kishin shpërthyer në lot.
“Një të burgosur që kishte kryer vetëvrasje e lanë aty që ta shihnin të tjerët. Në shumë objekte, viktimat kërcënoheshin se do të vriteshin ose u thuhej se persona të tjerë që ndodheshin bashkë me ta ishin ekzekutuar. Të burgosurit shikonin se si rriheshin të afërmit ose anëtarët e familjeve të tyre. Një dëshmitar tregoi se si një i afërm i tij ishte vrarë para syve të tyre: ‘Do ta kisha pasur më të lehtë sikur të më kishin vrarë mua’, tha ai dëshmitar. Shumë të burgosur pësuan lëndime të rënda, iu thyen këmbët dhe brinjët dhe edhe sot e kësaj dite vuajnë nga dhimbjet dhe nuk mund të ecin normalisht. Shumë prej tyre humbën dhëmbët ose u mbetën shenja të përhershme. Shumë përshkruan pasojat e përhershme të vuajtjeve të tyre dhe vuajnë nga depresioni dhe probleme të tjera. Trupi gjykues konstatoi se pjesëtarët e UÇK-së kishin për qëllim t’u shkaktonin të burgosurve vuajtje të rënda mendore dhe fizike.”
Gjyqtari Smith më pas kaloi te pika e aktakuzës për vrasje si krim lufte.
“Trupi gjykues konstatoi se pjesëtarët e UÇK-së, ndërmjet vitit 1998 dhe 20 qershorit 1999, kryen me dashje veprime dhe mosveprime që shkaktuan vdekjen e 96 personave të cilët nuk merrnin pjesë aktive në luftime. Konkretisht, në lokacione të ndryshme që ishin nën kontrollin e UÇK-së, viktimat u vranë me armë zjarri, ndërsa të tjerë vdiqën si pasojë e rrahjeve të rënda. Trupat e viktimave u gjetën në një gjendje që tregonte cenim të dinjitetit të tyre personal. Një dëshmitar tregoi se familja kishte mësuar nga mediat për vdekjen e anëtarit të saj. Trupi i viktimës ishte lënë pranë rrugës, kishte njërën dorë të thyer, mavijosje dhe prerje. Trupat e disa viktimave nuk janë gjetur kurrë. Duke pasur parasysh rrethanat dhe lëndimet që u ishin shkaktuar, përfundimi i vetëm është se të paktën disa prej pjesëtarëve të UÇK-së kishin për qëllim të vrisnin persona të caktuar. Nga kjo, trupi gjykues konstaton se pjesëtarët e UÇK-së, në 12 komuna në Kosovë, kryen me dashje veprime që shkaktuan vdekjen e të paktën 96 personave dhe, për rrjedhojë, është vërtetuar se është kryer krimi i luftës i vrasjes”, tha Smith.
Gjyqtari Smith theksoi se në shënjestër ishin pjesëtarët e forcave të tjera dhe personat e lidhur me ta:
- Individë për të cilët pretendohej se ishin të lidhur me autoritetet e Serbisë, por edhe pjesëtarë të pakicave kombëtare, si romët dhe serbët. Objektivat kryesore ishin vrasja dhe sulmet ndaj shqiptarëve etnikë të dyshuar për kolaboracionizëm dhe ndaj serbëve etnikë të cilësuar si armiq.
- Sulmet e synuara ndaj shqiptarëve dhe serbëve për të njëjtat arsye.
- Komunikatat dhe deklaratat e luftës në të cilat bëheshin kërcënime.
- Zhvillimi i Luftës Speciale kundër kundërshtarëve.
- Përsëritja e këtyre mesazheve në komunikatat e Thaçit dhe Selimit.
- Përdorimi i policisë ushtarake dhe i shërbimit sekret për mbikëqyrjen e kolaboracionistëve.
- Krijimi i objekteve të ndalimit dhe kërkimi i individëve në bazë të listave të personave të dyshuar.
- Ekzistenca e një modeli të qartë në veprat penale të kryera në këto objekte.
- Lejimi, pranimi dhe nxitja e kryerjes së veprave penale, si dhe ekzistenca e një politike të pandëshkueshmërisë për veprat e kryera ndaj kundërshtarëve.
Përmbledhja e aktgjykimit
Trupi gjykues sot shpalli aktgjykimin në çështjen kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Trupi gjykues konstatoi se që të katër mbajnë përgjegjësi penale për krimet e luftës të ndalimit arbitrar dhe privimit nga liria të 385 personave, trajtimit mizor të 49 personave, torturimit të 303 personave dhe vrasjes së 96 personave.
Trupi gjykues i liroi të akuzuarit nga akuzat për krime kundër njerëzimit, duke konstatuar se Prokurori i Specializuar nuk kishte vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm se kishte ekzistuar një sulm i gjerë ose sistematik i drejtuar kundër popullsisë civile. Të akuzuarit u liruan gjithashtu nga akuzat lidhur me një numër incidentesh të krimeve të luftës.
Trupi gjykues e dënoi Hashim Thaçin me 25 vjet burg, Kadri Veselin me 18 vjet, Rexhep Selimin me 13 vjet dhe Jakup Krasniqin me 25 vjet burg, duke u llogaritur në dënim edhe koha e kaluar në paraburgim. Gjyqtarët konstatuan se, gjatë konfliktit në Kosovë, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kontribuuan në mënyrë të konsiderueshme në qëllimin e përbashkët kriminal të përndjekjes së personave që konsideroheshin kundërshtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të qëllimeve të saj politike dhe ushtarake. Në mesin e tyre përfshiheshin shqiptarë të Kosovës nga radhët e forcave të tjera politike ose ushtarake, si LDK-ja dhe FARK-u, persona që pretendohej se kishin lidhje me organet e pushtetit të RFJ-së, përkatësisht të Serbisë, si dhe pjesëtarë të pakicave kombëtare, përfshirë një numër romësh dhe serbësh.
Sulmet e synuara ndaj këtyre kundërshtarëve përfshinin vrasje, ndalime dhe privim nga liria pa një proces të rregullt gjyqësor, keqtrajtim fizik dhe psikologjik, si dhe forma të tjera të keqtrajtimit, frikësimit dhe ngacmimit.
Me vetëm disa përjashtime, trupi gjykues konstatoi se nuk kishte prova se ndonjëra prej viktimave merrej me veprimtari kriminale, merrte pjesë aktive në luftime ose përbënte kërcënim legjitim për sigurinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Shumica dërrmuese e viktimave ishin civilë të pafajshëm, të cilët u gjendën në rrugën e realizimit të qëllimit të përbashkët kriminal, në kuadër të të cilit akuzoheshin, më së shpeshti në mënyrë të rreme dhe kryesisht pa asnjë bazë, se ishin kolaboracionistë dhe spiunë. Një numër i madh viktimash deklaruan se vuajtjet e përjetuara u kishin lënë pasoja të përhershme psikologjike dhe fizike. Gjatë përcaktimit të dënimit, trupi gjykues shqyrtoi në mënyrë të hollësishme faktet relevante, peshën e veprave penale, natyrën dhe shkallën e pjesëmarrjes së secilit prej të akuzuarve, si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese. Trupi gjykues mori parasysh edhe faktin se disa viktima ndodheshin në një pozitë veçanërisht të cenueshme, për shembull për shkak të moshës së tyre ose për shkak se ishin detyruar të ishin të pranishme gjatë keqtrajtimit apo vrasjes së anëtarëve të familjes së tyre.
0 komentet