Gazimestani: Kampi dhe liria

Vidovdan, Gazimestan, Živojin Rakočević
Burim: Politika/Živojin Rakočević

“Lutuni për mua”, thotë Kajoko Jamasaki, poetja japonezo-serbe, në pikën administrative kufitare në Merdarë, një ditë para Vidovdanit. Po e telefonon Policia e Kosovës, pasi ka probleme me dokumentet. Nuk e lanë të kalojë. “Shpirti im është me ju! Gëzuar Vidovdanin! Të gjithëve, mbarë botës, ju uroj shumë paqe, mirësi dhe bukuri! Anastasija Kajoko Jamasaki”, mbërrin mesazhi i poetes së dritës ortodokse dhe paqes nga Lindja e Largët. E gjithë kjo shkrihet në listën e përgjithshme të incidenteve, provokimeve, ndalimeve, kthimeve dhe tensioneve.

Nuk do të kalojë as Marko Kovaçeviq, kryetari i komunës së Nikshiqit dhe poet. Qindra të tjerë do të mbeten përballë frikës dhe pengesave. Megjithatë, që nga agimi, mijëra njerëz mblidhen në Graçanicë. Aty zhvillohen ngjarje të ndryshme dhe poeti nga Bijello Bërdo i Sllavonisë merr çmimin “Kryqi i Artë i Princit Lazar”. Fjala e tij festive flet për një kanon që e tejkalon kaosin e botës. “Zgjedhja e Lazarit na obligon gjithmonë.

Është dita kur sytë dhe shpirtrat tanë lahen me lulen e Vidovdanit, që përmes gjithë mjegullave dhe sprovave të historisë të shohim qartë se kush jemi, çfarë jemi, nga vijmë dhe kah shkojmë. Le të jetë ky Kryq i Artë një kujtesë për fitoren e shpirtit mbi materien. Faleminderit për këtë dhuratë të shenjtë, të cilën e pranoj me zotimin se do ta mbaj si mbrojtje të shpirtit serb, të emrit serb dhe të gjuhës serbe. Zoti më ndihmoftë.”

“A keni një bozhure për Simonën?”, pyet Çeda Jovanoviq nga Prizreni. Ai shtyn një karrocë fëmijësh dhe buzëqesh. “Më ka lindur një vajzë”, njofton Boban Jevtiq, redaktor i programeve filmike dhe kinematografike të Shtëpisë së Kulturës “Graçanica”, institucion që gjatë muajit qershor organizoi 33 ngjarje – tribuna, koncerte dhe aktivitete të tjera. Pas këtij lajmi, të gjithë propozojnë emra që në mënyra të ndryshme lidhen me Vidovdanin. Sinisha Gjukariq nga Tesliqi mbërriti në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” nga Shtutgarti. Ai është pjesë e një grupi prej njëzet e pesë personash që fluturuan drejt Prishtinës. “Po shkoj t’u blej dhurata fëmijëve.” Ky Vidovdan është në shenjë të fëmijëve. Po ndahen edhe Medaljet “Nëna e Nëntë Jugoviqëve”, ndërsa prifti Sasha Mitroviq lexon gjatë emrat e nënave me gjashtë, pesë e katër fëmijë...

Jashtë portës së manastirit dhe pranë murit me tela me gjemba ndodhen policë me rroba civile, pjesëtarë sllovenë të KFOR-it dhe ndonjë automjet i EULEX-it.

Mitropoliti i Malit të Zi dhe i Bregdetit, Joanikije, para Manastirit të Graçanicës thotë se sekreti i personalitetit të Princit Lazar qëndron në besim, drejtësi, mirësi dhe dashurinë e Zotit. “Kosova ka forcën të na ngrejë”, është mesazhi kryesor i fjalës së tij para Graçanicës. Pas liturgjisë në Graçanicë, në muret e së cilës ndodhen tela me gjemba, mijëra njerëz drejtohen për në Gazimestan, një hapësirë e rrethuar gjithashtu me tela me gjemba. Hyrja është e kufizuar me barriera hekuri të vendosura në disa radhë. Vizitorët dërgohen deri te pika ku policët kontrollojnë çantat, u ngrenë këmishët për të parë çfarë shkruhet në bluzat e tyre, si dhe i kontrollojnë fizikisht.

Shërbesa përkujtimore (parastosi) para monumentit të heronjve të Kosovës udhëhiqet nga Mitropoliti i Malit të Zi dhe i Bregdetit Joanikije, Mitropoliti i Mileshevës Atanasije, Mitropoliti i Rashkës dhe Prizrenit Teodosije, Episkopi i Amerikës Perëndimore Maksim, Episkopi i Sllavonisë Jovan dhe Episkopi vikar i Novobërdës Ilarion. Episkopi Ilarion thotë se “asgjë nuk mund të merret me forcë” dhe se nuk mund të ndalohet besëlidhja, sepse “ne ruajmë dinjitetin tonë dhe duam që edhe në një vend të tmerrshëm të ekzistojmë”.

Parastosi në Gazimestan duket si një takim i serbëve nga e gjithë bota. Nikolla Millosheviq ka ardhur nga Nica e Francës, së bashku me djalin e tij, për t’i treguar vendin ku janë varrosur stërgjyshërit e tij. Ky është Vidovdani i parë pa flamuj serbë. Pas përfundimit të parastosit, në skenë ngjiten disa dhjetëra të rinj dhe këndojnë këngët “Oj Kosovo, Kosovo”(O Kosovë, Kosovë), “Hiljadu Vidovdana” (Një mijë Vidovdanë), ndërsa kënga e fundit që u dëgjua ishte “Na Lovćenu Njegoš spava, najumnija srpska glava” (Mbi Lovçen fle Njegoshi, mendja më e ndritur serbe).

Zyrtarët largohen, ndërsa pranë daljes nga kompleksi memorial krijohet një tollovi e madhe. Policia me rroba civile, policia e rregullt dhe në fund njësitë speciale qëndrojnë në një rresht të gjatë, duke vëzhguar se kë do të ndalojnë. Kalimi bëhet përmes një kordoni, ku dy anët e tij pothuajse të prekin me gjoks, ndërsa më pas të shtyjnë me duar nga shpina që të ecësh më shpejt.

Ata presin personat që i fusin me forcë në një kontejner të ndotur. Prej andej i dërgojnë në furgonët e policisë dhe më pas drejt stacioneve policore. Një burrë i ri mban në krahë një vajzë të vogël dhe policia e ndalon atë. Ai qëndron para furgonit ndërsa fëmija qan me të madhe. Fytyra e babait duket e ngrirë. Një adoleshente humb plotësisht qetësinë, ndërsa dera e kontejnerit mbyllet pas saj. “Zot, sa shumë njerëz mund të futen brenda,” thotë një gazetar, por menjëherë një pjesëtar i njësive speciale i vërsulet duke bërtitur. Ai përpiqet ta largojë, t'ia ndalojë qëndrimin aty, sepse fjalët e tij e shqetësojnë.

Një i ri i veshur me kostumin tradicional të serbëve të Kosovës shtyhet me forcë mes një grupi të rinjsh të ngjeshur. Pak më vonë, në anën tjetër të këtij kalvari, ai shihet me duar të lidhura. Nuk ka mjaftueshëm vend në furgonët e policisë, prandaj mbërrijnë edhe automjete të tjera policore. Nuk dihet kujt i është më vështirë – atyre që kalojnë përmes kordonit dhe shtyhen nga duart e policëve, apo atyre që ndalohen dhe largohen mënjanë. Brenda hapësirës së rrethuar me tela në Gazimestan, gjithçka që këndohet apo thuhet dëgjohet vetëm nga ata që ndodhen aty dhe mund t'u drejtohet vetëm atyre. Megjithatë, dronët dhe policët me rroba civile identifikojnë njerëzit pa dallim dhe përpiqen të shuajnë çdo formë të shprehjes së identitetit të tyre.

Represioni, përdorimi i forcës, urrejtja dhe frika në Gazimestan arrijnë kulmin. Pamja që autori e krahason me një kamp do të përhapet në botë, ndërsa një serb i Kosovës – për shembull ai i riu me kostum tradicional – nga getoja e rrethuar me tela kalon përmes represionit policor dhe, pasi të ndëshkohet, do të lejohet të kthehet në fshatin e tij, në geton serbe të Kosovës, pa tela me gjemba.

Për të gjithçka është e qartë, ndërsa mijëra bashkëmoshatarë të tij, sipas autorit, dje kaluan një “shkollë të lirisë” në Gazimestan. Ata përjetuan poshtërim dhe paguan çmimin për këngët dhe fjalët e tyre. Kaluan rrugën më të vështirë, të përmbledhur në fjalët e një të riu nga Trebinja, i cili, në fund të asaj që autori e quan “kampi i Gazimestanit” dhe “kordoni i Kosovës”, tha shkurt: “Vitin e ardhshëm do t’i sjell këtu të gjithë të mitë!”

Shkruan për “Politika” gazetari dhe shkrimtari Zhivojin Rakoçeviq