Ballkani është pasqyra e mossuksesit të politikave europiane
Shkruar për Kosovo onlajn: Zhelko Shajn
Ndërsa Moska, Pekini dhe Uashingtoni formësojnë arkitekturën e re botërore, Unioni Europian tenton të ruajë ndikimin e vet në Ballkan. Në vizitën në Shkup, presidentja e KE Ursula fon der Lajen dëshmoi vazhdimësinë e politikës hipokrite kushtëzuese, ndërsa presidenti i Sllovakisë Peter Pelegrini paralajmëroi domosdoshmërinë e autokritikës dhe reformës së BE.
Vizita e presidentes së Komisionit Europian Ursula fon der Lajen në Ballkanin Perëndimor, vijoi fill pasi presidenti i Sllovakisë Peter Pelegrini vizitoi Shkupin, zbuloi thelbin e thellë të politikës së sotme europiane: mungesën e vizionit, vetëbesimit dhe vullnetit të vërtetë që rajonin t’a vëzhgojë si partner dhe jo si tampon-zonë gjeopolitike. Ndërsa bota është e ndarë mes tre qendrave kryesore të fuqisë-Uashingtonit, Moskës dhe Pekinit-Unioni Europian tenton të provojë se ende ka rëndësi politike. Megjithatë, Ballkani gjithnjë e më shumë po bëhet pasqyrë e kësaj pafuqishmërie.
Gjatë vizitës në Shkup, presidentja e KE përsëriti mantrën rreth perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor. Foli rreth investimeve, infrastrukturën, tranzicionin e gjelbër dhe transformimin dixhital. Megjithatë, pas mesazheve zyrtare, fshihej sërish politika e njohur-kushtëzimi i negociatave pranuese me ndryshimin e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut. Brukseli i cili paraqitet si promovues i demokracisë dhe sundimit të ligjit, përcjell mesazhin se vullneti politik i një vendi, mund të ndryshojë nën presion, ndërsa sovraniteti bëhet subjekt i tregtisë. Maqedonasit një herë në vitin 2018 janë dakordësuar të ndryshojnë emrin e shtetit e kështu kanë hequr dorë nga një pjesë e identitetit të vet. I’u premtua anëtarësimi në NATO dhe rrugë e shpejte drejt BE. Ndonëse sot janë në Aleancë, duket, janë më larg se kurrë nga Unioni.
As presidentja e Maqedonisë së Veriut Gordana Siljanovska Davkova dhe as kryeministri Hristijan Mickoski nuk morën asnjë garanci që proçesi i integrimit do të vijojë edhe nëse Kushtetuta ndryshohet. Mesazhi i Fon der Lajen, publikuar në rrjetin social "X"-"Gjithçka është në duart tuaja"-më shumë tingëllonte si heqje e përgjegjësisë sesa mbështetje e sinqertë. Në këtë fjali, ndoshta e pavetëdijshme, përmban gjithë të vërtetën rreth qasjes europiane ndaj Ballkanit: Brukseli dëshiron rezultate, por nuk dëshiron përgjegjësi; dëshiron ndikim, por jo detyrime; dëshiron aleatë, por jo partnerë të barabartë.
Ton krejtësisht ndryshe solli presidenti i Sllovakisë, Peter Pelegrini, ku në Shkup foli një ditë para Ursula fon der Lajen. Mesazhi i tij ishte i qartë dhe jashtëzakonisht i ndershëm për një udhëheqës europian: Unioni Europian po lodh Ballkanin Perëndimor me politikat e veta dhe rrezikon të humbasë breza që besonin tek ideja europiane.
"Unioni Europian po humbet konkurrueshmërinë e vet. Potenciali ynë inovativ dhe hulumtues, mbetet pas vendeve aziatike dhe Shteteve të Bashkuara. Përballemi me çmime të larta të energjisë dhe kërcënimin e luftës ekonomike përmes vendosjes së tarifave. BE duhet të gjejë mënyrën që të përballet me këto sfida dhe të tregojë guxim për të zhvilluar ekonomi moderne, të investojë në infrastrukturë, hulumtim dhe zhvillim. Vazhdoj të besoj se Unioni mund të mbetet një prej blloqeve kryesore globale, por vetëm nëse reformohet seriozisht",tha Pelegrini në Shkup.
Pelegrini fitoi simpatinë e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut sepse tha hapur se Europa është vetë përgjegjëse për rënien e besimit në Ballkan. Ndërsa institucionet europiane janë varrosur në gjuhën e tyre burokratike dhe premtimet e pasinqerta, realiteti tregon se Brukseli ka kompasin mes parimeve dhe interesave.
Në fokus të vizitës së Fon der Lajen ishte edhe plani ekonomik për Ballkanin Perëndimor. Ajo njoftoi se BE do të investojë në energji, dixhitalizim, inteligjencë artificiale dhe tranzicion e gjelbër. Megjithatë, pas frazave tërheqëse rreth modernizimit, qëndron llogaritje mjaft pragmatike: Unioni Europian nuk mund të llogarisë më furnizime stabile me energji nga Rusia, ndaj tenton që rajonin t’a shndërrojë në korridor rezervash energjitike tranzitore. Kjo nuk është politikë e re, por tani është më e qartë se kurrë që Brukseli e shikon Ballkanin përmes prizmit gjeopolitik-si hapësirë amortizuese për pasojat e konfliktit global mes Lindjes dhe Perëndimit.
Unioni Europian dikur ishte simbol stabiliteti, bashkimi dhe perspektive. Sot, megjithatë, është bërë simbol i standarteve të dyfishta. Prej Sërbisë kërkohet vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë, nga B&H pritet kohezion politik, ndërsa vetë Unioni tregon ndasi rekord politike. Prej Maqedonisë së Veriut kërkohet ndryshim i ri kushtetues, por pa garanci se kjo do të thotë anëtarësim real. Hipokrizia e BE është bërë e dukshme dhe përmes kontradiktave të brendshme. Ndërsa në Bruksel flitet për "vlerat europiane", në praktikë gjithçka varet nga kalkulimet e interesit. Vendimet nuk merren në bazë të parimeve, por në bazë të frikës-nga migrimi, nga ndikimi rus, nga humbja e tregut.
Kur shikohet pamja e zgjeruar, bëhet e qartë se BE e sotme nuk merr më pjesë barabartësisht në formësimin e rendit botëror. Ndërsa Uashingtoni udhëheq proceset globale të sigurisë, Moska dhe Pekini zgjerojnë ndikimin e tyre ekonomik dhe politik, Brukseli merret me kompromise të brendshme. Fon der Lajen këtë e ndjeu personalisht-si gjatë vizitës së saj në Pekin, ku ishte nën hijen e Presidentit Makron, ashtu edhe në rastin e bisedimeve me administratën amerikane, ku zëri i saj nuk u llogarit si faktor i rëndësishëm.
Europa thjesht ka humbur aftësinë për të folur me një zë. Ndaj tashmë tenton të zëvendësojë ndikimin global duke ushtruar presion mbi Ballkanin. Megjithatë, Ballkani nuk është më i njëjti. Vendet e rajonit e kanë shpallur integrimin europian si qëllim strategjik, por gjithmonë e më pak janë të gatshme që këtë qëllim t’a arrijnë me çdo çmim, pasi çdo çmim i ri do të thotë-humbje e identitetit, autonomisë, sovranitetit ekonomik.
Brukseli po përballet me faktin se nuk mund t’a drejtojë më rajonin si dikur. As nuk mund të konkurrojë me investimet nga Kina, as të zëvendësojë ndikimin rus në energji, as të ofrojë vizion të qartë politik. Ndaj përdor metoda të vjetra-kushtëzimin, burokracinë dhe vizitat simbolike që duhet të tregojnë se BE "nuk e ka harruar Ballkanin".
Unioni Europian sot balancohet mes dobësive të veta dhe sfidave të politikës së jashtme. Brenda kufijve të vet po rritet populizmi, ekstremizmi dhe ndasitë sociale, ndërsa jashtë tyre tentohet që të luajë me forcë morale. Në të tillë kontekst, Ballkani Perëndimor bëhet test i besueshmërisë së politikës europiane të zgjerimit.
Vizita e Ursula fon der Lajen ishte menduar si demonstrim i vendosmërisë europiane, ndërsa përfundoi si konfirmim i pafuqisë së saj. Fjalët e saj për të ardhmen e rajonit dukeshin bosh, ndërsa deklaratat e Peter Pelegrinit jehuan si zë i arsyes brenda Unionit të rraskapitur. Brukseli duhet të kuptojë se Ballkani nuk është më hapësirë ku mund të diktojë rregulla pa pasoja. Në botën që formohet, arkitektura e re globale e fuqisë, rajoni bëhet i rëndësishëm pikërisht sepse ka mundësi zgjedhjeje-mes Lindjes dhe Perëndimit, mes partneriteteve tradicionale dhe aleancave të reja.
Nëse Unioni Europian vazhdon me politikën hipokrite, vetëm sa do zgjasë rënien e vet politike. Ballkani herët a vonë, do t'u drejtohet atyre që e trajtojnë si bashkëbisedues të barabartë dhe jo si nxënës që kërcënohet vazhdimisht me humbjen e "të ardhmes europiane". Evropa duhet t’a kuptojë se me këtë lloj politike do t’a humbasë Ballkanin, ashtu sikurse humbi tashmë vendin e saj në tryezën ku vendoset rendi i ri botëror. Sa më parë t’a kuptojë këtë, aq më herët do të gjejë rrugën drejt rimëkëmbjes së vet.
0 komentet